UBT

Westerwelle: Mirë që Serbia u kushtëzua me Kosovën

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë meriton të përshëndetet, iu ka thënë deputetëve të Bundestagut, shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle. Ai ka thënë se personalisht ka krijuar bindje se Prishtina dhe Beogradi dëshirojnë marrëveshje dhe se, megjithë kujdesin e nevojshëm, mund të thuhet se udhëheqësit e Serbisë kanë marrë vendim strategjik.

“Ata dëshirojnë normalizimin me Kosovën dhe në këtë vendim dëshirojmë t’i mbështesim”, ka thënë Westerwelle, duke shtuar se ka qenë e drejtë që çështja e integrimit të Serbisë në BE të ndërlidhet me normalizimin e marrëdhënieve kosovaro-serbe, shkruan Blic.

“Mesazhi ynë është i qartë – integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai, transmeton OraInfo.

Duke folur për arritjen e marrëveshjes në Bruksel më 19 prill, ministri gjerman ka vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve është dëshmi se megjithë luftërat njëdekadëshe në rajon, bashkëpunimi mund të sjellë deri te pajtimi dhe rruga evropiane e rajonit.

Eco Higjiena

Westerwelle ka thënë se marrëveshja është hapi i parë, zbatimi i saj është i dyti, ndërsa ka shtuar se bëhet fjalë për hapa konkret, të prekshëm dhe faktik te implementimit.

“Plani është ambicioz, por ka krijuar edhe dinamikë pozitive dhe të dy palët po tregojnë vullnet politik për normalizim”, ka thënë ai.

Duke folur për angazhimin e KFOR-it dhe Bundeswerit, ai ka thënë se kjo ka sjellë edhe zgjidhjet politike dhe ka shtuar se perspektiva afatgjatë do të jetë paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor përmes zhvillimeve të përgjegjshme politike.

Westerwelle ka vlerësuar se situata në Kosovë është e qetë dhe stabile. Sipas tij, KFOR-i në veri të Kosovës duhet të jetë aktiv, pasi që ende ekziston mundësia e përshkallëzimit të situatës atje. /Telegrafi/