VV kërkon që 11 maji 1999 të shpallet dita e gjenocidit serb

Kamenicë – Arsim Thaçi këshilltar i VV ka kërkuar që 11 maji 1999 të shpallet si dita e gjenocidit okupues shtetërorë serb në Komunën e Dardanës, si përvjetor i saj dhe futja e saj si dita zyrtare e përkujtimit të gjenocidit në komunën e Kamenicës, por ky propozim nuk ka gjetur përkrahje nga Bajram Dërmaku kryesues i Asamblesë Komunale.
Në mbledhjen IV të Kuvendit të Komunës së Dardanës, të mbajtur më 30 prill 2014 në mesin e shumë pikave të rendit të ditës, anëtari i Kuvendit të Komunës së Dardanës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arsim Thaçi ka propozuar edhe një pikë që të futet në rend dite për miratim, raporton rajonipress.
Arsim Thaçi këshilltar i VV ka kërkuar që 11 maji 1999 të shpallet si dita e gjenocidit okupues shtetërorë serb në Komunën e Dardanës, si përvjetor i saj dhe futja e saj si dita zyrtare e përkujtimit të gjenocidit në komunën e Kamenicës, por nuk ka gjetur përkrahje nga Bajram Dërmaku kryesues i Asamblesë Komunale.
Sipas Thaçit i cili edhe ka bërë një reagim publik kryesuesi i Kuvendit të Komunës Bajram Dërmaku ka tentuar që mos të futej kjo pikë në rend dite, bile sipas tij ka insistuar që as të mos diskutohej për të fare, derisa në këtë pikë gjeti mbështetje në njëfarë mase edhe nga kryetari i komunës Begzad Sinani, por, pas insistimit të delegatëve të opozitës, por edhe të disa delegatë prej pozitës dhe këmbënguljes së delegatit të LVV-së dhe delegatëve të LDK-së ai pranoi dhe kjo kërkesë hyri dhe u votua nga delegatët e Kuvendit të Komunës në rendin e ditës për mbledhje.
“Kur erdhi radha e diskutimit për këtë pikë, pasi që mbaruan diskutimet, kryesuesi përsëri shkeli procedurat dhe nuk e hodhi në votim duke u arsyetuar se s`ka mundësi që kjo ditë të hyjë në kalendarin e shënimit të festave zyrtare të komunës sonë, por vetëm deklaroi që këtë vit, pra, sivjet të shënohet kjo ditë nga institucionet komunale dhe asgjë më tepër, bile duke mos lejuar që më tepër me diskutue për këtë pikë dhe e mbylli diskutimin krejt në mënyrë imponuese! Pra, duke vepruar kështu kryesuesi shkeli rregulloren e punës së kuvendit dhe parimin bazë të demokracisë atë të votimit të delegatëve për çështje të caktuara në kuvend” ka shkruar Thaçi.
Këto veprime të kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Dardanës, Bajram Dërmakut, Lëvizja Vetëvendosje!, i cilëson si veprime tendencioze, autoritare dhe antidemokratike.
“Lëvizja Vetëvendosje!, konstaton që ky kryesues me veprimet e tija tendencioze ka shkelur edhe disa here rregulloren e punës së kuvendit dhe ligjin për vetëqeverisje lokale gjatë punës në kuvend. Ftojmë organet kompetente (MAPL-në) që e mbikëqyrin punën e këtij Kuvendi që të ndërhyjnë e t’i ndalin veprimet autoritare të kryesuesit dhe t’a disiplinojnë atë, në mënyrë që mos të vije deri te rrezikimi i funksionimit të praktikës demokratike dhe ligjore në këtë kuvend” ka thënë Thaçi.
Në arsyetimin e Thaçit për të shpallur 11 majin 1999 si ditë të gjenocidit serb thuhet: Për të mos u harruar kujtesa kolektive e një populli i sulmuar për t’u zhdukur, për të nderuar dhe respektuar dëshmorët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vrarët e luftës së viteve 1998-1999, të dhunuarit e kësaj lufte, të burgosurit, të rrahurit dhe të persekutuarit e kësaj lufte të të gjitha formave si dhe të vrarëve, të rrahurve, të dhunuarve, të burgosurve e të persekutuarëve të 11 majit 1999 në komunën tonë, ne ju propozojmë organeve komunale të lartpërmendura që t’a miratojnë këtë kërkesë të drejtë dhe t’a procedojnë për në kuvend, ngase është domosdoshmëri e kohës. Konsiderojmë që për të respektuar të kaluarën tonë nga lufta e viteve 1998-1999 komuna e jonë është duhur t’a shënojë moti kohë këtë kujtesë në formën institucionale ndaj vetvetes, qytetarëve të saj të gjallë dhe të vdekur dhe historisë në mënyrë që mos t’na mallkojë ajo!
Populli i cili e përkujton të kaluarën e tij, respekton vetveten dhe ndërton të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme në liri ka shkruar Thaçi. /rajonipress/