UBT

Vrasjet në emër të Kanunit, në 20 vite, 5700 viktima

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Në 22 vite në Shqipëri janë kryer 5200 vrasje në emër të gjakmarrjes. 5700 veta është numri i viktimave që kanë humbur jetën të ekzekutuar për gjakmarrje. Ndërkohë që 1200 persona rezultojnë të ngujuar, prej të cilëve 130 janë fëmijë, citon gazeta “Panorama”.

Në një konferencë homazh, në emër të pastorit të Kishës Ungjillore, Dritan Prrojit, 28 vjeçarit që u vra për një krim që kishte kryer xhaxhai i tij, u bë apel për t’i thënë jo më gjakmarrjes.

“T’i themi të gjithë njerëzit: Ndal gjakmarrjes, këtij fenomeni mesjetar që po merr çdo ditë jetë njerëzish. Gjakmarrja, një plagë ende e pa mbyllur”, ky ka qenë motivi i aktivitetit të zhvilluar nga Aleanca për Jetën, e mbajtur në dy vjetorin përkujtimor të Prrojit.

Sipas tyre, policia dhe shteti kanë një rol kyç në këtë fenomen.

“Nuk duhet të lejohen që të rinj, adoleshentë apo kushdo qoftë, të lëvizë në qytet me armë zjarri. Duhet të vendoset pa hezitim dhe shumë shpejt dënimi me burgim të përjetshëm për të gjithë ata persona që kryejnë vrasje, pavarësisht se në çfarë rrethanash”, kanë deklaruar ata.

UBT

Arqipeshkvi i Shkodrës, Anxhelo Masafra, ka kërkuar që të gjithë aktorët e shoqërisë të bashkohen në një qëllim.

“Ne nuk jemi penduar me shpalljen e dekretit të shkishërimit, përkundrazi, jemi të bindur se kemi bërë veprimin e duhur. Por kërkojmë që shteti të bëjë detyrën e tij,” ka deklaruar arqipeshkvi.

Ndërsa e veja e pastorit ka theksuar se shteti duhet të marrë masa të forta për këtë fenomen mesjetar.

“Vetëm nëse largohet mentaliteti i vjetër, ne mund të fitojmë mbi gjakmarrjen. Nuk duhet të ketë më fëmijë që jetojnë pa prindërit e tyre për shkak të gjakmarrjes. Askush nuk ka të drejtë të marrë jetë njerëzish”, ka nënvizuar .