RCCOLA

VV: Pogragja e sheh nevojën urgjente për ndryshime

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Me qeverisjen e VV-s dukuritë si: korrupsioni, nepotizmi, zvarritja e shërbimeve, shpenzimet e luksit, darkat e drekat, blerja e veturave për çdo vit, udhëtimet e panevojshme zyrtare e shumë të tjera, do të humbin betejën me parimet udhëheqëse të Lëvizjes VV! Ka thënë Ismajl Kurteshi.

Kandidati për kryetar komune nga Lëvizja VV! Ismajl Kurteshi, në takimin me banorët e fshatit Pogragjë, ka thënë se gjatë muajit shtator, ne kemi pasur shumë takime mobilizuese, dhe takimi në Pogragjën është i të njëjtit karakter.

Ne sot do t’iu njoftojmë rreth orientimeve tona kryesore për qeverisjen lokale, në të cilat do të orientohet edhe qeverisja jonë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. “Ndryshimet për të cilat ka nevojë komuna e jonë dhe e juaja, do të vijnë vetëm nga Alternativa Qeverisëse Lokale e Lëvizjes VVE! dhe zëri juaj më i fortë në organet komunale e kuvend komunal do të jenë asambleistët e Lëvizjes VV!”- është shprehur Kurteshi.

Arsyet për të votuar Lëvizjen VV! janë të shumta, duke filluar nga të famshmit drunjë dekorativ për të cilët nga vetë zyrtarët komunalë janë dhënë përgjigje të ndryshme mbi çmimin e tyre e deri te neglizhenca për zvarritjen e shumë projekteve të cilat akoma kanë mbetur përgjysmë.

Me qeverisjen e VV-s dukuritë si: korrupsioni, nepotizmi, zvarritja e shërbimeve, shpenzimet e luksit, darkat e drekat, blerja e veturave për çdo vit, udhëtimet e panevojshme zyrtare e shumë të tjera, do të humbin betejën me parimet udhëheqëse të Lëvizjes VV!

Ne nuk premtojmë hapjen e vendeve të reja të punës nga vetë komuna dhe në organet e saj, pasi që një gjë e tillë nuk është e mundshme, por ne zotohemi që si subjekt qeverisës, do të ndihmojmë dhe do të përkrahim ato kompani e investitorë që dëshirojnë të investojnë në komunën e Gjilanit. “Të jesh në pushtet nuk është privilegj, por është obligim dhe sakrificë ndaj qytetarëve”- ka shtuar Kurteshi.

Disa prej parakushteve elementare dhe bazike për jetë si: uji i pijshëm, arsimi e shëndetësia, nga qeverisja aktuale janë lënë pas dore, e me të edhe mirëqenia e qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Mobi Casa

Krenare Latifi-Kqiku, kandidate për asamblenë komunale nga Lëvizja VV!, që vjen nga fshati Porgragjë, ka treguar për disa nga problemet me të cilat përballen banorët e fshatit Pogragjë, si: rugicat e paasfaltuara, gjendja jo e mirë e shkollës e cila ka nevojë për gëlqerosje, inventar të ri, parqet etj.

“Unë jam bijë e këtij fshati, ju jeni bashkëfshatarët e familjarët e mi. Unë dhe ju e dimë saktë se çfarë e brengosë Pogragjën dhe Gjilanin. Prandaj, vetëm ne që e dimë brengën, mund edhe ta zgjidhim atë, sepse përveç që e kemi empatinë, ne e kemi edhe vullnetin” – u shpreh kandidatja Kqiku.

Fazli Behluli, kandidati tjetër për asamblenë e Gjilanit, që ka prejardhje nga fshati Pogragjë, ka shtuar se nëse Pogragja dëshiron ndryshime, unë iu bëj thirrje që ta përkrahni Lëvizjen VV! e në këtë mënyrë ne të sjellim ndryshimet e nevojshme.

“Alternativa jonë qeverisëse për Gjilanin, ka një përmbajtje mjaft të mirë e të gjithanshme, e që siguron një qeverisje fillimisht të ndershme, profesionale e të përkushtuar”- ka shtuar Fazliu.

Gjatë këtij takimi kishte edhe debat mes pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të Lëvizjes VV! Nga banorët e Pogragjës u përkujtuan disa nga momentet më të rëndësishme të Lëvizjes, po edhe duke shprehur keqardhjen e tyre mbi ato se çfarë dhune e padrejtësi janë ushtruar mbi aktivistët e anëtarët e Lëvizjes VV!

Më pas debati ka vazhduar edhe mbi parimet dhe shtyllat e qeverisjes së Lëvizjes VV duke bërë kështu që pogragjasit, të bien në ujdi mbi ato parime e kështu edhe me konceptin për qeverisje të komunës së Gjilanit./rajonipress/