VV: Shillova dhe lagjja “Ramiz Cërnica”kërkojnë ndryshime

Gjilan – Ismajl Kurteshi, kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, në takim me banorët e lagjes, ka shprehur vullnetin dhe vendosmërinë që Gjilanit t’i jap formë dhe përmbajtje tjetër. “Gjilanin kemi për ta ndryshuar rrënjësisht dhe 180 shkallë. Ky ndryshim do të thotë kalim nga pandershmëria në ndershmëri, nga keqqeverisje në qeverisje të mirë, nga nepotizmi në profesionalizëm dhe meritokraci bazuar në konkursin e hapur publik” – ka thënë Kurteshi.
Në takimin me banorët e lagjes “Ramiz Cërnica” ishin të pranishëm kryetari Ismajl Kurteshi, Nevzad Isufi, Agron Shurdhani, Shkodran Ramadani, si dhe kandidatja për asamblenë komunale nga kjo lagje, Lumnije Avdiu.
Ismajl Kurteshi, kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, në takim me banorët e lagjes, ka shprehur vullnetin dhe vendosmërinë që Gjilanit t’i jap formë dhe përmbajtje tjetër. “Gjilanin kemi për ta ndryshuar rrënjësisht dhe 180 shkallë. Ky ndryshim do të thotë kalim nga pandershmëria në ndershmëri, nga keqqeverisje në qeverisje të mirë, nga nepotizmi në profesionalizëm dhe meritokraci bazuar në konkursin e hapur publik” – ka thënë Kurteshi.
Ai ka shtuar se, “lagjja juaj do të duhej të mos anashkalohej në këtë mënyrë, por ja që pushteti ka anashkaluar krejt komunën, e nuk po ju anashkalon juve si lagje. Ata e kanë në vëmendje vetëm interesin e tyre personal.”
Muhamet Rexhepi si kryetar i pikës dhe nikoqir i këtij takimi, pasi ka përshëndetur pjesëmarrësit, fjalën ia ka kaluar kandidates për asamblenë komunale, Lumnije Avdiut. “Është vështirë të kërkosh votën para popullit tënd, i cili ka shumë vështirësi sociale dhe ekonomike, e cila është drejtuar deri më tash nga elita të korruptuara dhe nuk kanë bërë asgjë për shumë probleme të jetës së përditshme” – ka thënë kandidatja Avdiu.
“E vetmja alternativë që ofron shpresë për të dalur nga kjo gjendje, pa dyshim ka mbetur Lëvizja VV!” – ka porositur Avdiu.
Banorët e lagjes “Ramiz Cërnica” kanë shprehur këto pakënaqësi dhe shqetësime të cilat janë shprehur thuajse ngjashëm në shumë vendbanime ku janë organizuar tubime të tilla si: problemet me ujësjellësin, nepotizmi për punësimin në institucionet publike dhe nëpër shkolla, problemi i ngecjes së projektit për varrezat e dëshmorëve etj.
Shillova kërkon ndershmëri në qeverisje
Radha e takimeve mobilizuese të Lëvizjes VV! arriti edhe në Shillovë. Në këtë takim që u realizua me banorët dhe përfaqësuesit e këtij fshati, kandidati për kryetar komune nga Lëvizja VV! Ismajl Kurteshi, tha se frustrimi i qytetarëve po i shtyn ata që edhe të mos dalin në zgjedhje. “Ne po i themi të gjithëve se duhet të dalin në zgjedhje sepse kemi rastin ta ndryshojmë drejtimin dhe drejtuesit aktualë të udhëheqjes së komunës përmes votës. E kemi një mundësi historike, që përmes daljes në kutitë e vendvotimeve, ta ndëshkojmë këtë qeverisje e cila veten e pasuroi, ndërsa komunën e shkatërroi” – ka shtuar Kurteshi.
Udhëheqësit komunalë me vetë publikimet e tyre kanë treguar për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që kanë bërë gjatë mandatit të tyre. Shembulli më i mirë i kësaj dukurie është buletini i komunës mbi investimet kapitale për periudhën 2008-2011.
“Tentativa për të bindur qytetarët se të gjitha subjektet janë të njëjta është prova se pushteti aktual është i frikësuar nga pjesëmarrja masive e qytetarëve në zgjedhje, sepse pakënaqësia e tyre do të rezultojë me humbjen e kësaj qeverisjeje” – ka komentuar Kurteshi.
Takimi u karakterizua me debat shumë produktiv, ku u diskutua për aferat korruptive në komunë, blerjet e paligjshme të votës, e veçmas u ngrit një problem shumë i ndjeshëm, siç është mungesa e transportit për fëmijë-nxënës, që nuk i sigurohet atyre, ndonëse janë mbi 4 km, siç thuhet nga banorët. Banorët thanë njëzëri se Gjilanit i mungon ndershmëria në qeverisje, prandaj duhet patjetër që Gjilani të udhëhiqet nga njerëzit e ndershëm, dhe e vetmja shpresë sipas tyre, është Lëvizja VV thuhet në njoftimin e degës së VV në Gjilan./rajonipress/