UBT

VV: Vendimi i Kushtetueses, politik dhe i ndikuar

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje e interpreton si politik dhe të ndikuar nga Qeveria e vendit. Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë në Interaktiv të KTV-së, se Vetëvendosje është akuzuar si kundërshtare e Kushtetutës dhe shtetit, por, sipas tij, kjo parti është e vetmja që po e mbron Kushtetutën dhe shtetin me kundërshtimet që bën ndaj rreziqeve që po i kanosen.

“Gjykata Kushtetuese befasisht thotë se kjo nuk bie nën juridiksionin e saj. Ne kemi vërejtur edhe më herët se Gjykata Kushtetuese ka qenë e ndikuar prej marrëveshjeve politike, që prej planit të Ahtisaarit. Ka pasur edhe raste të tjera, edhe ajo për logon e Prizrenit është ndikuar prej vendimeve që i ka marrë politika.

Ajo është ndikuar prej ekzekutivit. Kjo është shqetësuese se ende ne nuk e kemi arritur shkallën ku institucionet e drejtësisë nuk ndikohen”, ka thënë ai.

UBT

Konjufca i ka quajtur vendime selektive ato të Gjykatës, meqë, sipas tij, Kushtetuesja iu referua vetëm nëntë neneve që janë në pajtim me Kushtetutën dhe kishe me shumë që binin ndesh me të.

Një ditë më parë Kushtetuesja ka dhënë mendimin e vet lidhur me mënyrën e votimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, por ka refuzuar të shqyrtojë kushtetutshmërinë e përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje.