VV:Komuna e Dardanës fsheh dokumentet e keqpërdorimeve në emër të privatësisë

Gjilan – Janë të shpeshta vizitat e qytetarëve të cilët shprehin shqetësimet e tyre në raport me qeverisjen komunale të udhëhequr nga Shaip Surdulli. Bazuar në dokumentet që kanë ofruar dhe duke qenë edhe vetë në rrjedhat e vazhdueshme të këtyre zhvillimeve Qendra në Dardanë e VETËVENDOSJE!s ka reaguar publikisht në mënyrë të rregullt për keqmenaxhimin dhe shpërdorimin e pasurisë publike. Si dhe të gjitha raportet zyrtare tregojnë për këtë nivel shqetësues të papërgjegjësisë.
Në reagimin e VV thuhet se qysh nga fillimi i vitit 2012 disa qytetarë na kanë njoftuar duke ngritur shqetësimin e tyre për tjetërsimin e pronës publike në atë private dhe atë duke ua bllokuar lëvizjen përmes rrugëve publike të hapura sipas planit urbanistik.
Pasi kemi grumbulluar dokumentet e mjaftueshme për gjendjen e pronës dhe duke parë zhvillimet qe e arsyetojnë shqetësimin e qytetarëve me datë 13 shkurt 2013 Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!-s në Dardanë, bazuar në “Ligjin për Qasje në dokumente publike”, ka parashtruar kërkesën drejtuar Drejtorisë për pronë, kadastër dhe gjeodezi në Dardanë duke kërkuar të dhëna për të drejtën pronësore duke përfshirë titullarët paraardhës për ngastrën që kufizohet me ngastrat me numër 1155-6, 1654-2, 1168-2, 1155-1 që gjendet në vendin e quajtur Xhuriqka-Garevina.
Me datë 21 mars 2013 kemi marrë përgjigje sipas së cilës kërkesa jonë është cilësuar e mangët dhe e pakuptimtë duke kërkuar plotësimin dhe saktësimin e saj. Me datë 28 shkurt 2013 kemi dorëzuar kërkesën e dytë të plotësuar dhe saktësuar duke kërkuar të dhënat mbi të drejtën pronësore duke përfshirë historiatin e pronësisë për ngastrat 1155-7 dhe 1155-8 e cila gjendet ne zonën katastrale Dardanë, vend i quajtur Xhuriqka. Përgjigjja është marrë më datë 4 mars 2013 me konstatimin se parashtruesi i kërkesës nuk mund të ketë qasje në këtë dokument, me arsye se cënohet dispozita e Nenit 12 ku flitet për përjashtimet e së drejtës në qasje të dokumenteve publike, pika 1.6 e ligjit.
Me date 4 prill 2013 kemi dorëzuar kërkesën e tretë në të cilën edhe u kemi sqaruar se parimi i publicitetit në të drejtën e privatësisë është parim bazik i cili në fakt i shërben mbrojtjes të së drejtës së pronësisë, kështu që baza juridike e konceptuar mbi dispozitën e nënparagrafit 1.6 të nenit 12 të ligjit për qasje në dokumente publike nuk përfshin kategorinë e privatësisë dhe interesave të tjerë privat. Publiciteti i të drejtës se pronësisë i shërben mbrojtjes së pronës ngase përmes publicitetit të pronësisë të gjitha subjektet tjera përmbahen nga objekt i pronësisë prandaj me te drejte konsiderojmë se vepron ndaj te gjithë subjekteve.
Në këtë kërkesë njëherazi kemi paralajmëruar Drejtorinë për pronë, kadastër dhe gjeodezi në Dardanë se do të përballen me procedura gjyqësore ne rast se nuk lejojnë qasjen tonë në dokumentin në fjalë.
Në këto kushte i bëjmë thirrje institucioneve Kuvendit Komunal, dhe zyrtarëve komunal të kenë në vëmendje se nëse shkelja e të drejtës së informimit përbën vetëm kundërvajtje civile e administrative, fshehja e shkeljes së ligjit në një institucion publik përbën padyshim vepër penale.
Po ashtu i bëjmë thirrje bashkëqytetarëve që të mos ndalen në denoncimin e këtyre rasteve si dhe zotohemi që nuk do të heqim dorë derisa secila prej shkeljeve të ndëshkohet nga drejtësia thuhet në reagimin e VV me seli në Dardanë./rajonipress/