RCCOLA

VV: Vitisë i duhet një qeverisje ndryshe

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Salih Salihu, kandidat për Kryetar të Komunës, tha se Vitia me të gjitha parakushtet për të qenë një nga komunat më të zhvilluara në Kosovë, ka mbetur një nga komunat më të pazhvilluara në vend.

Qendra e Lëvizjes VV, në Viti prezantoi kandidatët që do të garojnë për Kuvendin Komunal në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Salih Salihu, kandidat për Kryetar të Komunës, tha se Vitia me të gjitha parakushtet për të qenë një nga komunat më të zhvilluara në Kosovë, ka mbetur një nga komunat më të pazhvilluara në vend. “VV! konsideron se Vitia dhe qytetarët e saj nuk e kanë merituar këtë gjë. Ka ardhur momenti që ky trend negativ të ndalet, duke e zbatuar Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes , bashkë me të gjithë qytetarët e kësaj komune. Vitisë i duhet një qeverisje ku vendimet janë transparente dhe merren bashkë dhe për qytetarin, një qeverisje me prioritet për zhvillim ekonomik përmes bujqësisë, industrisë e turizmit, një qeverisje që ngritë cilësinë në arsim e shëndetësi, një qeverisje që kujdeset për ambientin dhe infrastrukturën, që zgjeron hapësirat e gjelbëra dhe mbron pyjet”, tha ndër të tjera Salihu. Ai më pas prezantoi me radhë të gjithë kandidatët për Kuvendin Komunal.

Majlinda Ostrogllava, kandidate për Kuvendin Komunal, tha se përfshirja e grave në institucione nuk bëhet në rrugë normale dhe të natyrshme duke e mundësuar zhvillimin dhe përparimin e saj, pas së cilës vjen përfaqësimi normal, por përmes kriterit kushtëzues gjinor, i cili i përfshin gratë në institucione, duke i diskriminuar që në start ato. “Ne së bashku duhet të hartojmë politika të cilat çojnë drejt emancipimit të shoqërisë, në raport me gruan. Lëvizja VV! mendon se qasja duhet të ndryshojë në tërësi, dhe se gratë, femrat, vajzat duhet t’i kenë mundësitë dhe të drejtat e barabarta me të gjithë pjesëtarët tjerë të shoqërisë”, theksoi ajo.

Mobi Casa

Fetih Hetemi, kandidat për Kuvendin Komunal, foli për shëndetësinë, si një nga sferat më të degraduara në komunën e Vitisë. “Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti lë shumë për të dëshiruar për t’i realizuar kërkesat e banorëve të komunës sonë në nivelin primar e veçanërisht në atë sekondar. Kjo si pasojë e mungesës së vullnetit politik si në nivel qendror edhe në atë lokal. Për të një shëndetësi në nivel të duhur, detyrimisht duhet të rritet buxheti për këtë fushë”, tha Hetemi.

Ai mes tjerash shtoi se me kushtet e sotme, në vend që të shërohet pacienti, mund të infektohet e sëmuret edhe më shumë nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të VV!-s, tha se ndryshimi rrënjësor që kërkojmë ne, bëhet vetëm nga njerëzit e ndryshëm nga ata që udhëheqin sot. “Ajo që duam të ndryshojmë ne, nuk është ndryshim kozmetik, por ndryshim rrënjësor. Pra, nuk duam ta gëlqerosim fasadën e shtëpisë, por duam ta rindërtojmë shtëpinë për së brendshmi. Këto komuna që janë të ndërtuara sot nëpër Kosovë, janë pushtete që e kanë tjetërsuar idenë e institucionit publik. Pra, janë institucione publike që po tërhiqen nga pushtetarët kah interesi partikular i tyre, e jo kah interesi i përbashkët të qytetarëve. Ne e duam komunën e përbashkët, komunën e qytetarëve, që zbaton projektet që janë në interes të përgjithshëm”, tha Ymeri, duke theksuar se komuna që do të udhëhiqet nga VV!, do të jetë komunë solidare dhe e barazisë thuhet në një njoftim të VV. /rajonipress/