VV: Ky është buxhet i asfaltit dhe betonit

Lëvizja Vetëvendosje duke e konsideruar se Projektbuxheti i vitit 2013 është një buxhet që nuk krijon vende të reja të punës, nuk përmirëson mirëqenien e jetës së qytetarëve dhe nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik të vendit, si i tillë nuk do të votohet nga ky subjekt opozitar. Kjo lëvizje vlerëson si të dëmshme trendin e mbushjes së buxhetit të Kosovës rreth 75 % nga të hyrat doganore.
Gjatë një konference për media, të mbajtur të mërkurën, drejtuesit e kësaj lëvizje kanë prezantuar defektet dhe mangësitë që, sipas tyre, i ka Projektbuxheti i vitit 2013.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se ky buxhet i këtij viti nuk ka dallim thelbësor me buxhetin e vitit 2012, por as me atë të vitit 2011 e të 2010.
Ymeri thotë se është e njëjta logjikë e të menduarit dhe të njëjtit sektor që do të marrin pjesën me madhe të parasë publike, pa kurrfarë planifikimi a indikacioni që këto do të ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës vazhdimisht krekoset se ka rritje të buxhetit si në të hyra ashtu edhe në shpenzime, ndërkohë, siç ka thënë Ymeri, jeta e qytetarit vazhdon degradimin, ndërsa ekonomia vendore e vazhdon lëndimin.
Deputeti Ymeri ka thënë se edhe ky buxhet si të tjerët shpenzon pjesën më të madhe të investimeve kapitale në një projekt të vetëm kapital që është autostrada.
Madje ai ka thënë se ky buxhet mund të llogaritet si buxhet i asfaltit, betonit dhe jo rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Ky është buxhet që nuk ka fare koncept zhvillimi, ky është buxhet i asfaltit e betonit e jo investimeve në sektorët prodhues. Zhvillimi i Kosovës vjen nga sektorët në prodhim nga hapja e vendeve të punës në bujqësi e industri. Rritja ekonomike dhe mirëqenia e qytetarëve varet nga investimet në arsim e shëndetësi, rritja e kapaciteteve prodhuese që shtojnë vlerë dhe nga rritja e kualifikimit të frytdhënëshmërisë së fuqisë punëtore, ky buxhet nuk e bënë as për së afërmi këtë. Ky buxhet është në funksion të interesave afat shkurtra të pushtetit e jo në funksion të interesit afatgjatë për zhvillim, për shkak se kjo qeveri nuk e di e as nuk do të ia dijë se çka është zhvillimi”, ka theksuar Ymeri.
Për më tepër, ai ka thënë se një buxhet i tillë me kaq shumë vërejtje nuk do të përkrahet nga Lëvizja Vetvëendosje.
Ndërkohë, Besnik Bislimi nga kjo lëvizje ka thënë se po vazhdon ende trendi negativ që buxheti i Kosovës rreth 75 po mbushet nga të hyrat doganore.
“Edhe më tej 75 e të hyrave tatimore do të grumbullohet në dogana. Është shqetësuese se gjatë viteve nuk ka ardhur deri të ndryshimi pozitiv i kësaj përqindje, përkundrazi ka ardhur deri te përkeqësimi e po ashtu është edhe shqetësues fakti se në materialin përcjellës ku dokumentohet apo argumentohet ky buxhet dhe draftligji thuhet se kjo politikë fiskale është harmoni me nevojat afatgjata të ekonomisë së Kosovës. Unë nuk besoj se nevojat afatgjata të ekonomisë së Kosovës kërkojnë që ne të vazhdojmë të mbështetemi në të hyrat në doganat”, ka deklaruar Bislimi.
Gjithashtu, ai ka thënë se tek pozicioni i pagave vërehet se për vitet në vijim rritja e paraparë është më të vogël se rritja e inflacionit, gjë që siç ka thënë Bislimi kjo është kundërthënëse me atë që ka deklaruar Qeveria kur ka bërë rritjen enorme të pagave në vitin 2011.
Po ashtu, Bislimi ka theksuar se në deklaratat e Qeverisë thuhet se një nga prioritet mbetet shëndetësia, ndërsa më buxhetin e 2013 parashihet që në tri vitet në vijim Qeveria parasheh një rritje për shëndetësinë që jo vetëm është më e vogël se rritja e parashikuar e produktit të brendshëm bruto, por madje është më e vogël se vet inflacioni. /kosovapress/