VV: Privatizime që dëmtojnë ekonominë e Kosovës

Prishtinë – KEDS-i po del që nuk është shitur as për 26 milionë euro. Pas atyre 15 milionë eurove për orët digjitale, tash po dalin edhe këto 17.8 milionë të tjerë. Kësisoj, po del se për “shitjen” e KEDS-it qeveria i ka dhënë para kompanisë turke Çalik për ta privatizuar atë.
Po del që shitësi madje i ka borxh blerësit, u tha në konferencën sotme për shtyp të lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu paraqitën të dhëna për si, thanë ata, dëmtimin e interesit publik, dëmtimin e pronës publike dhe parregullsitë, që janë rezultat i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike, konkretisht të KEDS-it (ish-distribucionit të KEK-ut) dhe Telekomit të Kosovës.
Sipas VV-së, shuma prej 17.8 milionë eurove është caktuar për arsye se Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk do të mund të ndikojë në çmimin e energjisë nga 1 janari i vitit 2015. “Nuk ka asnjë justifikim apo shpresë se blerësi nuk do të kërkojë ngritjen e çmimit të energjisë. ZRrE mund të bëjë rezistencë edhe një apo dy herë të tjera, por presioni i kompanisë tek KEK-u (furnizuesi) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik shumë shpejt do të sjellë ose në ngritje të çmimit ose në mbulim të kësaj diference nga buxheti për llogari të kompanisë, thuhet në komunikatën e VV-së.
“Me faljen e KEDS-it, monopoli publik po bëhet monopol privat. Nuk ka asnjë shenjë që privatizimi i Distribucionit do të krijojë diçka ‘të re’ në kuptimin e konkurrencës dhe ‘përfitimeve’ prej saj, pra çmime më të favorshme apo përmirësim cilësie në shërbime. Në kushtet e një monopoli të tillë, ku varshmëria e Qeverisë nga Çalik-Limak është 100%, rrezikohen seriozisht investimet e pretenduara në shifrën prej 300 milionëve në këtë sektor.
Në këtë komunikatë, VV shkruan se ajo në konferencën e saj për shtyp më 17 prill publikoi fakte në lidhje me privatizuesin e PTK-së, kompaninë ACP Axos, e cila u zgjodh si fituese e 75% të aksioneve të PTK-së. Po atë ditë zyrtarë të Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thanë se do përgjigjen në këto brenga të ngritura nga Vetëvendosje, brenda 24 orëve. Dhe sot, 1 muaj më vonë, Qeveria ende s’është përgjigjur në brengat dhe pyetjet tona. Pra, kush janë blerësit e PTK-së, kush qëndron prapa ACP Axos?
VV përkujton që Gazeta Jeta në Kosovë më 29 prill 2013 publikoi një intervistë ku drejtori menaxhues i ACP Axos zbulon se mjetet për privatizimin e PTK-së vijnë nga një entitet të cilin e kontrollon ACP Axos Capital, e që quhet Axos Cayman, i cili ndodhet në ishujt Cayman, kompani kjo që ka shërbyer si vegël për investime që nga viti 2007. Ishujt Cayman janë të njohur si “parajsë” për paratë që i shmangen tatimeve dhe që fshihen nga kontrolli i shteteve mbi prejardhjen e tyre. Ky fakt e bën edhe më tronditës privatizimin e PTK-së, vlerëson VV.
Nëse kjo kompani, ashtu siç pretendon MZHE, ka menaxhuar ose mbledhur mbi 250 milionë viteve të fundit, si është e mundur që të hyrat e saj si dhe fitimi në asnjë moment të mos kalojnë disa mijëra euro? Çdo kompani serioze në botë që merret me menaxhim të mjeteve ka tarifë prej se paku 0.3% të shumës që ka nën menaxhim. Rrjedhimisht, nëse ACP Axos ka menaxhuar me 250 milionë, atëherë te hyrat e saj do të duhej të ishin se paku 7.5 milionë euro për ketë menaxhim, por në rastin e ACP Axos kjo shumë është mijëra euro.
Pra, nuk dihet prej nga vijnë paratë për blerjen e PTK-së, s’dihet kush qëndron prapa ACP Axos, dhe pretendimet se ACP Axos ka menaxhuar mbi 250 milionë euro nuk qëndrojnë, thotë VV.
Asgjë e re e mirë nuk i ndodh as ekonomisë as financave. Sado që të rritet fitimi në Telekom, ai nuk i shkon buxhetit të shtetit por AXOS dhe Najafit, buxheti merr veç ato që dalin në formën e taksave, tatimeve, etj. Në Maqedoni, pronari i Telekomit, që është “Matavi” i Hungarisë e ku aksionar kryesor i tij është Deutsche Telekom, i shmangej pagesës së dividendit dhe tatimit mbi fitimin, duke angazhuar “konsulentë” të shtrenjtë nga vende të tjera e ku pronar i tyre përsëri ishte Matav ose Deutsche Telekom. E njëjta do ta përcjellë edhe Telekomin tonë. Aq pak aksione që ka mbajtur për vete shteti nëpërmjet qeverisë nuk sigurojnë se zhvillimi teknologjik, kompania me menaxhim cilësor etj., rritja pra e fitimit do të sjellin ndonjë të mirë të përgjithshme për qytetarët, vlerëson Vetëvendosje.
Si shembull të dështimit, kjo lëvizje përmend edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pas dhënies me koncesion kompanisë Limak, ku nuk ka shërbime më të mira dhe janë zvogëluar të hyrat në buxhetin e Kosovës. 40 për qind e fitimit të deklaruar tash bëjnë 2 milionë euro në vit, ndërkaq para koncesionit e fitonim vlerën disa herë më të lartë që derdhej në buxhetin e shtetit, përfundon Vetëvendosje.(koha)