Votat e Listës Serbe, përcaktuese për FAK-un
Qeveria më kot kishte proceduar amendamentet kushtetuese të cilat do ta shndërronin Forcën e Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, pasi Kuvendi ka vendosur të mos i vërë fare në rend dite.
Derisa opozita dhe një grup i deputetëve të partisë më të madhe, PDK, po e kundërshtojnë Specialen, në anën tjetër, është Lista Serbe, që ka bllokuar transformimin e FSK-së në ushtri. Opozita ka kritikuar Qeverinë për mungesë vullneti në themelimin e Forcave të Armatosura.
Pamundësia e krijimit të shumicës së dyfishtë nga deputetët shqiptarë dhe shumicës së dyfishtë të komuniteteve, ka çuar në bllokadë dy çështjet të cilat kryeministri Mustafa i kishte prezantuar si detyrat kryesore me të marrë drejtimin e Qeverisë – Themelimin e Gjykatës Speciale dhe shndërrimin e FSK-së në FAK, shkruan sot “Koha Ditore”.
Se Kuvendi gjendet përballë sfidës së numrave e ka pranuar edhe kreu i saj, Kadri Veseli.
“Jemi në një sfidë ku marrim çdo ditë mesazhe nga ata që na ka kanë ndihmuar për të ardhur deri këtu, kam parasysh veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Realisht nuk është sfidë e lehtë, por do të dalim faqebardhë, të gjithë bashkërisht”, ka thënë Veseli të hënën pas mbledhjes së Kryesisë, ku u vendos të mos dalë si rend dite votimi i amendamenteve për FAK-un. Por kryeparlamentari ka shprehur bindjen se shumë shpejt FAK-u dhe Specialja do të procedohen në seancë.
“Duhen votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duhen votat e Nismës, votat e Vetëvendosjes, votat e të gjithëve. Do të tregojmë se nuk jemi për lëmoshë dhe nuk i frikësohemi asnjë ballafaqimi. Lufta jonë ka qenë e drejtë”, ka shtuar Veseli.
http://koha.net/?id=27&l=67209


