UBT

VV: Pushteti aktual e ka degraduar skajshmërisht Artanën

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Pushteti aktual e ka degraduar skajshmërisht Artanën. Të gjitha punët që janë bërë, janë bërë sa për ta manipuluar. Kësaj here besojmë se do të ndryshohet qeverisja, sepse do të mbrohet vota nga ana e vëzhguesve dhe komisionerëve tanë. Me VV!-n, qytetari do ta udhëheq komunën dhe komuna do të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të pushtetarëve, ka thënë Zekë Zeka.

Qendra e VV!-s në Artanë prezantoi kandidatët për Kuvend Komunal, që do të garojnë në zgjedhjet e tre nëntorit.

Zekë Zeka, kandidat për Kryetar të Komunës, tha se në Artanë, nuk mund të gjesh asnjë fushë të vetme ku është punuar për interesin e qytetarit. “Pushteti aktual e ka degraduar skajshmërisht Artanën. Të gjitha punët që janë bërë, janë bërë sa për ta manipuluar. Kësaj here besojmë se do të ndryshohet qeverisja, sepse do të mbrohet vota nga ana e vëzhguesve dhe komisionerëve tanë. Me VV!-n, qytetari do ta udhëheq komunën dhe komuna do të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të pushtetarëve”, tha Zeka, raporton rajonipress.

Mobi Casa

Egzoneta Hajdari, kandidate për Kuvendin Komunal, duke folur për rëndësinë e angazhimit të gruas nëpër proceset politike e shoqërore, tha se femra nuk duhet të pret nga dikush të krijojë mundësi dhe hapësirë, por duhet të angazhohet vet për të drejtat e veta. “Nuk mjafton vetëm kuota gjinore për përfaqësim. Gruaja meriton shumë më shumë se kjo kuotë, sepse është shtylla e kësaj shoqërie. Ajo ka sakrifikuar më së shumti për te gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova”, theksoi Hajdari.

Abdyl Gashi, kandidat për Kuvendin Komunal, tha mes tjerash se mbi 90% e qytetarëve të Artanës janë të papunë, për kundër faktit se në Artanë ka një tokë bujqësore në të cilën do të mund të punonin më shumë se gjysma e popullsisë. “Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e këtij pushteti lokale, që përmes keqqeverisjes së nivelit më të lartë nuk ka pasur për qellim rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por rritjen e luksit të vetë. Alternativa e VV!-s për Artanën synim kryesor e ka rritjen e prodhimit përmes zhvillimit të bujqësisë” u shpreh Gashi.

Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të VV!-s, tha se ne duhet ta ndryshojmë komunën, ngase komuna e sotme, nuk është ajo që duhet të jetë, pra nuk është në shërbim të qytetarëve të vetë. “Pushteti komunal, Kuvendi Komunal, buxheti, trajtohen si çështje private të kryetarit dhe asamblistëve. Kjo duhet të ndryshohet menjëherë. Kritika jonë nuk nënkupton vetëm kritikë ndaj situatës së caktuar, por nënkupton atë që VV! nuk do të bëjë, dhe ata që VV! do ta ndryshojë. Komuna nuk mund të jetë private, por duhet të jetë e përbashkët. Kjo komunë e përbashkët, e qytetarëve, është komuna ku interesi i përgjithshëm e i përbashkët që qëndron përmbi të gjithë ne, dhe punon për të gjithë ne”, tha Ymeri, duke shtuar se komuna e VV!-s do ta nxisë e do ta mirëmbajë solidaritetin dhe barazinë mes qytetarëve./rajonipress/