VV: Pushteti po punon edhe natën në fushatë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Sot aktivistët e Lëvizjes VV! në Gjilan, kanë shprehur disa nga zhvillimet negative në komunë, shqetësimet e disa lagjeve dhe fshatrave të komunës, si dhe disa pengesa serioze në tubimet elektorale të VV!-s në Gjilan, të shkaktuara nga pushteti aktual.

Avni Rudaku, nënkryetar i dytë i Lëvizjes, ka komentuar aferën korruptive të kirurgut në Spitalin Rajonal të Gjilanit. “Ne edhe në kohë fushate, përcjellim zhvillimet negative në komunë. Nuk mund të mbesim indiferentë për ngjarjen e arrestimit të kirurgut, për marrje ryshfeti nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi. Nuk është kjo hera e parë, pasi që shëndetësia publike në Gjilan është thellë e zhytur në korrupsion, pasi që edhe në vitin 2012, ish drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit Xhavit Hajdari, ishte arrestuar nga Njësi i Krimeve Ekonomike dhe Anti-korrupsion për marrje ryshfeti. Ka pasur edhe raste të tjera të raportuar nga mediet lokale. Ne besojmë se ky sistem i korruptuar është epidemi dhe duhet të ketë një hetim rigoroz në çdo institucion, sepse ne dyshojmë që epidemia e korrupsionit është e përhapur kudo dhe duhet të kemi një hetim jo vetëm kur vjen ndonjë informatë sporadike prej qytetarëve që e raportojnë atë, por organet përgjegjëse të jenë proaktive. Ne sigurojmë se me parimet tona të Lëvizjes VV!, jo vetëm do ta luftojmë korrupsionin, por edhe do ta mundim atë. Por ne nuk presim që korrupsionin, mund ta luftojnë ata që janë vetë të zhytur thellë në korrupsion dhe që duken se po luftojnë korrupsionin në kohë fushate” – ka thënë Rudaku, njëherazi kandidat për këshilltar në asamblenë komunale.

Fundamenti

Rudaku ka shprehur një sërë pakënaqësish të qytetarëve, me të cilat ka rënë në kontakt, duke u ndalur në lagjen e re në Livoçin e Epërm, fshatin e harruar të Gadishit dhe shumë lagje të anashkaluara nga komuna. “Banorët e lagjes së re të paralagjes së qytetit, janë ankuar për mungesë të ujësjellësit funksional. Shumica prej tyre po marrin ujë nga puset. Ata thonë se para tri viteve, madje edhe kishin participuar me parat e tyre dhe akoma edhe sot e kësaj dite, ujësjellësi nuk është funksional. Banorët e kësaj lagje të re, që dikur ishte quajtur “Te Marectë”, kanë thënë se mosasfaltimin i rrugës ka bërë që sapo të kalon një veturë, të mbushet me pluhur. Një fshat tjetër që po ballafaqohej me probleme të rënda sociale dhe infrastrukturore, ishte edhe fshati Gadish, një fshat që për komunën nuk ka ekzistuar fare. E Hashim Thaçi vazhdon me vizitat e tij në qytet, por jo edhe në këto dy vendbanime që janë trishtuese. Vizita e kryeministrit dhe mosvizita e presidentes Jahjaga kurrë në këtë komunë për t’i parë hallet e qytetarëve, tregon për humbje të tërësishme të komunikimit të sinqertë dhe të ndjeshmërisë së udhëheqësve për qytetarët” – ka thënë Rudaku.
Ai në fjalën e tij përmbyllëse, përmendi edhe rastet kur po bëhen punime të rrugëve gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe kjo ka mllefosur disa qytetarë. “Po punojnë edhe natën në këtë muaj. Po ashtu, tek “Abazovitët” në Bresalc, banorët nuk kanë lënë të asfaltohet rruga, për shkak të irritimit që po punohet vetëm për mashtrim elektoral dhe me nguti. Rezistenca, refuzimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për këto mashtrime elektorale, është rritur fuqishëm dhe kësaj radhe teknikat e vjetra të përfitimit elektoral, nuk do të kenë sukses me 3 nëntor” – ka përfunduar fjalën Rudaku thuhet në komunikatën e VV në Gjilan./rajonipress/