Vrasësi i nxënësit: Më shau me motër

Adriatik Tota, nxënësi i vitit të dytë të shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit u ekzekutua nga shoku i tij i shkollës për shkak se e kishte sharë nga motra.
Krimi i rëndë ndodhi paraditen e djeshme (4 dhjetor 2013) në një oficinë brenda në ambientet e shkollës, ku 17 vjeçari së bashku me klasën po zhvillonin orën e praktikës.Në mes të klasës ai u qëllua me pushkë të montuar e të futur më parë në shkollë nga 15-vjeçari Edrin Varaku, nxënës i kësaj shkolle.
Policia arrestoi pas 7 orësh (pasditen e 4 dhjetorit) 15-vjeçarin në një nga lokalet e Durrësit, në qendër, ku babai kishte organizuar gjithçka. I ati i autorit lajmëroi policët dhe njëkohësisht foli me të birin, që kishte frikë të dorëzohej, duke koordinuar punën për kapjen e tij.
Pasditen e djeshme, blutë e Durrësit prangosën mësuesin Thoma Llazari, për “Moskallzim krimi”, teksa ngjarja pati jehonë të madhe në rangjet politike, ku vetë Kryeministri Rama e cilësoi si këmbanë të fortë alarmi, shkruan Shqiptarja.
VRASJA
Korrespondenti i A1Report e Shqiptarja.com, Artur Korriku informon se vrasja ka ndodhur rreth orës 10:00, ( të 4 dhjetorit) tek ofiçinat ku nxënësit bënin praktikën, brenda ambienteve të shkollës. Viktima Adriatik Tota, 17 vjeç ishte nxënës në vitin e dytë, dega mekanike. Ai ishte nga Kukësi, por familja e tij banonte në Sukth të Durrësit.
Zyrtarisht Ministria e Brendshme deklaroi se Policia e Durrësit ishte lajmëruar në orën 09.50, teksa 5 minuta më vonë punonjësi i policisë konfirmoi vrasjen. Mendohet se autori i veshur me kapuç, ka përshkuar rrugën nga dera e shkollës deri tek oficina, që është gati 250 m largësi dhe qëlloi 2 herë mbi nxënësin me një pushkë të montuar për t’u futur poshtë xhupit, teksa dyshohet se kjo armë ishte futur në shkollë disa ditë më parë. Njëri nga plumbat i ka hyrë pas veshit dhe i doli në qafë dhe ishte fatali, kurse tjetri e preku në krah.
17-vjeçari ishte djali i vetmi në familjen Tota, e cila përbëhej nga 3 vajza e një djalë (Adriatiku). I ati punonte si emigrant në Itali. Ndërkohë që autori jetonte me familjen në lagjen “4 rrugët” në Shijak. /Indeksonline/