Uji Dea

“VV-LDK duhej të arrinin koalicionin pa e përfshirë postin e presidentit”

/ 5 minuta lexim

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende po vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërsa kanë kaluar dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithëse të dyja subjektet kanë arritur pajtim për programin qeverisës, ato po përballen me një ngërç për ndarjen e pushtetit.

Në fillim të javës, udhëheqësit e dy subjekteve nuk arritën pajtim dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur takime të tjera, përveç debateve në distancë ndërmjet zyrtarëve të këtyre partive.

Një pikë ndarëse ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike mbetet çështja e postit të presidentit të vendit, pasi që kjo e fundit po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe posti i presidentit të Kosovës dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Zërin e Amerikës se çështja e postit të presidentit të vendit nuk do të duhej të ishte pikë ndarëse në mes të këtyre dy subjekteve.

“Gjithsesi kjo është ajo pika që përveç debatit edhe reformës zgjedhore që do të diskutohej për presidentin tani këto dy subjekte politike bazuar në këtë koalicion qeverisës nuk është që janë koalicion i uniteti kombëtar dhe kanë votë të gjerë, këta nuk kanë votë të gjerë, kanë diku 57 vota e cila do t’ia mundësonte pa një kompromis ose marrëveshje me konsensus politik edhe me spektrin tjetër opozitar për të zgjedhur presidentin. Për këtë arsye mendoj se përcaktimi nga tash qoftë i personalitet që do të jetë qoftë i subjektit politik që do ta ketë do të jetë shumë më e vështirë për këtë koalicion dhe nuk mendoj që ajo është ajo pika e cila do ta dëmtonte besueshmërinë apo gjithë rrjedhën për ndërtimin e këtij koalicioni”, tha zoti Kryeziu.

Analisti Vigan Qorrolli thotë se rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit kanë treguar vullnetin e qytetarëve dhe se sipas tij dy subjektet duhet të ndërtojnë koalicionin qeverisës pa menduar për poste tjera.

“Posti i presidentit i ka vendosur në pozitë të pabarabartë dy palët duke kërkuar që në pranverën e vitit 2021 të negociohet një pozitë për të cilën ato paraprakisht as që kishin diskutuar dhe siç ndodh në demokracitë perëndimore, ato të mirëfillta, palët nuk pajtohen për qëllime programore por jo për qëllime postesh, tek ne ndonëse jemi demokraci e brishtë ka ndodhur e kundërta, që për poste të prishet pazari, por jo për parime”, tha zoti Qorrolli.

UBT

Analisti Ismet Kryeziu thotë se Kosova aktualisht ndodhet në cikël normal të diskutimeve për koalicion qeverisës dhe se sipas tij procesi në tërësi po shkon në hapa të sigurt.

“Është një risi dhe një cikël i ri rreth zhvillimeve të koalicionit dhe mendoj që kjo është e mirë për demokracinë dhe nuk duhet ta shohim në atë frymën e shpejtësisë. Janë disa praktika në botë dhe mendoj se edhe Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja janë duke shkuar në këto praktika të cilat janë të shëndetshme për demokracinë për dallim prej marrëveshjeve tjera që janë brenda natës apo brenda dy apo tri individëve për të udhëhequr më tutje. Kështu që mendoj se është shëndetshme për demokracinë procesi në të cilin jemi”, tha ai.

Ndërsa analisti,Vigan Qorroli thotë se koalicioni duhet të arrihet sa më shpejt pasi që qeverinë e re e presin siç thotë shumë çështje serioze, posaçërisht vazhdimi i bisedimeve me Serbinë.

“Pastaj e dimë që viti 2020 do të jetë vit zgjedhor gjithandej në vende të Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në Serbi. Për dialogun në mes dy shteteve, në mënyrë që të përfundoj njëherë e mirë dhe të jetë fillimi e fundi i tranzicionit politik por edhe shoqëror i Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha zoti Qorrolli.

Lëvizja Vetëvendosje që doli e para dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit kanë siguruar 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve joserbe.

Rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 27 nëntor dhe nga ajo ditë rrjedh afati prej 30 ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit që duhet të thirret nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.