VV po shpalos programin në çdo lagje

/ 14 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ismajl Kurteshi bashkë me drejtuesit e Lëvizjes VV!, aktivistët dhe asambleistët e ardhshëm komunalë, kanë bërë takime të shumta dhe mjaft të dendura. Është prezantuar programi në shumë lagje dhe fshatra të qytetit.

Kurteshi është ndalur në Livoçin e ulët, ku është mirëpritur nga shumë banorë të fshatit. Ka prezantuar programin për qeverisjen e mirë, të ndershme dhe profesionale që do të realizohet në komunë. “Po e shpalojmë programin që bazohet në nevojat tuaja dhe në mundësitë tona. Do të jetë krejt ndryshe në qeverisjen tonë. Hajnia nuk do të jetë vlerë sikur e ka instaluar gabimisht dhe rrezikshëm ky pushtet. Hajnia universalisht është dukuri e shëmtuar dhe e papranueshme kategorikisht. Në qeverisjen tonë, kjo do t’i takojë të kaluarës dhe hajnat do të ndëshkohen” – ka thënë kandidati Kurteshi.

Shaban Ramadani, si kryetar i pikës dhe kandidat për këshilltar komunal, ka treguar se si Livoçi e ka fituar në të kaluarën betejën dhe do ta fitojë bindshëm përkrahjen masive të banorëve. “Absolutisht ndryshimi do të vjen nga ky fshat. Të gjithë e mbajmë në mend se si kemi dalur aq triumfues në zgjedhjet e fundit në Livoçin tonë, prandaj, s’ka asnjë dyshim se përkrahja vetëm është rritur dhe ndryshimi për komunën ka filluar që moti nga Livoçi i ulët dhe do të shihni këtë përkrahje edhe në shifra statistikore mjaft të dëshirueshme pas 3 nëntorit” – ka thënë kandidati Ramadani.

Takimi në Llashticë

Është vazhduar agjenda e prezantimit të programit qeverisës lokal në fshatin Llashticë. Në këtë fshat, Kurteshi i ka thënë banorëve se kupton problemin e ujërave të zeza në këtë fshat, mungesën e trotuareve dhe shumë vështirësi të tjera. Ai ka thënë se është krenar me tumat ilire si trashëgimi kulturore dhe do të përpiqemi që Llashtica të jetë edhe një fshat me investime më të mëdha në trashëgiminë kulturore. “Përveç zhvillimit të bujqësisë, ky fshat meriton trajtim më të mirë për trashëgiminë kulturore, sepse Llashtica ka një histori të ndritshme të antikitetit” – ka thënë Kurteshi.

Ndërsa kandidati për asamblenë komunale nga ky fshat është Ramiz Murseli, i cili është edhe bashkëautor i njohur i monografisë mbi fshatin Llashticë.

Takimi në Miresh

Drejtuesit e Lëvizjes VV! kanë bërë takime edhe në fshatin Miresh, ku ishte pjesëmarrës edhe lideri i Lëvizjes, Albin Kurti.
Kurti u ka thënë banorëve të fshatit se Kosova është në gjendje të rëndë ekonomike, sociale dhe politike, prandaj duhet domosdoshmërisht të mobilizohen për të ardhur ndryshimi nga komuna në nivelin republikan. “Ta ndryshojmë komunën dhe vitin tjetër ta heqim qafe këtë qeveri të korruptuar, kriminale dhe që bën pazare me Serbinë. E keni një kandidat si Kurteshi, me tipare të vendosmërisë, guximit, drejtësisë dhe të njeriut të pakompromis në ruajtjen e interesit publik, prandaj përkrahne fuqishëm” – ka thënë Kurti.

Ndërsa pasi ka prezantuar programin qeverisës lokal, kandidati Kurteshi u ka kërkuar pjesëmarrësve në fshatin Miresh se, të gjithë pa dallime, duhet t’i përkrahin aktivisht ndryshimet. “Mbështesni ndryshimet sepse kemi komunën duke degraduar në të gjitha fushat. Secila përkrahje për Lëvizjen, është krah pune për komunën tonë. Të gjithë të punojmë, sepse ndryshimet janë afër, por t’i përkthejmë edhe në vota për Lëvizjen, për ta qeverisur dhe për të dhënë shembull edhe për komunat e tjera” – ka thënë Kurteshi.

Pas fjalës së kandidatit për kryetar të komunës së Gjilanit, Kurteshit, fjalën e ka marrë Sadat Salihu, kandidat për asamblenë komunale.
“Mireshi është mjaft i organizuar dhe ne nuk do ta lëshojmë në asnjë mënyrë rastin që të rreshtohemi kah e drejta. Prandaj, s’kemi asnjë dyshim se të gjithë ju bashkëfshatarët e mi, do të dilni në ditën e zgjedhjeve dhe të mbështesni kandidatin për kryetar komune, për ta fituar ekzekutivin, por edhe për asambleistët tanë, për ta fituar asamblenë komunale. Ju të gjithë na njihni dhe ju e dini më së miri se sa me rëndësi është që kësaj radhe ta largojmë këtë pushtet të korruptuar” – ka thënë asambleisti i ardhshëm, Salihu.

Takimi në Lladovë

Më pas, drejtuesit e Lëvizjes, kanë vazhduar me dhjetëra takime nëpër oda, për t’u organizuar për ditën e zgjedhjeve dhe për të shpaluar programin te secili vendbanim. Një prej odave të radhës ishte në fshatin Lladovë.

Nënkryetari Avni Rudaku, bashkë me Fehmi Mahmutin, veprimtarin e njohur të skenës politike në Gjilan, dhe Fehmi Sylejmanin, mësimdhënësin dhe ish gazetarin, kanë shpaluar programin qeverisës lokal në Lladovë.
“Kemi një program që e kemi publikuar për të gjithë ju që ta lexoni detajisht në faqen e kandidatit për kryetar të komunës, Ismajl Kurteshit. Të vetmit ne, përjashtuar aty-këtu ndonjë copëz programi, të tjerët po improvizojnë. Ata thonë bazuar në programin tonë, ndërsa nuk kanë asgjë të strukturuar dhe të përmbledhur, që qytetarët ta lexojnë dhe të shohin se çfarë ofron. Pra, ne jemi të përgatitur me program dhe vizion, prandaj tash është radha edhe e juaj që të angazhoheni për jetësimin e këtij programi” – ka thënë Rudaku.

Fehmi Mahmuti u ka rrëfyer mbi arsyet se pse duhet të angazhohen të gjithë pa dallime, në Lëvizjen VV!
“Ndryshimet nuk mund të vijnë nga ata që kanë mëkate të së kaluarës dhe gjëma e mëkateve të të cilëve akoma shihet dhe kemi pasoja nga to edhe sot. Ndryshimet nuk vijnë as nga Lufti Haziri, as nga Qemajl Mustafa, por vijnë vetëm nga Ismajl Kurteshi, i cili ka guximin, drejtësinë dhe është sprovuar në të kaluarën dhe s’ka ansnjë njollë. Të tjerët devijuan kur u sprovuan, ndërsa Kurteshi mbeti ashtu siç ishte në fillim, i sinqertë, i drejtë dhe i guximshëm” – ka thënë veprimtari Mahmuti, bashkëvendas me banorët e Lladovës.

Fehmi Sylejmani, njëherazi kandidat për asamblenë komunale, ka thënë se Lëvizja në programin e saj qeverisës lokal, arsimit do t’i kushtojë shumë rëndësi. “Arsimi do të jetë prioritar. Do ta përmirësojmë dukshëm cilësinë në arsim, nga tri ndërrime do të kalojmë në dy ndërrime të mësimit shkollor, nga 30 minuta të orës mësimore do të kalojmë në orë më të gjatë. Do të rrisim disiplinën në punë dhe do të krijojmë politika që përmirësojnë sensin e përgjegjësisë dhe të motivacionit për punë” – ka thënë Sylejmani.

Në lagjen “Arbëria”

Nevzad Isufi bashkë me drejtuesit e Lëvizjes, kanë vazhduar shpalimin e programit në lagjen “Arbëria”, ku janë takuar me banorët e kësaj lagjeje. “Në këtë lagje kemi aq shumë mbështetje, sakaq nuk kemi asnjë dyshim në të. Vetëm në këtë kohë duhet të prezantoni sa më shumë programin tonë qeverisës lokal dhe të tregoni te qytetarët se çfarë ofrojmë ne realisht. Përndryshe të gjithë qytetarët na njohin, e dinë se jemi të sinqertë, të drejtë, të guximshëm dhe të pakorruptuar, prandaj duhet të mos ju vjen asnjë hezitim ta kërkoni votën, sepse ne nuk kemi hipotekë, siç po e themi shpesh këtë fjali” – ka thënë Isufi.

Mobi Casa

Kandidati për asamblenë komunale, Ardian Azemi dhe Alban Hyseni, që vijnë nga kjo lagje, kanë falënderuar pjesëmarrësit në ndejën e mobilizimit elektoral, të organizuar nga pika e VV!-s në këtë lagje.

Ardian Azemi ka thënë se ora e ndryshimeve po troket. “Nga dita e hapjes së zyres sonë edhe në këtë lagje, janë shtuar shumë anëtarë dhe i kemi dërguar të gjitha fletëanëtarësimet në qendër në Gjilan. Kemi shumë kontakte me njerëz, shumë të interesuar dhe vullneti i kësaj lagjeje shihet nga larg. Ju mjafton të frekuentoni zyren tone dhe të shihni interesimin e shtuar të anëtarëve të rinj. Sidoqoftë, puna nuk duhet të ndalet edhe atëherë kur ora e ndryshimeve troket, sepse këta të tjerët, akrepat i kthejnë mbrapa me paret e buxhetit të taksapaguesve dhe këta organizohen sidomos në muajin e fushatës. Vetëm shihni sa shumë mbushen restorantet në kohë fushate dhe se si tryezat e tavolinat e tyre mbushen me dreka e darka, e nuk u mjaftojnë vetëm pije” – ka thënë asambleisti i ardhshëm Azemi.

Alban Hyseni, kandidat për asamblenë komunale, ka besimin e plotë se ndryshimet po vijnë dhe se qytetarët e kanë gjetur te Lëvizja, edhe shpresën, edhe dashurinë mbi komunën, edhe njerëzit e drejtë. “Te ne ka mbetur shpresa për ndryshime dhe e vetmja rrugë e ndryshimeve të mëdha. Ne kemi qenë opozitë e fuqishme në komunë, nuk ka çështje që nuk e kemi adresuar në të kaluarën për problemet e qytetarëve, por këta po bëjnë çmos, po shpenzojnë paratë publike, xhipat zyrtarë, vetëm të mos humbin pushtetin. Por kësaj radhe, do të vetëmashtrohen rëndë, sepse qytetari sot do të hakmerret me votën e tij, për ta ndëshkuar keqqeverisjen për dy mandatet e PDK-së”- ka thënë kandidati Hyseni.

Në lagjen “Dardania”

Shpalimi i programit qeverisës lokal ka vazhduar edhe në odat e organizuara në lagjen “Dardania”.
Agron Shurdhani, njëherazi kandidat për asamblenë komunale dhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes në Gjilan, ka treguar për masivizimin e përkrahjes së Lëvizjes në Gjilan, ngase siç tha ai, për çdo ditë në kontakt me qytetarët e të gjitha anëve, sepse udhëheq edhe “Departamentin e terrenit” në organizimin e të gjitha pikave të Lëvizjes.
“Jemi shumë të fuqishëm. Jemi forcuar mjaft shumë në fshatra. Në qytet, e dimë të gjithë që kemi qenë gjithmonë shumë të fortë, por na është dashur më shumë kontakt edhe me banorët e fshatrave të komunës. Prandaj, tani fitorja është e sigurt, sepse jemi rritur shumë edhe në fshatra dhe tani më s’ka asnjë dyshim për fitoren e sigurt të Lëvizjes. Kah po shkojmë, nuk po skuqemi në fytyrë. Askush nuk na sulmon me fjalë dhe të na fyen. Ndihemi krenarë që kemi një kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, i vendosur, i guximshëm dhe i drejtë” – ka thënë kandidati Shurdhani.

Ndërsa Nexhmedin Bislimi, kandidat për asamblenë komunale, ka prezantuar programin qeverisës lokal, duke u nisur edhe nga vetë profesioni i tij i ekonomistit. “Pa ekonomi nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër të gjithëmbarshëm. Dhe nëse këtë ekonomi që është çelësi kryesor i zgjidhjes së problemeve, nuk e drejtojnë njerëzit që kanë vullnet të mirë, dije, profesionalizëm dhe ndershmëri, e drejtojnë vetëm kah zhvillimi i xhepit të tyre personal. Prandaj, është shumë me rëndësi që në programin tonë qeverisës lokal, jo vetëm që të jetë ekonomia prioritet, por përtej kësaj: ne do ta drejtojmë ekonominë duke u bazuar në drejtësi, profesionalizëm dhe përkushtim” – ka thënë kandidati Bislimi.

Takimi në Zhegër

Avni Rudaku bashkë me Fehmi Sylejmanin, kandidatë për asamblenë komunale kanë vazhduar takimin prezantues të programit qeverisës lokal në një lokal të fshatit Zhegër, ku është folur edhe për tubimin e madh që do të organizohet në këtë fshat dhe për tubimin përmbyllës zgjedhor të 31-tetorit në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan.
“Votuesi i Lëvizjes VV! është votues i cili është më i heshtur dhe fjalën e tij do ta thotë më 3 nëntor, mirëpo, ne duhet të ftojmë ta thonë fjalën e tyre edhe me pjesëmarrjen masive në palestër dhe në tubimin që do të jetë në fshatin tuaj. Është mirë ta dëgjojmë fjalën e këtij votuesi të heshtur, edhe me pjesëmarrjen e tij fizike, sepse e dimë që votuesi jonë nuk është brohoritës dhe nuk i bie daulles. E përsëris, votuesi ynë po rrinë më i heshtur, sepse ka për të thënë fjalën më 3 nëntor, por kontaktoni me të, që të lëshojë zë edhe para 3 nëntorit” – ka thënë Rudaku.

Ndërsa Fehmi Sylejmani, ka folur për krenarinë e sportit të hendbollit të zhegrasve dhe kushtet e rënda për klubet sportive në komunë. “Në programin tonë qeverisës lokal, sporti zë vend jashtëzakonisht të veçantë. Ju e keni të zhvilluar hendbollin dhe shumë sporte të tjera, por fatkeqësisht u mungon edhe salla e sporteve në Zhegër dhe keni nevojë për investime qoftë në sport, qoftë në infrastrukturë” – ka thënë asambleisti i ardhshëm Sylejmani.
Xhelal Hajrullahu, kandidat për asamblenë komunale nga fshati Zhegër, ka thënë se të gjitha përgatitjen po bëhen për t’u mobilizuar në tubimin e madh të organizuar nga Lëvizja në Zhegër dhe në palestrën e sporteve në “Bashkim Selishta”.

“Thirrni njerëzit që të në bashkëngjiten në takimet që po mbajmë. E kemi parasysh se shume prej tyre do të na votojnë, por duhet të mobilizohemi që të jemi edhe fizikisht, në mënyrë që të bëhen bashkë energjitë tona dhe aroma e ndryshimeve të ndjehet edhe para 3 nëntorit në mënyrë masive. E kuptoj që njerëzit po na thonë hajt se votën e keni, por ne jemi të interesuar që të jemi bashkërisht të gjithë, pa dallim, edhe para fitores zyrtare, të mbledhur tok” – ka thënë Hajrullahu.

Takimi në Livoq të Epërm

Në Livoçin e Epërm, takimin e hapi nikoqiri i takimit Migjen Fazliu, i cili është edhe kandidat i ardhshëm për asamblenë komunale. Fazliu ka theksuar se ndryshimet në Gjilan do të ndodhin dhe do të kemi rastin t’i shohim, por ky pushtet aq keq ka keqqeverisur, sakaq do të kemi një sfidë të jashtëzakonshme me grumbullimin e shumë problemeve në komunë. “Ajo çka na dallon neve prej tjerëve është puna jonë e ndershme dhe përkushtimi maksimal në kryerjen e detyrave. Do ta ndërrojmë rrënjësisht mënyrën se si është udhëhequr në këto vite me komunën. Ndryshimet do të vërehen qysh në muajin e parë të qeverisjes sonë” – ka thënë Fazliu.

Takimi në Malishevë

Prezantimi i programit është bërë edhe në Malishevë. Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se Malisheva është e njohur për produktet blegtorale dhe do ta mbështesim atë me politikat tona komunale. “Malisheva njihet historikisht për produktet blegtorale dhe bujqësinë, prandaj kjo do të mbështetet me të gjitha forcat tona. Qeverisja jonë do të thotë pa diskriminim politik për asnjë vendbanim, por as edhe privilegje. Prandaj, ne qeverisim drejtë, ndershëm, profesionalisht dhe kjo do të jetë kështu gjithmonë në qeverisjen tonë” – ka thënë Kurteshi.

Besim Shabani, kandidat për asamblenë komunale, është fokusuar në zhvillimin ekonomik. “Ekonomia duhet të zhvillohet bazuar në produktet që mund t’i prodhojmë vetë, t’i mbështesim prodhuesit vendorë dhe të përkrahim bizneset që hapin vende të reja të punës. Duhet të kemi zhvillim ekonomik dhe paraja të orientohet në investime, e jo në shpenzime” – ka thënë Shabani.

Në këto takime kanë marrë pjesë shumë pjesëmarrës dhe pyetjet kryesisht janë orientuar në detajet e programit qeverisës lokal dhe është shprehur nevoja e domosdoshme e ndërrimeve të mëdha të 3 nëntorit thuhet në njoftimet e VV në Gjilan./rajonipress/