RCCOLA

VV: Qeverisja komunale me defekte dhe shkelje të shumta

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VV në Gjilan mbajti sot konferencë për media ku u fol për shkelje të procedurave në Kuvend Komunal, për diskriminimin e asambleistëve opozitarë, për defektet gjatë regjistrimit të pronave bujqësore si dhe për ndryshimin e statutit të Komunës së Gjilanit.

Asambleistja e VV-s në Kuvendin Komunal, Arjeta Rexhepi, tha se statuti i Komunës parasheh që ftesat dhe materialet për seancat e Kuvendit Komunal ose komiteteve t’ju dërgohen pjesëmarrësve 7 para mbajtjes së seancave. “Në Kuvendin Komunal të Gjilanit kjo dispozitë e Statutit shumë shpesh nuk respektohet, zakonisht pa fajin e sekretarisë së Kuvendit, por me fajin e udhëheqësve. Ja një shembull se si nuk duhet të punohet: Këshilli Vendor në Zhegër ia drejton Kuvendit Komunal një kërkesë për marrjen në shfrytëzim të pronës komunale në sipërfaqe prej 1 hektar e 64 ari. Udhëheqja komunale e thërret me 5 nëntor paradite mbledhjen e Komitetit për Pronë për të njëjtën ditë pasdite, pa ia afruar paraprakisht, madje as gjatë mbledhjes, materialin dhe projektin e plotë për të cilin është diskutuar dhe për të cilin këshilltarët është dashur të vendosin për t’i rekomanduar ose jo Kuvendit dhënien në shfrytëzim të pronës. Një ditë më vonë, pa paralajmërim dhe pa materiale, e njëjta kërkesë shkon para këshilltarëve Komunal në Kuvend për ta marr vendimin përfundimtar për dhënie në shfrytëzim të kësaj prone”, theksoi Rexhepi, duke shtuar se ky është vetëm njëri nga rastet më të freskëta që udhëheqja komunale vepron në këtë mënyrë. Kështu ka ndodhur edhe me këmbimin e pronës për rrugë të shkollës në Zabel, faljen e truallit në Poredin e kështu me radhë e shumë raste të tjera.

Duke folur për diskriminimin e asambleistëve opozitar, Rexhepi tha se ka ndodhur disa herë që të organizohen seminare të ndryshme nga donatorët, e ku parashihet që pjesëmarrës në këta seminar të jenë edhe asambleistëtët nga opozita, por shpesh këta të fundit nuk janë ftuar nga Kryesuesja e Kuvendit, ose lajmërohen në ditën kur veç duhet në nisen në udhëtim. “Përveç kësaj, shpesh ndodhë që në seminare ose ekskursione të shkojnë njerëz të cilët nuk do të duhej të shkonin. Këto sjelle të pa përgjegjshme paraqesim keqpërdorim të pozitës, prandaj ne kërkojmë që udhëheqja komunale ta ndërrojë këtë qasje dhe t’i kryejë detyrat për të cilat është përgjegjëse”, tha në fund Rexhepi.

Uji Dea

Lidhur me defektet gjatë regjistrimit të pronave bujqësore, deputeti Ismajl Kurteshi shprehu shqetësimin e VV-s për shkak të shkeljes së vrazhdë të kritereve, me rastin e përzgjedhjes së regjistruesve për këtë çështje nga ana e autoriteteve komunale. Informatat që vijnë nga terreni dëshmojnë se kriteri bazë për përzgjedhjen e regjistruesve është përkatësia farefisnore ose partiake, e që ky kriter nuk garanton punë cilësore dhe paraqet diskriminim të taksapaguesve. “Komuna nga 190 kandidatë me diploma fakulteti që kanë aplikuar për 97 vende, vetëm 31 i ka angazhuar në këtë projekt. Dy të tretat e regjistruesve janë student ose me shkolla të mesme. Kjo përzgjedhje përveçse është e pa drejt do të ndikon edhe në kualitetin e kryerjes së punëve në teren. Se Komuna ka qenë e fokusuar në rahatin e njerëzve të saj gjatë këtij procesi dëshmon edhe shpërndarja e tyre pa kriter në terren, sepse shpërndarja nuk është në përputhje me nevojat e terrenit. Diku ka më shumë regjistrues seç janë nevojat reale e diku tjetër ndodhë e kundërta”, potencoi Kurteshi. Ky projekt nuk do ta pasqyrojë realisht gjendjen në bujqësi sepse regjistrat e pronarëve të ekonomive bujqësore janë të mangët. Shumë pronarë të tokave nuk figurojnë në regjistrin e regjistruesve, prandaj shumë prona do të mbeten të pa regjistruara.

Kurteshi foli edhe për ndryshimin e statutit të Komunës që u bë më 5 nëntor në Kuvendin Komunal, me iniciativën e Kryetarit të Komunës dhe pa votën e opozitës. “Shuarja e drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit është bërë me qëllim të përfitimit politik të Kryetarit të Komunës i cili me futjen e rinisë, sportdashësve dhe njerëzve të kulturës nën ombrellën e zyrës së tij, synon rritjen e ndikimit politik të tij mbi këto kategori shumë të rëndësishme shoqërore. Mungesa e kësaj drejtorie do t’i sjellë në një pozitë edhe më të rëndë këto kategori shumë të rëndësishme shoqërore”, tha ndër të tjera Kurteshi. Ai më tej ngriti shqetësimin edhe për Drejtorinë e Inspeksionit, e cila ka kohë që nuk është vërejtur në terren. “Si mund të shpjegohen ndërtimet pa leje të objekteve si Hip Petrol, shumëkatëshi vetëm 6 metra larg nga gjimnazi, rrokaqiejt të ngjitur me Silosin, e shumë objekteve të tjera? Komuna për ta arsyetuar mosveprimin e saj, ka vazhduar me praktikën e vjetër të ridizajnimit të planeve rregullative për t’ia përshtatur ato kërkesave të disa bizneseve të dyshimta me shpenzime të taksapaguesve gjilanas. Probleme tjera që vërtetojnë mospunën e kësaj drejtorie janë edhe pirja e duhanit në pothuajse 99% të hapësirave publike, hedhja e mbeturinave me kamion gjithandej në hapësira të gjelbëruara e përskaj rrugëve, prerja e asfaltit pa leje, bllokimi i trotuareve e të tjera”, tha në fund Kurteshi./rajonipress/