Uji Dea

Weber: S’ka zgjidhje për Asociacionin jashtë kornizës së marrëveshjes përfundimtare

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Veriu i Kosovës ka disa muaj që përjeton tensione të vazhdueshme si rezultat i përpjekjes së Kosovës për vendosje të rendit dhe ligjit në atë pjesë dhe kundërshtimit të serbëve lokalë për t’iu bindur shtetit. Por a janë këto tensione në veri të qëllimshme dhe synim i presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq për ta bërë veriun temë diskutimi në tavolinat e Brukselit.

Analisti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber thotë se jo. Në një përgjigje për Gazetën Express, Weber thotë se ajo që po ndodh në veri të Kosovës është rezultat i dëmit të parikuperueshëm qe i ka bërë procesit të dialogut, diskutimi për korrigjim të kufijve.

„Jo, kam frikë që dinamika aktuale, eskalimi shkon përtej kalkulimeve racionale të akterëve kryesorë në Beograd dhe Prishtinë. Fakti që ne shohim një eskalim të tillë dhe të rrezikshëm edhe përkundër se kemi në tavolinë propozimin e BE-së për marrëveshje të mbështetur nga Berlini, Parisi, Washingtoni, tregon se dialogu ka mbetur atje ku ishte me kolapsin e presionit për marrëveshje për shkëmbim territoresh- jashtë piste“, ka thënë Weber për Gazetën Express.

Ai tutje thotë se situata në veri të Kosovës tregon se edhe përkundër qasjes aktuale në negociata, dëmi që i është shkaktuar reputacionit të BE-së dhe SHBA-së përmes zyrtarëve të lartë që shtynin për shkëmbim territoresh s’është riparuar.

„Situata tregon se dëmi i bërë në reputacionin e BE-së dhe SHBA-së nëpërmjet rolit të zyrtarëve të nivelit të lartë në shtytjen për shkëmbimin e territoreve nuk është zhbërë me qasjen aktuale ndaj dialogut“, ka shtuar eksperti gjerman i DPC.

Eco Higjiena

Weber thotë se në vend të Lajcakut, Borellit dhe Escobarit duhet një angazhim i nivelit të lartë të lidershipit Perëndimor për ta kthyer dialogun në binarë.

„Gjithashtu nevojitet angazhim i nivelit më të lartë të qendrave Perëndimore për ta kthyer dialogun në rrugë, në vend se t’ia lënë atë Lajcakut, Borellit dhe Esobarit“, ka thënë Bodo Ëeber.

Ëeber thotë se një gjë të tillë e tregon insistimi i Escobar për themelimin e menjëhershëm të Asociacionit edhe pse sipas gjermanit është e pamundur që të zgjidhet ajo çështje jashtë kornizës së një marrëveshjeje finale gjithpërfshirëse.

„ Kjo dëshmohet në këmbënguljen e fundit të Escobar-it për themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njoftimin e tij për ta bërë këtë një projekt amerikan, kur të gjithë e dinë se nuk ka zgjidhje për ngërçin e Asociacionit jashtë kornizës së një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse“, ka përfunduar Weber. B. Velija