RCCOLA

Vrasja në Skenderaj, Haradinaj: Kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas ngjarjeve tragjike në vend (vrasje e plagosje me armë zjarri) që po tronditin opinionin.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se Kosova është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë.

Ai po ashtu ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se ka qasje të gabuar politike e cila siç u shpreh ai po reflekton në fushën e sigurisë.

“Krahas qasjes së gabuar politike të qeverisë në veri të vendit e cila ka reflektim serioz edhe në siguri, lloje të ndryshme të krimit e sidomos ato të rënda siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje, prezenca e madhe e narkotikëve, janë disa nga aktivitetet e kundërligjshme të cilat po e cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve.

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, institucionet e sigurisë kanë punuar me shumë përkushtim në avancimin e sigurisë publike duke hartuar dhe implementuar shumë strategji nacionale, plane konkrete operative të cilat mbi të gjitha kishin për qëllim parandalimin efikas të krimit dhe dukurive të ndryshme negative në shoqëri.

Nga viti në vit efikasiteti i Policisë së Kosovës prekte direkt ndjenjën e sigurisë së qytetarëve duke reduktuar në masë të madhe krimin në përgjithësi, e në veçanti vrasjet dhe krimet e rënda.

Qasja e gabuar e Qeverisë dhe e MPB duke zhvendosur elementin kyç në shoqëri, sigurinë publike, brenda agjendës së saj puro politike, kanë bërë që elementet me prirje kriminale të organizohen në banda të cilat sot cenojnë të pa penguara jetën e qytetarëve”.

Mobi Casa

Po ashtu Haradinaj theksoi se fatkeqësisht siguria publike ne vend, tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët.

Ai potencoi se vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu.

“Mungesa e vizionit, dhe përkushtimit të qeverisë dhe MPB , ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë.

Shfaqja e krimineleve me maska siç ishte rasti i mbrëmshëm në komunën e Skenderajt ku mbeti i vrarë një qytetar dhe u plagosën tre të tjerë, nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar”.

Përmes reagimit në Facebook Haradinaj u shpreh se objektivisht qytetari ka mbetur i pa mbrojtur, i pa përkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria.

“Kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Mocioni është zgjidhja”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj në rrjetin social në Facebook. /Telegrafi/