Vuçiq me qenin për dore
Nga Milaim Shefkiu – Zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, vizitoi veriun e rebeluar, kinse për të bërë presion tek serbo-veriorët që ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit. I shoqëruar nga komandanti i xhandarmërisë dhe i përcjellë nga një suitë xhandarësh pa uniformë, Vuçiq në Kosovë solli dy mesazhe.I pari, se Serbia është shtet i fuqishëm dhe me forcat e xhandarmërisë vjen në Kosovë e nuk ia var fare Prishtinës zyrtare. I dyti, në të vërtetë t’u thotë serbëve që të mos e pranojnë zbatimin e marrëveshjes.
Me ardhjen në Kosovë, Vuçiq u mundua që me një gur të vrasë dy zogj: që t’ia mbushë mendjen Bashkimit Evropian se Beogradi e ka përnjëmend dhe se po mundohet dhe po u bën presion serbëve që ta pranojnë marrëveshjen dhe e dyta që të inkurajojë serbo-veriorët që të rezistojnë në Kosovë dhe të mos e pranojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare me shpresë se ndërkohë gjërat mund të ndryshojnë. Ai u tha atyre se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur dhe se çizmja e shqiptarit kurrë nuk do shkelë në veri.
Çka nënkupton ideja e Vuçiqit që serbët në veri ta pranojnë marrëveshjen, kur deklaron se uniformat e Kosovës kurrë nuk do të shkelin në veri. Kjo nuk ka asnjë përkufizim tjetër, përveçse një përligjje, një demagogji dhe një shtrat i Prekrustit, ku ngado që të sillesh këmbët jashtë shtratit të mbesin.Vuçiq mendon se bota demokratike i ha “fabulat” e Serbisë se ai ka ardhur në veri për t’iu bërë presion serbëve. Natyrisht se kjo mund t’iu shitet diku-diku, por me siguri që kancelarja gjermane Angela Merkel nuk e ha këtë pykë.
Vuçiq, sa për ilustrim, si pionier i ka shkuar mbrapa Vojisllav Sheshelit, njeriut që po gjykohet në Hagë për krime në ish-Jugosllavi. Ai ka thënë se gabimi më i madh i Serbisë ka qenë që shqiptarët u deportuan nga shtëpitë e tyre i ka drejtuar drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.Shesheli, mësuesi shpirtëror i Vuçiqit, ka thënë se shqiptarët është dashur të sillen në Serbi dhe të gjithë të bëhen “konserva”. Pra nëse pak diçka ka mësuar nga “mijuri” është urrejtja antishqiptare.
Vuçiq tha se kurrë çizmja e shqiptarit nuk ka për të shkelur në veri. Ndërsa presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, tha para disa ditësh, se Serbia është më e fortë se NATO në Kosovë.
Tani në këtë mes, ku po gjendet presioni i Beogradit për pranimin e marrëveshjes.Natyrisht se kjo është demagogji në katror. Një pyetje pa polisemi ishte se a mundet Beogradi të ndikojë në zbatimin e marrëveshje në komunat e veriut?Natyrisht se po! Nuk duhet presion, as shtytje, as fjalë politike, por vetëm t’i ndalet “tagjia”, financimi strukturave paralele. T’i lidhet gryka qeses. Të ndalet buxheti për veriun.
Sepse, vetëm në vitin e kaluar Serbia ka ndarë një buxhet prej 500 milionë euro për komunat e veriut. Nëse dikush nuk e di, ky buxhet është sa një e treta e buxhetit të Kosovës. Derisa vazhdon të mbështesë financiarisht strukturat që s’bëjnë tjetër përveç se fusin pyka në funksionimin e Kosovës si shtet, dhe derisa i inkurajon që të mos i pranojnë institucionet e Kosovës, atëherë çfarë marrëveshje pritet të implementohet në veri.
Edhe nëse Vuçiq dhe liderët tjerë serbë në Beograd i detyrojnë serbo-veriorët që ta “aktrojnë” zbatimin e marrëveshjes, me siguri në vijim do të na shfaqet një telenovelë, episodet e të cilës do të përfundojnë sapo Serbia ta marrë datën e negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pra, me këtë soj politikanësh në Beograd nuk ka as zbatim marrëveshjesh, e as Ballkan të qetë. Këta e mbajnë qenin lidhur, për dore, por në esencë duke e ndërsyer: ssssshhhhhaaaaa…


