Welcome Mr. President!

Bill Clinton u rikthye në shtetin, qytetarët e të cilit i shpëtoi njëzet vjet më parë. Ai deklaroi dje në Prishtinë se ndihet krenar që ishte president i SHBA-së në kohën kur ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright po e vizitojnë vendin në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur”, kështu ka deklaruar dje në Prishtinë ish-presidenti amerikan Bill Clinton pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ky i fundit e dekoroi ish-presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për merita të veçanta. Clinton me këtë rast është shprehur i lumtur që pasardhësi i tij presidenti George W. Bush e njohu pavarësinë e Kosovës.

“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju e shpallët pavarësinë”, tha Clinton.

Clinton ka shtuar se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

“Gjithmonë do të jem krenar me faktin se isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngrihet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”, tha Clinton.

Ai tha se jo vetëm SHBA-ja, por e gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, me demokracinë e saj dhe me shtetndërtimin. Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani ta ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës për dëshmuar se është shtet demokratik.

Thaçi: Clinton, heroi i Kosovës

Në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Clintoni është heroi i Kosovës dhe ia shprehu mirënjohjen më të lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe për çlirimin e Kosovës, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

“Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë-shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe një herë. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik juaji sot do të ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe të popullit të Kosovës ‘Urdhrin e Lirisë’. Nuk ka çmim që mund ta shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës”, tha Thaçi.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe Ditën e Lirisë së Kosovës.

Kosova shënon të mërkurën 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht të trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë shënohet edhe si Dita e Lirisë ose e Çlirimit të Kosovës. Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar të marrin pjesë në këtë jubile edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright dhe shumë personalitete të tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Haradinaj: Clinton jetësoi ëndrrën e shqiptarëve

Ish-presidentin amerikan në zyrën e tij e ka pritur dje edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, të cilin e ka falënderuar për ndihmën amerikane që Kosova ta fitojë luftën me Serbinë. Haradinaj ka thënë me këtë rast se falë vendosmërisë së presidentit Clinton u jetësua ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci, shkruan më tutje Gazeta “Zëri’.

“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe për demokraci e ndërtuam shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai thotë se hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ka qenë një kthesë historike, që rezultoi edhe me realizimin e ëndrrës për të pasur shqiptarët e Kosovës shtetin e tyre. “Falë kësaj kthese historike fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën. President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe për popullin tuaj!”, ka përfunduar Haradinaj.

Albright arrin në Kosovë

Përpos ish-presidentit Bill Clinton, të martën në Kosovë ka arritur edhe ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madelenie Albright. Ajo është pritur në aeroportin “Adem Jashari” nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Albright së bashku me ish-presidentin Bill Clinton do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s dhe të çlirimit të Kosovës. Me këtë rast Jahjaga ka thënë se është krenare që pas 20 vjet lirie të presë në Kosovë ish-sekretaren Albright.

“Vendosmëria dhe përkushtimi i sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë e shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar – lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen. Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga.

Kosova sot shënon 20-vjetorin e Çlirimit

Ndërkohë sot, më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës do të mbahet ceremonia shtetërore për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Nga ora 11:00 deri në orën 12:30 fillon tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në sheshin “Skënderbeu”. Kurse në orën 14:00 deri në orën 14:30 do të bëhet ecja e personaliteteve të larta ndërkombëtare dhe vendore nga hoteli “Swiss Diamond” deri te busti i sekretares Albright. Ndërsa në orën 15:00 deri në orën 15:15 do të zhvillohet vizita në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Aktiviteti i fundit do të fillojë prej orës 17:00 deri në orën 19:30, që do të jetë konferenca ndërkombëtare e sigurisë “20 vjet liri: Një vizion për paqe të qëndrueshme” në hotelin “Emerald”. /ZERI

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).