RCCOLA

VV: Qeverisja e re, vazhdimësi e qeverisjes së vjetër

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Po bëhen gati një vit, kur qytetarët e Vitisë votuan për të ndryshuar qeverisjen e kësaj Komune. Duke mos kursyer premtimet, Sokol Haliti dhe LDK, ia kishin dalë që të bindin shumicën e qytetarëve të Vitisë që votuan se ata ishin ndryshimi që po kërkonin. Por, fatkeqësisht, kur tash po bëhen gati një vit qeverisje, në vend të rezultateve konkrete që do të kthenin shpresën se Komuna është e qytetarëve dhe kujdeset për interesin e tyre, zhgënjimi po rritet thuhet në një reagim të LVV dega në Viti.

Në vend të rezultateve konkrete, qytetarët e Vitisë po shohin një qeverisje të angazhuar për të mbushur boshllëkun me paraqitje propagandistike mediatike, dhe ecje në terren për të mbuluar dështimin dhe për të krijuar përshtypjen e “punës së madhe” që po bëhet. Në vend të zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme, po ofrohet vetëm zgjidhje kozmetike të paqëndrueshme që nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Vitisë.

Në rastin më të mirë, zgjidhjet e ofruara të pushtetit aktual i shërbejnë vetëm grupeve militante të partisë në pushtet. Si pasojë, Vitia po përjeton një vazhdimësi të qeverisjes së kaluar, madje ka zëra se është në bashkëqeverisje joformale me ish pushtetarët e PDK-së.

Fatkeqësisht, pothuajse në të gjitha fushat, problemet kanë mbetur të njëjta, madje në disa prej tyre kemi edhe përkeqësime. Ligjërisht ende nuk është plotësuar as ekipi qeverisës. Për këtë Lëvizja VV!, mund të ofrojë fakte të pakundërshtueshme dhe të bollshme. Po i rendisim në formë të përgjithësuar, vetëm disa nga fushat që konsiderojmë që pasqyrojnë mënyrën se si qeveriset Vitia:

Vazhdon qeverisja me u.d drejtor, ndonëse me ligj është e përcaktuar ndryshe;

Në ekipin qeverisës, ka drejtor që ushtrojnë funksione që sipas ligjit mund të cilësohen konflikt i drejtpërdrejt i interesit, apo që emërohen të kryejnë detyra që sipas ligjit duhet të ushtrohen nga shërbyes civil; Ndonëse është e mbingarkuar administrata komunale, vazhdon angazhimi i militantëve partiak me kontratë mbi vepër. Për më keq, ka raste kur të angazhuarit me kontratë mbi vepër janë pozita të rëndësishme vendimmarrëse;
Ka përpjekje të vazhdueshme për të përvetësuar meritat nga projektet vullnetare të komunitetit. Mbështetja minimale përmes participimit në projektet e komunitetin ofrohet vetëm sa për të mundësuar udhëheqjes komunale prerjen e shiritit dhe shkrepjen e fotografive;

Ka vonesa të dukshme në realizimin e projekteve dhe asnjë nga projektet e financuara nga komuna nuk është e pajisur me leje ndërtimore (siç e kërkon ligji) dhe ato janë jashtë standardeve profesionale;

Fundamenti

Vazhdojnë ndërtimet pa leje, madje edhe nga zyrtar të udhëheqjes komunale;
Shumica e kontratave u jepen financueseve të fushatës zgjedhore të LDK-së apo kompanive që janë të lidhura me ta;

Në vend të përmirësimit të kushteve dhe cilësisë, arsimi është politizuar skajshmërisht dhe janë shkelur ligji dhe procedurat gjatë procesit të angazhimit të stafit arsimor;
Gjendja në shëndetësi është përkeqësuar edhe më shumë. Në mungesë të pajisjeve dhe barnave, qytetarët e Vitisë edhe për shërbime elementare shëndetësore dërgohen në Gjilan;

Bujqësia si sektori më me prioritet i komunës së Vitisë nuk ka përfituar asnjë projekt serioz që do të ndihmonte zhvillimin e bujqësisë. Projekti i vetëm, i financuar nga qendra për regjistrimin e bujqësisë, është shfrytëzuar për të angazhuar militantë partiak. Sipas projektbuxhetit të miratuar nga Kuvendi i Komunës, kjo gjendje do të vazhdojë të paktën edhe në vitin 2015;

Nuk ka asnjë përmirësim në ofrimin e shërbimeve nga Komuna. Ka raste, ku qytetarët e Vitisë, sidomos ata nga diaspora ankohen për sjellje jo korrekte dhe mungesë të shërbimeve cilësore;

Të gjitha këto, fatkeqësisht kanë konfirmuar bindjen e Lëvizjes VV se LDK dhe Sokol Haliti nuk janë zgjidhja për ndryshimin që ka nevojë Vitia dhe qytetarët e saj.

Megjithatë, VV i bënë thirrje kryetarit Haliti dhe ekipit të tij qeverisës që të rishikojë qasjen e tij të qeverisjes dhe të ndërtojë një vizion të qartë, ku Komuna kthehet në institucion në shërbim të të gjithë qytetarëve, ofron shërbime të shpejta dhe cilësore dhe është në funksion të krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Një vit i humbur është shumë, por do të ishte më keq që të humbim edhe vitet në vazhdim.

Qendra e Lëvizjes VV! në Viti do të vazhdojë të ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në këtë komunë, dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët në terren për të ngritur zërin sa herë që e kërkon interesi i përgjithshëm i qytetarëve të Vitisë thuhet në reagimin dhe vlerësimin që ka bërë VV dega në Viti për punën e qeverisjes komunale./rajonipress/