VV flet për shumë shkelje në arsim
Gjilan – Fehmi Sylejmani, këshilltar në Asamblenë Komunale të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë shtypi këtë të premte ka folur për shumë shkelje që sipas tij po ndodhin në arsimin gjilanas. Ai ka thënë se zgjedhja e drejtorëve u bë pa u respektuar procedurat e konkursit, kurse komisionet intervistuese rëndom janë partiake. Sylejmani ka folur edhe për punësime me kontrata në vepër, disa prej të cilëve janë të pakualifikuar, pastaj po vazhdon mbajtja e kurseve private edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.
“Një defekt mjaft i madh në arsimin e Gjilanit është numri i madh i mungesave nëpër disa shkolla, po mungojnë nxënësit e mësimdhënësit”, ka thënë Fehmi Sylejmani, që ka kërkuar që të ndërmerren masa. Sipas tij, në shkolla janë raportuar se janë 40 nxënës analfabet, kurse shumë të tjerë nuk janë raportuar.
Remzi Baliu, nënkryetar i komitetit për arsim në VV, ka thënë se drejtorët e shkollave vetëm po sorollaten nëpër zyra të drejtorisë dhe vetëm po qesin nënshkrime, kurse kurrfarë përgjegjësie nuk kanë. Ai tha se shumë shkolla kanë ngelur pa material hargjues shkaku i vonimit të tenderit, kurse pati dallavere edhe me pagesën e lëndëve djegëse, si në çmim, ashtu edhe në sasi, andaj ka kërkuar që drejtorët e shkollave të jenë më vigjilentë./rajonipress/


