VV: “Ne do ta mbrojmë votën, tash kemi komisionerë kudo!”

Gjilan – Lëvizja VV filloi aktivitetin e brendshëm “Ne do ta mbrojmë votën”, me ç’rast organizoi takimin e parë mobilizues dhe frymëzues me komisionerë të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ku u diskutua për rëndësinë e mbrojtjes së votës nga komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje! në zgjedhjet e 3 Nëntorit. Në këtë takim ka folur kandidati për kryetar të Gjilanit, Ismajl Kurteshi, nënkryetari i parë, Nevzad Isufi dhe Sekretari Organizativ në qendër, Dardan Molliqaj.
Ismajl Kurteshi, foli për ndryshimet e nevojshme në Gjilan e Kosovë, si dhe për nevojën e angazhimit të secilit në mënyrë që këto ndryshime të ndodhin sa më shpejt, si kundër që kërkoi me këmbëngulje të ruhet dhe mbrohet vota raporton rajonipress.
“Qytetarët e Gjilanit masovikisht do të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe këtu dilema nuk ka, por lypset angazhim dhe punë për të mbrojtur votën në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi angazhuar njerëz më të devotshëm për të ruajtur votën dhe më besnik”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se në ditët në vijim duhet të përgatitemi edhe më shumë në mbrojtjen e votës, pavarësisht se vullneti, dëshira dhe entuziazmi për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje! çdo ditë e më shumë po rritet.
Kurteshi duke sqaruar dhe kërkuar mbrojtjen e votave ka pohuar se çdo votë që humb nuk është humbje vetëm për një person, por është humbje edhe për subjektin tonë, për qytetarët e Gjilanit dhe humbje e shancës për ndryshime të mëdha të qeverisjes lokale.
“Ju duhet të jeni shumë vigjilentë dhe syhapur gjatë punës suaj të 3 nëntorit dhe duhet ta keni gjithmonë në mendje se komisionerët thuajse e kurorëzojnë rezultatin zgjedhor, sepse sado që do të kemi vota, nëse nuk e ruajmë atë, ajo avullohet siç është avulluar në zgjedhjet e vitit 2010. Prandaj, ne tashmë kemi përvojë dhe kemi mundësinë ta mbrojmë votën, sepse në këto zgjedhje do të kemi të drejtën ligjore që të kemi në secilin vendvotim komisionerë”, ka theksuar Kurteshi, që sipas tij, me fitoren e Lëvizjes së Vetëvendosje!, qeverisja në Gjilan do të jetë qeverisje e ndershme, profesionale dhe efikase.
Ndërkaq Nevzat Isufi, nënkryetar i parë i Lëvizjes së Vetëvendosjes!, ka theksuar se dy çështje kryesore janë për zgjedhjet e 3 nëntorit: mbrojtja e votës dhe njohja e procedurave të votimit.
Ndërkaq, Dardan Molliqaj, tha se ne do ta mbrojmë votën dhe kjo ka dy qëllime.”E para është vetëdijesimi i secilit qytetar për ta mbrojtur votën si dhe për të lansuar një mesazh për të gjitha partitë tjera rivale, të cilat planifikojnë për të vjedhur vota, se ne po përgatitemi për të mbrojtur votën dhe nuk frikësohemi nga askush për të mbrojtur votën e çdo qytetari, sepse ajo votë e vjedhur nuk është vjedhje e vetëm një subjekti, por është vjedhje e ardhmërisë së Kosovës”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj tha para komisionerëve se ju jo vetëm që do ta mbroni votën, por do ta mbroni edhe fitoren e sigurt të Lëvizjes Vetëvendosje!, prandaj për këtë keni përgjegjësi më të madhe, por keni edhe privilegj. Lëvizja Vetëvendosje ! mbrojtjen e votës e ka faktuar dhe ky veprim i jonë tashmë ka marrë përkrahje të madhe nga shoqëria civile, mediet si kundër edhe nga faktori ndërkombëtar”, ka potencuar Molliqaj.
Komisionerët të gjithë pa dallim, kanë shprehur rëndësinë e mbrojtjes së votës, guximin për ta mbrojtur atë dhe vendosmërinë që do ta kenë gjatë gjithë orëve në vendvotime, për t’u realizuar zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike./rajonipress/