UBT

VV: Qeveria po flenë në ditën e luftës së korrupsionit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Lëvizja Vetëvendosje në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit ka reaguar ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat sipas kësaj lëvizje nuk janë duke bërë asgjë në këtë drejtim. Përderisa institucionet e drejtësisë anë e kënd botës po e luftojnë këtë fenomen që ndikon në zhvillimin shoqëror, politik dhe ekonomik të çdo shteti, sipas Vetëvendosjes institucionet e Kosovës po heshtin në këtë ditë, sepse lufta e tyre kundër korrupsionit ka pushuar moti dhe jo pse nuk kemi korrupsion, përkundrazi.

“Pikërisht në këtë ditë, ne marrim lajmin për skandalin e radhës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një aferë tjetër korruptive ku raportohet të jenë përvetësuar rreth dyqind mijë euro nga tenderi për prodhimin e targave të automjeteve në Kosovë. Ndërkohë drejtuesi i po kësaj Ministrie, Bajram Rexhepi deklaron se s’do të japë dorëheqje meqë po lufton seriozisht korrupsionin. Kësaj afere i parapriu skandali i pasaportave dhe 1.4 milion eurove rreth dy javë më herët, të cilit po ashtu i kishin paraprirë vjedhja në dhomën e dëshmive dhe fshehja e provave”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Vetëvendosjes.

Kjo lëvizje mendon se me avazin e këtyre skandaleve, nuk mund të presim nga kjo Ministri, e as nga kjo Qeveri, të ketë përfunduar ndonjë tender pa përvetësim parash. “Bajram Rexhepi nuk po lufton korrupsionin, ai vazhdimisht po merr pjesë në afera korruptive.

Njëjtë dhe me rastin e kontratës së Bechtel-Enka dhe faktin që qytetarët e këtij vendi nuk morën asnjëherë përgjigje pse po paguajnë shumë herë më shtrenjtë për këtë rrugë. Po ashtu dhe me Kontratën për privatizimin e KEDS nga Limak-Çalik dhe mbledhjen e borxhit të qytetarëve. E paraprirë nga çështja e privatizimit të Hotel Grandit, ajo e Ferronikelit dhe e pjesës më të madhe të proceseve të privatizimit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Fundamenti

Sipas VV-së, këto skandale e afera bëjnë të qartë se këto institucione të drejtuara nga këta njerëz nuk e luftojnë korrupsionin sepse korrupsioni buron nga ata vet.

“Drejtuesit jolegjitim të institucioneve tona, tanimë qartazi, janë të përfshirë në afera korruptive, prej të cilave vetëm disa kanë përfunduar si skandale para syve të publikut derisa shumë të tjera mbeten të pazbuluara. Për më tepër audio-inçizimet e shfaqura javën e kaluar, na vulosin faktin se si pushtetarët e drejtojnë shtetin tonë. Nepotizimi, mënyra se si merren vendime për çështje shumë të rëndësishme, na çojnë në konstatimin se qeverisja e Hashim Thaçit çdo ditë e prodhon nga një aferë korruptive. Si të tillë, nuk mund të presim që të njëjtët ta luftojnë korrupsionin e ta çojnë vetveten para drejtësisë.

Lufta kundër korrupsionit është luftë që bëhet nga ata që nuk janë të korruptuar e që luftojnë kundër tij”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje thotë se hapi i parë i domosdoshëm është kërkesa e pakusht që kjo Qeveri të dorëhiqet. “Çdo prokurori të Republikës së Kosovës, e prej këndej çdo gjyqtari që të bëjë detyrën përballë ligjit, qytetarëve dhe vendit. Ndërsa i takon çdo qytetari t’i shpeshtojë kërkesat tona për drejtësi e ndëshkueshmëri, transparencë e llogaridhënie për të gjithë ata që po na e shkatërrojnë shtetin, të ardhmen dhe po na e cenojnë lirinë. Lufta kundër korrupsionit fillon nga institucionet, por nuk ndalet tek to”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.