Vrau me “Shkorpionët” në Kosovë, vdekja me familje i vjen nga një i dehur!

Slobodan Medic (47), komandanti i formacioneve kriminale shtetërore serbe, “Shkorpionët”, vdiq më 31 dhjetor 2013, në orët e pasdites në një aksident rrugor në rrugën Mitrovica e Serbit – Veliki Dradinci. Sipas informatave të policisë, në aksident ka vdekur edhe gruaja e tij Lj. M. (45) dhe djali D.M. (17). Vetura e tipit “Toyota” – ku ishte familja Medic – hasi në veturën “Reno” që e ngiste Dejan K. (28) nga Veliki Radinci, i cili në çastin e aksidentit në gjak kishte nivel alkooli prej 1.9 promilëve. Telegrafi sjell rrëfimin e portalit e-novine për këtë monstrum që ka shkaktuar vuajtje të mëdha në Kroaci, Bosnje e Kosovë.
Gjykata e Lartë në Beograd e kishte dënuar Medicin me 20 vjet burg, për vrasjen e gjashtë boshnjakëve në Tërnovë, në malin Terskavicë të Bosnjës. Në një ditë të paspecifikuar të korrikut 1995, ai urdhëroi anëtarët e sigurisë së tij – Petar Petrasevic, Aleksandar Medic, Branislav Medic, Slobodan Davidovic (i dënuar në Kroaci) dhe Milorad Momic – të ekzekutojnë gjashtë gjoja të burgosur. Xhirimi i përuljes dhe i likuidimit të të burgosurve të cilin e ka siguruar Fondi për të Drejtën Humanitare, u shfaq së pari në qershor 2005 në Hagë, në gjyqin kundër Slobodan Milosevicit, e pastaj në Serbi, pas të cilit pason arrestimi. Të vrarë ishin: Safet Fejzic (1978), Azmir Alispahic (1978), Sidik Salkic (1959), Smajl Ibrahimovic (1960), Dino Salihovic (1979) dhe Juso Delic (1970).
Drejtësia serbe gjyqin e bëri ashtu që të fshihen lidhjet e Serbisë në këtë formacion kriminal.
Pjesë të xhirimeve nga masakra në Tërnovë
Pas aksidentit ku ky kriminel e humbi jetën në “lirim për pushim”, shtrohet pyetja se çfarë sjellje të mirë duhet të ketë monstrumi, i dënuari me dënimin më të lart (20 vite burg është zëvendësimi në Serbi për dënimin me vdekjen), që të ketë tretmanin për vikend të lirë dhe dalje në festat e Vitit të Ri. Si duhet të trajtohen atëherë ata me dënime më të lehta? Kjo, bazuar në drejtësinë jonjerëzore që e bën drejtori i burgut të Mitrovicës së Sremit, paraqet burgim fakultativ në pritje të lirimit me kusht! Me pak fjalë, ky është skandali për të cilin duhet të reagojnë shefat për zbatimin e sanksioneve penale e edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë.
Nuk duhet të çuditemi, sepse trajtimi i Slobodan Medicit – personifikimi i vërtetë (jo i vetmi) i agresionit serb kundër Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, komandant i formacionit që shquhet për krime në Kosovë – nuk është befasues: në këtë shtet me vite të tëra, pavarësisht nga ideologjia, përkëdhelen dhe promovohen kriminelët e luftës – në emër të popullit dhe të pafajësisë në të cilën askush nuk beson. Sepse, ata luftuan për Serbinë (Slobodan Medici në gjykatore tha: ‘I dua vetëm tri gjëra në jetë: p…, armën dhe shtetin)! Diçka dikush ka fituar, do të thonë moralistët, sepse nuk është shënuar ende sintagma krimineli i varfër i luftës!
LEXO PO ASHTU: Anëtari i njësitit paramilitar “Çakallët”, rrëfen krimet në Kosovë (Video)
Në gjyqin për krime në Tërnovë, ekzekutori Pero Petrasevic u pendua për krimin: “I vrava gjashtë myslimanë. Fajtor jam para Zotit. E zbatova urdhrin. Nëna (u drejtohet familjeve të viktimave –-v.j.), do ta them këtë fjalë historike, për të cilën më mirë do të ishte të jem atje i shtrirë me ta në lëndinë. I vramë sepse ishin myslimanë”.
Slobodan Medic tha, ndër të tjera, duke mohuar përfshirjen e tij: “Konkretisht, po ta dija, ai që do të xhironte nuk do ta hante më bukë po do ta vrisja si lepur. Pra, ja ku po ju them: do ta vrisja si lepur”.
Pak përpara vrasjes, një nga kriminelët godet në kokë një boshnjak dhe e ofendon me fjalët: “Çka po dridhesh, n…”. Kapet edhe kjo: “Shihe, e bëri në brekë”!. Pastaj “Shkorpionët” vrasin tre gjoja të burgosur lufte (viktima civile), ndërsa xhiruesi kërkon bateri rezervë. Dy boshnjakë e fundit u vranë pasi bartën kufomat. Dëgjohet kjo: “A ka dikush të gjuaj? Kujdes, mos në mur. Prit, prit ta xhiroj! He, lopa. Prit, i kam edhe tre plumba. Shihe, ky po merr frymë he n…”! Në shirit, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga ekspertë të mjekësisë ligjore, janë regjistruar fjalët të cilat Aleksandar Medic, ia tha një të mituri para ekzekutimit: “A ke q… ndonjëherë? Edhe nuk do ta bësh kurrë”!?
LEXO PO ASHTU: Presione në Beograd për ta ndaluar ekspozitën e vrasjes së shqiptarëve
“Shkorpionët” u formuan në vitin 1992 nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Në krijimin e tyre morën pjesë Radovan Stojicic Badza. Komandanti i parë ishte Milan Milovanovic Mrgud, më vonë një prej nënshkruesve të marrëveshjes së Erdutit, oficer i lartë i MPB-së serbe. Detyra e parë e kësaj njësie ishte sigurimi i fushave të naftës në Xheletovc. Përbërja fillestare përbëhej kryesisht nga serbët e Kroacisë (Slobodan Medici erdhi më vonë nga Mirkovci) .
Viktimat e “Shkorpionëve”, formacionit të autorizuar për të vrarë, kanë parë momentet e fundit të jetës së prindërve të tyre në xhirimin e Tërnovës.
“Në xhirim shihet babai im tek shtrihet. Ndoshta ishte i plagosur. E qëllojnë me tre plumba në kokë. Dëgjohet xhiruesi që thotë: ‘Valteri mbron Sarajevën’ (film jugosllav – v.j.)! Drejtësia në këtë gjyq do të kënaqet paksa, por kjo nuk e kthen babanë tim. Nuk dihet kush i ka dërguar këta vrasës, kush dha urdhër të vriten”, ka thënë djali i një prej boshnjakëve të vrarë.
Saranda, Jehona, Liria, Genci dhe Fatos Bogujevci, viktimat e mbijetuara të “Shkorpionëve”, kanë parë direkt vrasjen e familjarëve. Për ta nuk ka asnjë drejtësi. /Telegrafi/