VV: Zgjedhjet i fitojmë edhe pa Vjosën, koalicioni potencial me të do të thellonte rezultatin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti asnjëherë s’e kanë parë Vjosa Osmanin si një politikane të fuqishme. Në fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit, në çdo tubim e debat televiziv, secili prej anëtarëve të VV’së deklaronte se Osmani s’do të mund të qeverisë e pavarur për shkak të lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një perceptim të tillë për Osmanin e shfaqte edhe kundërshtari kryesor në garën e 6 tetorit. Albin Kurti e konsideronte vetëm veten të denjë për të udhëhequr me ekzekutivin, derisa Vjosa Osmanin e shihte vetëm në karrigen e kryeparlamentares. Kurti thoshte se nëse i fiton zgjedhjet, Osmanin do ta bënte kryetare kuvendi.

“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Më mandatojnë për kryeministër. Pas fitores, unë e bëj e zonjën Vjosa kryeparlamentare. Nëse s’jemi të parët, nuk shoh ç’kapje të shtetit”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse LDK-ja fiton dhe i ofron LV-së bashkëpunim, “në situatë të tillë hipotetike duhet të kthehem te Këshilli i Përgjithshëm”, kishte deklaruar Kurti më 4 shtator të vitit të kaluar.

Një perceptim i tillë i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Vjosa Osmanit s’ka ndryshuar as sot, kur po paralajmërohet edhe publikisht bashkëpunim politik për zgjedhjet e ardhshme.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Perparim Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet edhe pa Vjosa Osmanin. Sipas tij, një bashkim potencial i anëtares së LDK’së në Vetëvendosje vetëm do të bënte fitoren edhe më të thellë.

“Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë në vend, subjekti më i madh në vend, është i vetmi subjekt që ka shënuar rritje të pandërprerë që nga vitit 2010 si dhe është i vetmi subjekt i cili ka shënuar rritje edhe pasi që ka qeverisur me vendin – për dallim nga subjektet tjera të cilat vazhdimisht kanë shënuar rënie. Një koalicion potencial i tillë vetëm sa do ta thellonte fitoren, sepse fitorja në zgjedhjet e ardhshme tashmë i takon LV-së”, ka thënë Kryeziu për Express.

Kryeziu ka thënë se shihet hapur që ka një bashkëpunim të mirë mes Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe se një bashkëpunim i tillë do të thellohet.

“Tashmë është e qartë së ka një bashkëpunim të mirë në mes neve dhe znj.Osmani, i ndërtuar në parime e qëllime të përbashkëta, dhe i përgjegjshëm ndaj vullneti të qytetarëve. Duke qenë i tillë, besoj që është e pritshme por edhe e domosdoshme që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë e të thellohet”, ka thënë Kryeziu për Express.

Anëtari i VV’së thotë se Osmani është bashkë me Kurtin në atë që ai e quan “bllok i politikanëve të përgjegjshëm” e që sipas tij do të bëjnë shkapjen e shtetit.

“Veprimet kundërvyese dhe jodemokratike të 25 marsit e 3 qershorit të politikanëve të klasës se vjetër politike të cilët u rreshtuan kundër qytetarëve dhe vullnetit të tyre, kanë provokuar krijimin e dy blloqeve politike. Blloku i klubit të vjetër politik, që për synim ka ta mbajë peng të ardhmen e vendit vetëm e vetëm që vendin ta mbajnë në shërbim të tyre, dhe blloku tjetër i politikanëve të përgjeshmën që synim kanë çkapjen e vendit dhe ndryshimin në shërbim të tij. LV-ja dhe znj. Osmani, qartazi i takon bllokut të dytë”, ka shtuar Kryeziu.

Vjosa Osmani është shkarkuar nga dy pozitat e saj që mbante në Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkak të afërsisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Kryekuvendarja është përplasur ashpër edhe me Isa Mustafën, derisa ka thënë se me vendimin për përjashtim, LDK’ja ia ka mbyllur çdo derë bashkëpunimi.

Derisa kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ia ka lënë fajin Osmanit për humbjen e zgjedhjeve, meqë sipas tij në fushatë kryekuvendarja kishte kopjuar Albin Kurtin./GazetaExpress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).