Vritet babai, plagoset rëndë i biri

Një person ka vdekur, kurse një tjetër është lënduar pas një rrahje që ka ndodhur në Banjë të Istogut. Policia e regjionit të Pejës njofton se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 13.35 në afërsi të furrës së bukës “Albani”.
I dyshuari V. (H) Hasaj (1987) ka rrahur për vdekje plakun Sylë Musa Hasaj (60 vjeç) si dhe të birin e tij Fidan Sylë Hasaj (1987). Edhe pse bëhet e ditur se viktima është dërguar me shenja jete në qendrën spitalore në Pejë, i moshuari nuk ka mundur t’u rezistoj plagëve të shkaktuara nga mjeti i fortë dhe ai ka vdekur në spital, përkundër përpjekjeve të mjekëve. Ndërsa, siç njofton policia, viktima tjetër, i riu Fidan Hasaj, ka marrë plagë në kokë, por është jashtë rrezikut për jetë dhe po shërohet në Spitalin Rajonal të Pejës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra, njofton se personi i dyshuar, shtetasi V.(H.)H. (1987), pas kryerjes së këtij incidenti me pasoja fatale, ka ikur nga vendi i krimit, por efektivët policorë kanë arritur ta arrestojnë atë rreth orës 16:20 në afërsi të stacionit të autobusëve në Pejë.
“Lidhur me rast është informuar edhe Prokurori përkatës i çështjes. Rasti është duke u hetuar nga Njësiti Hetimeve Rajonale, sektori për krime serioze në bashkëpunim me Prokurorinë Publikë të Qarkut. Trupi i pa jetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të zhvilluar ekzaminimet”, njofton Ibra, derisa nuk janë të njohura motivet e këtij konflikti me pasoja fatale./Kosovapress/