Mobi Casa

VV: Mireshi i pakënaqur me investimet komunale

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Pika në Miresh nga Lëvizja VV ndërmori një aksion informues për banorët e fshatit Miresh, duke vënë disa pamfleta rreth pakënaqësisë ndaj investimeve komunale, ngase ishte premtuar shumë për këtë fshat nga qeverisja lokale e Qemajl Mustafës, por premtimet nuk u realizuan as në mandatin e dytë të tij.

“Kjo tregon neglizhencën e komunës karshi banorëve të këtij fshati. Investimet e bëra kryesisht nëpër fshatjanë falë angazhimit të mërgimtarëve tanë nga diaspora, gjegjësisht nga shoqata e këtij fshati në diasporë “17 SHKURTI”, të cilët vazhdimisht investuan në Miresh dhe ende po vazhdojnë me investimet e tyre.

Banorët e fshatit, por edhe ne si subjekt politik u jemi gjithmonë mirënjohës diasporës së Mireshit, të cilët po japin kontributin e tyre të fuqishëm, për investimet në rregullimin dhe rinovimin e infrastrukturës së fshatit tonë. “Në fshatin Miresh njëri ndër investimet e bëra është asfaltimi i cili është shtruar në 50% të fshatit, pra nga ky investim nuk janë përfshirë të gjithë banorët e fshatit Miresh, pra kjo qeverisje ka vazhduar ta diskriminojë fshatin në baza partiake” – ka thënë Sadat Salihu, kryetar i pikës së Mireshit dhe njëherazi kandidat për këshilltar komunal në radhët e Lëvizjes VV në Gjilan.

RCCOLA

Tjetër investim shumë i rëndësishëm në fshatin Miresh është edhe investimi i ujësjellësit i cili ka vlerën totale 210.000 euro, ku rreth 65.000 euro janë kontribut i banorëve të fshatit Miresh, ndërsa pjesa tjetër është siguruar nga Austrian Group dhe CDI. “Ky ujësjellës nga përurimi e deri më tash nuk është funksional plotësisht, ku nga viti 2010-2012 nuk kishte fare ujë, ndërsa tash ai është me shumë defekte të cilat po përcillen në furnizimin me ujë, si p.sh., një orë me të, e një muaj pa të.

Nga një hulumtim i bërë në fshatin Miresh del se 52.2% nuk janë aspak të kënaqur me ujësjellës, 60.9% nuk e konsumojnë ujin prej tij, 95.7% furnizohen nga puset dhe 4.3% nga baja e Mireshit” – ka shtuar Salihu, duke treguar edhe për investimin tjetër, i cili u premtua dhe nuk u realizua, siç është ura e cila i lidhë fshatrat Miresh-Pogragjë-Stublinë. Kjo urë është afër shkatërrimit total dhe shumë e rrezikshme për t’u kaluar, sepse çdo banor i këtyre fshatrave bartë rrezik më vete.

Sipas banorëve të Mireshit, komuna e Gjilanit e ka anashkaluar fshatin Miresh qoftë në infrastrukturë, qoftë në shërbimet e tjera publike dhe ky fshat vizitohet nga kryetari aktual i komunës vetëm në prag të zgjedhjeve elektorale thuhet në një komunikatë të degës së VV në Gjilan./rajonipress/