UBT

VV: Dy muaj pas zgjedhjes së kryetarit, komuna pa drejtorë të drejtorive

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Pas largimit të një qeverisjeje të keqe, Gjilani me padurim priste fillimin e punës së qeverisë së re të komunës, e cila ka shumë punë për të bërë. Por, kaluan dy muaj nga zgjedhja e kryetarit të komunës pa u vërejtur as angazhimin më të vogël e konkret, të pushtetarëve të ri, në zgjidhjen e problemeve të komunës thuhet në reagimin e VV.

Në një njoftim të VV qendra në Gjilan thuhet se gjatë këtyre dy muajve nuk është bërë as hapi i parë drejt fillimit të punës së administratës së re, nuk janë emëruar as drejtorët e drejtorive komunale. Kryetari i Komunës gjatë kësaj kohe e ka emëruar vetëm Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, kurse drejtoritë tjera funksionojnë me ushtrues- detyre. Kjo formë e udhëheqjes së komunës jo vetëm se është e kundërligjshme, por është edhe e paefektshme, sepse të emëruarit e përkohshëm nuk mund të thellohen në punët që duhet t’i kryejnë drejtoritë përkatëse. Prandaj ne kërkojmë nga kryetari i komunës që t’i emëroj drejtorët dhe të fillohet me punët që ju takojnë drejtorive.

Gjatë kësaj kohe megjithatë janë vërejtur prirjet e vjetra të angazhimit në punë të militantëve partiak, të partisë në pushtet, në formë të paligjshme, sidomos në arsim. Të punësojnë militantë të tyre duke mos respektuar as kualifikimin e lëre më procedurat.

Në ndonjë rast është shkuar aq larg sa që individët e caktuar po tentojnë ta marrin ligjin në dorë duke i fyer e kërcënuar kolegët e tyre siç është rasti i sulmit të një militanti të LDK-së ndaj një profesori në Gjimnaz, ku madje është dashur të ndërhyn edhe policia. Në lidhje me këtë incident skandaloz nuk ka pas as një reagim nga Drejtoria e Arsimit e as nga përgjegjësit kompetentë të komunës.

Eco Higjiena

Ne kërkojmë nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Kryetari i Komunës t’i ndërmarrin masat adekuate ndaj shkaktarit të këtij incidenti dhe të gjithë rasteve të ngjashme që mund të ndodhin në komunë.

Nga Kryetari i komunës, i cili ka deklaruar se i ka trashëguar 8 milion euro borxhe nga paraardhësi i tij, kërkojmë që sa më parë ta njoftojë opinionin me detajet e nevojshme në lidhje me këto borxhe. Është obligim i kryetarit të ri që të mos flasë me shifra të obligimeve të komunës pa dokumente. Le të përfundon sa më parë auditimi, le të bëhen publike për qytetarët këto gjetje të auditorit dhe le të merren të dhënat qoftë edhe direkt në Drejtorinë për buxhet dhe financa, dhe të thuhet shifra e saktë e të gjitha obligimeve, duke e bërë dokumentin publik pasi që borxhi është publik dhe të hetohet se a janë kryer punët për të cilat janë kontratat dhe obligimet. Nuk mund të përdoret arsyetimi i vazhdueshëm për të mos kryer kërkesat që dalin nga qytetarët vetëm me arsyetimin: “Kemi shumë borxhe!” Le të tregohet saktë se sa janë sepse kryetari i ri tash është kreu i komunës dhe e ka përgjegjësi të tregojë saktë sa janë të gjitha obligimet e komunës me dokumente zyrtare.

Kërkojmë që për të gjitha keqpërdorimet e pushtetit të kaluar ta njoftojnë opinionin dhe në rastet kur shkeljet janë për prokurori t’i dërgohen prokurorisë sa më parë.

Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan tani është pjesë e Kuvendit Komunal, dhe ne do të angazhohemi në kuvend që t’i mbrojmë interesat e qytetarëve të Gjilanit. Ne do ta përkrahim çdo iniciativë që është në interes të Gjilanit dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të pamundësojmë çdo veprim të pushtetit i cili i dëmton interesat e përgjithshme. Ne përmes këshilltarëve tanë do të ngrehim çdo shqetësim të drejt të qytetarëve dhe do t’i njoftojmë qytetarët tanë me vendimet dhe veprimet e institucioneve komunale thuhet në reagimin e Lëvizjes VV në Gjilan./rajonipress/