Fundamenti

Votojeni Obamën, Ju lutem

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Berat Buzhala- Të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që të martën do të votojnë, duhet ta kenë parasysh se me Obamën President, Kosova vazhdon të ketë në pushtet Clintonët dhe Bidenët. Me Romney’n President do ta kemi John Boltonin, që haptazi deklarohet kundër pavarësisë.

Të martën është ndoshta dita e vetme, që përsëritet çdo katër vjet, kur edhe bota mund të përzihet në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për shembull, lobet e ndryshme mobilizohen që t’i angazhojnë anëtarët e tyre që të votojnë për njërin apo tjetrin kandidat. Kështu bëjnë jahuditë, polakët, grekët, armenët etj. Dhe pastaj presin që vota e tyre të përkthehet me përkrahje politike. Në mënyrë që pastaj Presidenti i ardhshëm të përzihet në punët e brendshme të vendeve të tyre dhe rajoneve të tyre. E ftojnë, të mos themi e obligojnë, favoritin e tyre që të jetë prezent në punët e brendshme të shteteve dhe të rajoneve të tyre.

Pra nuk është që intervencionizmi shpeshëherë i kritikuar i SHBA-ve bëhet pikë për së kthjellti, apo se Presidentit, apo se pastaj Sekretareve të Shteteve, i teket që në krizat e ndryshme rajonale ta mbështesin njërin apo tjetrin shtet të përfshirë në një konflikt. Normalisht që kjo nuk është kaq e thjeshtë, sepse rreshtimi i superfuqisë më të madhe dhe më demokratike është i ndërlidhur edhe me faktorë të tjerë.

Dhe ketë të martë, qindra miliona amerikanë do të vendosin se kush do t’i udhëheqë ata edhe për katër vitet e ardhshme. Përballë njëri-tjetrit ndodhen Barack Obama dhe Mitt Romney. Një garë e tillë absolutisht do të ishte e paparamendueshme vetëm 15 – 20 vjet më parë. Po garojnë një kandidat me ngjyrë, kundër një kandidati që i takon besimit mormon. As një njeri me ngjyrë, e as një kandidat mormon as në fantazitë më ekstreme nuk do ta kishin besuar një mundësi të tillë as deri në vitet e 90-ta.

Që gara të karakterizohet edhe me fenomene të tjera janë përkujdesur, të dytë edhe Romney edhe Obama. Ata në tiketën e tyre, për zëvendëspresident i kanë zgjedhur dy kandidat që i takojnë që më religjion janë katolik. Pra, në tiketën republikane, për herë të parë në histori, asnjëri kandidat nuk është protestant. Në tiketën demokrate oferta vazhdon të mbetet e njëjtë. Një spektakël i tillë mund të ndodhë vetëm në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Mobi Casa

Zgjedhjet këtë vit po mbahen saktësisht një javë pas një furtune të pamëshirshme, Sandy’t, që goditi pjesën më të banuar dhe më të zhvilluar të SHBA-ve, bregun verilindor. të kontinentit. Përkundër shkatërrimeve enorme, numri i viktimave, marrë parasysh potencialin e stuhisë, është te rreth 100 të vdekur. Në çdo vend tjetër të planetit kjo shifër do të ishte qindra herë më e madhe. Është interesant që asnjëri prej kandidatëve, as për të mirë as për të keq, nuk po e përdor ketë rast për poena politike. Përkundrazi, guvernatori simpatik i New Jersey’t, republikani Chris Christie, krah për krahu me Barack Obaman i ndihmonin viktimat e Sandy’t. Madje, Christie, shkoi edhe më larg, duke i dhënë kredit Obamas për menaxhimin e krizës. Amerikanët edhe më tutje janë të trishtuar me tragjedinë që kishte shkaktuar uragani Katrina dhe menaxhimin jashtëzakonisht të ngathtë që kësaj fatkeqësie i kishte bërë ish Presidenti George Bush. Mirëpo ketë provë e kaloi me sukses Barack Obama, por nuk është se prej kësaj fatkeqësie provoi të fitonte në vota. Një tentativë e tillë do t’i ishte përplasur për fytyre. Mirëpo, as nuk do të dëmtohet në vota, ndonëse lagje të tëra të New Yorkut, para disa ditësh ngjasonin jashtëzakonisht shumë me Kosovën e vitit 1999.

Në qendrën e qytetit mungonte rryma elektrike, mungonte nxemja, rrjeti telefonik, transporti ajror, hekurudhor e cka jo tjetër. Taksit nëpër New York silleshin sikurse katërshi nëpër Prishtinë, duke marrë nga katër ose pesë udhëtar në të njëjtën kohë. Për pak ditë madje edhe gazetat filluan të merrnin qëndrime populiste. Tabloidët filluan t’i sulmonin yjet e Hollivudit se po shpenzonin shumë nëpër mbrëmje, derisa miliona njerëz po jetonin nëpër terr dhe pa kushte elementare.

Mirëpo të gjitha këto janë probleme thellësisht të brendshme të amerikanëve. Të dy palët ekstremiste tashmë e kanë ndarë mendjen dhe tashmë janë në nivelet më të larta të propagandave, për të rrënuar reputacionin e kandidatëve kundërshtar. Republikanët esktremist po frikësojnë votuesit se Obama do ta shndërrojë SHBA’në në Europë. Mirëpo nuk po e shpjegojnë se sikur cili shtet i Europës saktësisht. Mirëpo, tek votuesit konservator modeli europian i të bërit politikë është tepër i rrezikshëm, sepse është i majtë, është socialist, e pse jo edhe komunist. Mirëpo, në ketë tollovi elektorale kush ka kohë të jep shpjegime të holla se në Europë është edhe Greqia edhe Gjermania. Edhe Norvegjia, edhe Zvicra, edhe Spanja. Kurse në anën tjetër qarqet ekstremiste demokrate kryesisht tallën me nivelin e inteligjencës se kandidatëve republikan dhe se qëllimi final i tyre është mbrojtja e privilegjeve financiare të një numri të kufizuar të amerikanëve.

Mirëpo, edhe këto janë punë të brendshme të amerikanëve.

Por çka do të duhej të na interesonte ne të martën? Cili prej dy kandidatëve është më i afërt dhe më i familjarizuar me Ballkanin, e pse jo edhe me Kosovën? Po besoj që kjo është parë katërcipërisht gjatë vizitës që bëri në Kosovë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton. Por nuk është vetëm znj. Clinton ajo që së bashku me familjen e saj janë të lidhura me Ballkanin dhe me Kosovën. Një histori të ngjashme me të e ka edhe zëvendëspresidenti Joe Biden. Të lidhur ngjashëm me historinë tonë dhe që avokojnë hapur për Kosovën është edhe një numër jashtëzakonisht i madh i zyrtarëve të lartë të administratës Obama. Kush është në kampin tjetër që e ka ndonjë lidhje me vendin tonë? Është John Bolton, ish ambasador i SHBA’së në Kombet e Bashkuara. Bolton, edhe sot e kësaj dite pavarësinë e Kosovës e konsideron si një akt të rrezikshëm për Ballkanin. Ky mbetet prej zyrtarëve të vetëm të lartë të SHBA-ve që edhe më tutje nuk pajtohet me pavarësinë e vendit tonë. Kurse është Bolton që përflitet në media, që do të mundet ta zëvendësojë znj. Clinton.

Prandaj, po të kisha të drejtë të votoja, do ta votoja tiketën Obama/Biden. Kështu do të duhej të votonin edhe të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe që edhe më tutje janë të lidhur emocionalisht me vendlindjen e tyre.