Vrasësit e shekullit të 20-të

Quhen të tillë pasi shifrat e viktimave që kanë lënë pas i kalojnë mijërat. Shpeshherë edhe milionat. Emrat që figurojnë në listën e vrasësve më të mëdhenj të shekullit të 20-të, janë më së shumti diktatorë. Të kthyer në makina vrasëse, arma e tyre ishte politika.
“Është e qartë që njerëzit e thjeshtë nuk e duan luftën. Përse një fshatar duhet të rrezikojë lëkurën e tij në luftë, kur qëllimi i tij më i madh është të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë? Janë drejtuesit ata që vendosin për politikën, ata që e duan luftën, edhe atëherë kur flitet për demokraci, edhe për diktatura fashiste, për parlamente apo diktatura komuniste”, ka thënë gjenerali gjerman Herman Goring, duke folur për Luftën e Dytë Botërore. Shifra prej 60 milionë viktimash i faturohet orkestruesit të kësaj lufte, Adolf Hitlerit, i cili renditet i pari për nga numri i të vrarëve, përgjegjësia e të cilëve bie mbi të. Por nuk mbeten mbrapa as Stalini, Pol Poti, Mao Ce Duni, Kim il Sung, etj.
Adolf Hitleri është cilësuar si diktatori më i egër jo vetëm i shekullit XX, por i të gjitha kohërave. Gjatë regjimit të tij janë vrarë mbi 60 milionë njerëz, duke e bërë atë një nga vrasësit më të mëdhenj në botë. Në vitin 1933, Adolf Hitler zgjidhet kancelar i Gjermanisë, pas fitimit të zgjedhjeve nga partia naziste që ai drejtonte. Menjëherë pas kësaj, në vitin 1934 ai instaloi në vend diktaturën, duke eliminuar të gjithë kundërshtarët dhe partitë e tjera politike si dhe filloi sulmin kundër hebrenjve në Gjermani. Në vitin 1939, Hitleri urdhëron pushtimin e Polonisë, duke nisur kështu edhe Luftën e Dytë Botërore, kurse në vitin 1941 ai miraton një plan për shfarosjen e çifutëve. Me humbjen e luftës dhe fitimin e saj nga aleatët dhe sovjetikët, më 30 prill 1945 Hitleri vret veten në bunkerin e tij në Berlin së bashku me shoqen e tij, Eva Braun.
Joseph Stalin është një nga diktatorët më të egër dhe një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Joseph Stalin është përgjegjës për vrasjen e gati 30 milionë njerëzve, shumica e të cilëve bashkëkombës të tij, si dhe burgosjen e miliona të tjerëve. I ardhur në fuqi pas vdekjes së Leninit, në vitin 1928, Stalini zhduku të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Ai drejtoi Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1953, kur edhe vdiq. Epoka e tij është cilësuar si nga më të egrat e regjimit komunist që ishte instaluar në Bashkimin Sovjetik që nga viti 1918. Stalini është akuzuar për krime të mëdha kundër ukrainasve dhe polakëve, si edhe banorëve të republikave të tjera që formonin Bashkimin Sovjetik.
Ahmet Cemal Pasha Ahmet Cemal Pasha, Ismail Enver Pasha dhe Mehmed Talat Pasha, janë futur si vrasës në historinë e shekullit të 20-të, me një emër, “Tre pashallarët”. Të tre, drejtues të xhonturqve në kohën e Perandorisë Otomane, mbahen përgjegjës se në periudhën 1914-1918 kanë vrarë rreth 600 mijë armenë, mbi 300 mijë grekë dhe mbi 100 mijë asirianë. Me një grusht shteti, drejtuesit e turqve të rinj marrin kontrollin e Perandorisë, duke vënë një diktaturë militariste të drejtuar nga të tre ata, Cemal, Enver dhe Talat.
Augusto Pinochet ishte një gjeneral ushtarak, por që e qeverisi Kilin si diktator, nga 11 shtatori 1973 deri në mars të vitit 1990. I ardhur në pushtet pas një grushti shteti ushtarak, Pinocheti është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është përgjegjës për vrasjen e 3 197 njerëzve dhe burgosjen e shumë të tjerëve, krime që ai i ka bërë gjatë regjimit të tij diktatorial. Në vitin 1988 regjimi i tij mori fund pas një referendumi popullor. Por me gjithë akuzat e shumta dhe proceseve gjyqësore, Pinocheti nuk u dënua asnjëherë për krimet e tij. Ai vdiq në 10 dhjetor 2006.
Një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX është edhe diktatori italian, Benito Musolin, i cili e futi Italinë nën një regjim fashist nga viti 1922 deri në vitin 1943. Ai akuzohet se gjatë 11 viteve të regjimit të tij janë vrarë mbi 400 mijë italianë dhe mbi 30 mijë etiopianë, të cilët janë vrarë gjatë pushtimit të Etiopisë nga Italia. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u fut në luftë, duke u bërë aleat me Gjermaninë naziste të drejtuar nga Adolf Hitleri. Pas fitores së forcave aleate në Itali, më 18 prill 1945, gjatë një tentative për t’u arratisur në Zvicër, ai arrestohet nga forcat partizane italiane dhe pushkatohet menjëherë së bashku me të fejuarën e tij, Klareta Petachi.
Francisco Franco Bahamonde, diktatori i Spanjës, i vënë në krye të shtetit më 29 shtator 1936, akuzohet se me trupat e tij nacionaliste ka shkaktuar vdekjen e mbi 500 mijë vetëve gjatë Luftës Civile të Spanjës. I ndihmuar nga Hitleri dhe Duche, Franko fitoi luftën pa kushte pas 3 vitesh, më 1 prill të vitit 1939. Rreth 500 mijë republikanë u arratisën nga vendi për të gjetur një vend më të sigurt jashtë. Ndërkohë me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse Franko njihej si përkrahës i fashizmit, ai mbajti pozicion neutral dhe e shmangu përfshirjen e Spanjës në luftë. Franko e mbajti pozicionin e tij në krye të shtetit deri kur vdiq, më 20 nëntor, të vitit 1975. Busti i tij i fundit në Madrid, i vendosur në ambiente publike, u hoq në mars të vitit 2005.
I cilësuar si “Kasapi i Afrikës”, Idi Amin është akuzuar për vrasjen e rreth 300 mijë njerëzve. I lindur në vitin 1923, në veri të Ugandës, dhe i rritur mes tendosjesh të grupeve etnike në vendin e tij, Idi Amin u ngjit në krye të Ugandës në janar të vitit 1971 me anë të një grushti shteti.
Kim Il Sung, kreu i Koresë së Veriut, i cilësuar si “Udhëheqësi i madh”, akuzohet si përgjegjës për vrasjen e 3 milionë njerëzve gjatë luftës civile të Koresë. Rreth 1 milion veri-koreanë vdiqën nga uria gjatë regjimit të Kim Il Sung. Pas ndarjes së gadishullit të Koresë në atë të Veriut dhe atë të Jugut, Kim Il Sung vendosi regjimin e tij komunist, i ndihmuar nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1950 ai nis sulmin ndaj Koresë së Jugut pa paralajmërim, luftë e cila përfundoi në vitin 1953. Sipas të dhënave, mbi 2 milionë civilë u vranë, ndërsa shënohen rreth 317 mijë ushtarakë të vrarë, 304 mijë të plagosur dhe 102 mijë të zhdukur në luftë.
Kreu i Kinës, Mao Tse-Tung akuzohet se është përgjegjës për vdekjen e 14-20 milionë njerëzve nga uria gjatë “Kapërcimit të madh përpara”. Plus këtyre, shtohen edhe dhjetëra mijëra të vrarë dhe miliona jetë të shkatërruara gjatë “Revolucionit Kulturor”. Mao Tse Tung, një nga diktatorët më të mëdhenj në botë, u vendos në krye të Kinës më 1 tetor të vitit 1949.
Pol Pot ishte drejtues i Partisë komuniste në Kamboxhia (Khmer Rouge) dhe kryeministër nga viti 1976-1979. Gjatë kohës së regjimit të tij diktatorial janë vrarë mbi 3 milionë kamboxhianë. Sapo erdhi në pushtet, Pol Ploti deklaroi “Vitin Zero”, dhe drejtoi një program të pamëshirshëm të “purifikimit” të shoqërisë kamboxhiane nga kapitalizmi, kultura perëndimore, feja etj. Me mijëra vetë u ekzekutuan.
Radovan Karadzici, politikani serbo-boshnjak është akuzuar për vrasjen e 20 mijë njerëzve gjatë luftës në Bosnje – Hercegovinë në vitet 1992-1995, ndërsa Ratko Mladic, gjenerali serbo – boshnjak, është ndoshta ndër vrasësit më të fundit të shekullit të XX.
Sadam Hussein, ish-diktatori irakian është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është akuzuar se gjatë regjimit diktatorial në Irak ka vrarë me mijëra njerëz, ndër ta shumë kurdë dhe shitë. Sadam Hussein erdhi në fuqi në vitin 1979 dhe qëndroi në pushtet deri në vitin 2003, kur forcat ushtarake anglo-amerikane rrëzuan regjimin e tij. Gjatë regjimit të tij diktatorial, Sadami eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Ai e drejtoi vendin në mënyrë të egër dhe ndoqi një politikë shfarosëse kundër kurdëve që banonin në Irak dhe fiseve shite. Ai u arrestua në 13 dhjetor 2003, dhe pas një procesi gjyqësor u dënua me vdekje. Ekzekutimi i tij u krye më 30 dhjetor 2006.
Slobodan Miloshevici, i quajtur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”, është përgjegjës për vrasjen e 230 mijë njerëzve dhe shpërnguljen e nga trojet e tyre e 3 milionë të tjerëve. Në vitin 1989, Miloshevici mori postin e Presidentit të Republikës së Serbisë, të cilin e mban deri në vitin 1997. Nga viti 1997 deri në vitin vitin 2000 ai zgjidhet president i Republikës Federale të Jugosllavisë. Miloshevici u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.
Miloshevici u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë, më 11 mars 2006, disa muaj para se të përfundonte gjykimi i tij në Hagë.(express)