Fundamenti

VV akuzon drejtorinë e shërbimeve publike

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VV në Gjilan në konferencën e sotme për shtyp ka problematizuar çështjen e mirëmbajtjes së dobët dimërore të rrugëve dhe ka raportuar për shumë ura të dëmtuara në fshatrat e komunës së Gjilanit, e veçmas për rrezikun e tyre në sezonin vjeshtor-dimëror për sigurinë e vozitësve dhe të këmbësorëve.

Avni Rudaku, nënkryetar i Qendrës, shfaqi kritika ndaj Drejtorisë për Shërbime Publike, e cila akoma nuk e kishte përzgjedhur kompaninë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ku sipas drejtorit të kësaj drejtorie, vonesat në OSHP nga një operator ekonomik dhe mos adresimi i tyre me kohë nga OSHP-ja, e ka vështirësuar procesin e rezultatit tenderues. “Drejtori i DSHP-së tregoi se nuk ka akoma një kompani që ka fituar tenderin, por është përzgjedhur vetëm përkohësisht me kuotim çmimi një kompani tjetër. Për secilin vit kemi probleme me mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ndonëse shpenzohen shumë para. Vetë fakti që për secilin vit ndodhin vonesa dhe mospërgatitje me kohë apo disa muaj para se të vjen sezoni vjeshtor-dimëror, tregon që qeverisja lokale nuk është serioze, nuk është e përgjegjshme dhe lejon vonesa që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe vozitësve, ngase mosmirëmbajtja dimërore e rrugëve shkakton pasoja të drejtpërdrejta dhe të pariparueshme edhe për vetë jetën e qytetarëve, duke mos harruar aksidentin e fundit afër Bresalcit pas dëborës së fundit, me pasoja të lëndimeve në njerëz. Madje arsyetimi se OSHP po i vonon ankesat, nuk qëndron bazuar në Ligjin për prokurimin publik në Republikën e Kosovës , i cili ankesat i shqyrton në afate jo të gjata kohore” theksoi Rudaku.

Ai adresoi edhe çështjen e dyshimeve mbi ndërhyrjen e autoriteteve komunale në tenderët për mirëmbajtje dimërore të rrugëve. “Nëse drejtori për Shërbime Publike pohoi se për shkak të disa ankesave të operatorit ekonomik dhe OSHP-së, nuk është përzgjedhur akoma një kompani, tregon se nuk ka pasur proces transparent, të rregullt dhe të drejtë, ngase operatorët ekonomik kanë vërejtur parregullsi dhe kjo është simptomë shumë e keqe dhe e kundërligjshmërisë, ngase flet për vonesat që vijnë nga menaxhimi joefikas dhe jo i drejtë i tenderimit, duke mos pasur qasje të drejtë dhe objektive për secilin operator ekonomik, duke mos e përzgjedhur operatorin që përmbush kriteret në bazë të Ligjit mbi Prokurimin Publik. Këto vonesa po ashtu na shqetësojnë për faktin se ndikojnë në humbjen e besimit të operatorëve ekonomik në institucionin e komunës dhe dëmtim të imazhit të komunës për dyshime në kurdisje rezultati, duke mos përjashtuar edhe taksën rrugore që e paguajnë qytetarët dhe humbjen e besimit të tyre në organet kompetente” , shtoi Rudaku.

Hidromorava

Gjatë konferencës për shtyp u përmendën edhe disa probleme të infrastrukturës së urave në fshatrat e komunës së Gjilanit, duke u fokusuar në fshatin Llashticë dhe Miresh. Driton Selishta, sekretar i pikës në Miresh, shprehu pakënaqësitë e banorëve për shumë projekte të pakryera në fshat. “Projekti 1 është asfaltimi i rrugës e cila i lidh fshatrat Miresh-Pogragj, Stublinë dhe Dobrosin, rrugë kjo që ka qenë në projektet komunale, pra asfaltimi i saj përafërsisht 1.5 km nuk është bërë akoma si dhe rregullimi i urës e cila i lidh këto 4 fshatra. Po të shkohet në këtë pjesë të rrugës sigurisht që bartim një rrezik më vete, për shkak se ura që i lidh këto 4 fshatra është në gjendje të mjerueshme dhe afër shkatërrimit total. Pra, me pak mjete financiare kjo urë mund të rregullohet, por kjo po tregon edhe njëherë një papërgjegjshmëri totale e këtij pushteti komunal”, pohoi Selishta.

Selishta rrëfeu edhe për projektin e pakryer të ujësjellësit funksional. “Një ndër projektet të cilat ia vlen të përmendet më së shumti është ujësjellësi i fshatit tonë, projekt ky i cili kushtoi hiç më pak se 210.000 euro. Ky projekt u sigurua fal donacioneve të fshatit ku përafërsisht u mblodhën rreth 65.000 euro, duke mos përfshirë edhe kyçësit pas përfundimit të projektit, dhe pjesa tjetër u sigurua nga CDI, Austrian Grup. Ky projekt u përurua në vitin 2010 pak para zgjedhjeve të përgjithshme duke aluduar edhe njëherë në mundësit që përmes këtij projekti të binden fshatarët se këtu po punohet dhe se ia vlen që kjo qeveri të votohet në këto zgjedhje 2010” tha Selishta.

Drejtuesit e VV ka parashtruar edhe shqetësimin sidomos për urën në hyrje të fshatit Llashticë, e cila urë mundëson hyrjen në fshat, por është shumë e dëmtuar, shumë e ngushtë, për të cilën banorët e fshatit kanë pasur probleme gjatë verës e lëre më gjatë sezonit dimëror dhe rreziku tjetër është se nuk ka po ashtu mbrojtëse anash. Para pak kohësh, ka pasur edhe rënie të një vozitësi. Aty kalon autobusi i nxënësve, s’ka mbrojtëse anash dhe tash është krejt akull. Kjo është neglizhencë, e jo aspekt buxhetor, sepse kjo do të kushtonte shumë pak, ndërsa në listën e projekteve të prioriteteve viti 2011-2013, ndërtimi i urave është parashikuar të jetë 120, 000 euro për rrugët në komunën e Gjilanit./rajonipress/