VV mbanë takime në Kmetoc dhe Miresh

Gjilan – Kandidati për kryetar komune, Ismajl Kurteshi, bashkë me nënkryetarin Nevzad Isufin, duke u shoqëruar me kandidatin për këshilltar komunal, Nebi Latifi, si përfaqësues nga ky fshat, kanë bashkëbiseduar me banorët e Kmetocit për shumë çështje politike, shoqërore dhe ekonomike.
Me këtë rast, në të njëjtën kohë u themelua edhe pika e Lëvizjes VV! në këtë fshat dhe njëherazi u prezantua kandidati i kësaj pike, duke dhënë mesazhin e qartë se Lëvizja VV!, pavarësisht shtrirjes së saj organizative, nuk lë asnjë fshat dhe lagje pa përfaqësim.
Ismajl Kurteshi ka siguruar fshatin se Lëvizja VV! do të investojë në të gjitha fshatrat dhe lagjet e komunës, pa harruar asnjë pjesë të komunës. Ai u ka përkujtuar banorëve se ne kemi qenë opozita më e përkrahur në Gjilan, po na tjetërsuan dhe na vjedhën votat. “Në vitin 2010 na vjedhën votat, por në vitin 2013 kemi mbrojtës të votës në numër shumë të lartë dhe në secilin vendvotim. Kësaj radhe askush nuk do të mund t’i pengojë ndryshimet e mëdha, sepse do të kemi mbështetjen e secilit, ngase ndryshimet kësaj radhe shoqëria i përjeton si nevojë emergjente për shpëtimin e komunës. Tash ndryshimet vijnë prej pikës kulmore të pakënaqësisë dhe nevoja për ndryshime është e domosdoshme dhe jetike” – ka thënë Kurteshi.
Nebi Latifi, kandidat për këshilltar komunal, është shprehur i bindur se ndryshimet do të ndodhin shumë sigurt. “Synimi jonë është fitorja e ekzekutivit. Figurat politike lokale e qendrore, viteve të fundit janë bërë figura pa asnjë frymëzim e kredibilitet te qytetarët, sepse kanë harruar moralin në politikë. Pa pikë ndershmërie, kanë qeverisur komunat e vendin në përgjithësi. Prandaj, figura si Ismajl Kurteshi, jo vetëm se do ta provojmë se sa i ndershëm është në qeverisje, por po e biem përsëri në udhëheqjen komunale sepse e kemi provuar disa herë dhe ka treguar bindshëm se nuk ka shanca të korruptohet” – është shprehur Latifi.
Leonard Miftaraj duke folur në cilësinë e ekonomistit, iu është përgjigjur edhe ai disa pyetjeve bashkë me kryetarin Kurteshi dhe nënkryetarin Isufi. “Biblioteka e qytetit mbeti përgjysmë dhe kjo qeverisje në vend se të mirëpriste si duhet donacionet e jashtme, si ajo e Komisionit Evropian me 2 milion euro, ajo nuk po ndihmon donatorët për krijimin e një klime mirëbesimi me donatorët” – u shpreh Miftaraj. “Trafiku urban po vonohet për shkak të grupeve të ndryshme të interesit” – ka shtuar Miftaraj.
Edhe pika në Miresh kishte bërë të gjitha përgatitjet për takimin me banorët e këtij fshati. Kryetari Ismajl Kurteshi bashkë me Sadat Salihun, kandidatin për këshilltar komunal të fshatit gjegjës, kanë bashëbiseduar për problemet në komunë, zhvillimet aktuale politike, parapërgatitjet për procesin zgjedhor dhe për të inkorporuar problemet e Mireshit në planprogramin qeverisës lokal.
Ismajl Kurteshi ka deklaruar para pjesëmarrësve të shumtë se Lëvizja VV! do të jetë gjithmonë dhe për çdo çast në komunikim me qytetarët. “Po ju harrojnë politikanët, duke qenë me ju vetëm për t’ua marrë votën tuaj. Ju shohin vetëm si votë, ndërsa ne ju shohim si qytetarë karshi neve si shërbyes. Ju na mbani lartë dhe ju na tregoni pozitën se ku e kemi vendin. Prandaj, me daljen në zgjedhje, partitë në pushtet më së shumti i frikësohen daljes masive në zgjedhje, sepse kjo dalje masive më 3 nëntor, do të ishte dalje për ndryshime të mëdha dhe për t’i ndalur bandat që plaçkisin. Këta i ngjajnë krimit me jakë të bardhë, plot korrupsion” – u shpreh Kurteshi.
Sadat Salihu, kandidati nga pika Miresh, ka treguar kronologjikisht për aktivitetet që gjithmonë kanë mbajtur dhe nuk janë aktiv vetëm për fushata.“Ne ishim gjithmonë pranë dhe me banorët e fshatit Miresh. Kemi mbajtur konferenca dhe aksione për fshatin Miresh e komunën në përgjithësi, duke treguar për të gjitha problemet me të cilat ndeshet banori i Mireshit, por fatkeqësisht komuna nuk ka bërë asgjë edhe pasi ne kemi adresuar hallet e Mireshit” – ka thënë Salihu.
Banorët kanë pyetur pyetje të larmishme, duke filluar nga pyetjet për bizneset e vogla, tatimit të ulët të kazinove, rreth modelit të mbështetjes financiare si “17 shkurt”, ku organizohen bashkëatdhetarët për të ndihmuar vendlindjen e tyre, ndërsa komuna në vend se të ishte mirënjohëse, ajo meritat e tyre i merr si merita të qeverisjes lokale./rajonipress/