Hidromorava

Vota në sfidë!

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Nga Tefik Ibrahimi – Në Republikën e Kosovës vota dhe e drejta për të zgjedhë dhe për tu zgjedh është në sfidë. Teoria dhe praktika demokratike të drejtën për të zgjedhë e njeh si të drejtë aktive që mund ta ushtrojnë të gjithë shtetasit të cilët janë mbi moshën 18 vjeçare duke përfshirë edhe ata të cilët ditën e zgjedhjeve i mbushin 18 vjet, ndërsa të drejtën për tu zgjedhë teoria dhe praktika e njeh si të drejtë pasive që nënkupton se mund ta ushtrojnë vetëm ata të cilët janë në garë për tu zgjedhur.

Interesimi im është në analizimin e bazës ligjore dhe praktikës së ushtrimit të së drejtës për të zgjedhë dhe për tu zgjedhë me theks të veçantë në Republikën e Kosovës rasti i zgjedhjeve lokale të 2013-ës.

Konsiderojë se duhet të bëhet një studim dhe analizë rreth pozicionit të të parit të listës zgjedhore dhe favorizimit të tij në raport me kandidatët tjerë dhe kuotës prej 30 % të pjesëmarrjes së “domosdoshme të gjinisë femërore” dhe si po ndikojnë këto karakteristika duke pamundësuar realizimin e plotë të të drejtës për të zgjedhë dhe për tu zgjedhur.

Në këtë aspekt jam angazhuar personalisht të bëjë Kërkesën e parë drejtuar institucioneve gjyqësore si një kandidat në zgjedhjet lokale 2013 e cila Kërkesë është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes së cilës kërkoj të më njihet e drejta për tu zgjedhur sepse në fakt kam marrë më së shumti vota në subjektin politik që më ka kandiduar dhe nuk kam mund të zgjedhim pasiqë favorizimi i të parit në listë dhe kuota prej 30% e gjinisë femërore më kanë pamundësuar një zgjedhje të tillë në pozitën e këshilltarit në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga lista zgjedhore e Aleancës Kosova e Re në Gjilan.

Konsideroj se te rasti të cilin e kam ngritur tanimë për shqyrtim edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të merren parasysh dispozitat e Ligjit për zgjedhjet lokale në Kosovë si të padrejta si edhe te njëjtat tejkalojnë nenin 45.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili përcakton se ‘’Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor’’.

Ndërsa dispozitat e Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës neni 7, paragrafi 5, përcakton se, ‘’Vota e hedhur për subjektin politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë në listën e kandidatëve të subjektit politik. KQZ-ja siguron që fletëvotimi nuk e lejon votuesin të votojë njëkohësisht për subjektin politik dhe për kandidatin e parë në listën e kandidatëve të këtij subjekti i politik ‘’. (komenti im : absurd apo çka i thonë kësaj)

Nga dispozitat e lartcekura, mendoj se neni 7 paragrafi 5 nuk janë në harmoni me nenin 45 paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës sepse po e njëjta dispozitë ligjore po pamundëson pikërisht zgjedhjen time, sepse në kundërshtim me nenin 45.1 të Kushtetutës po e favorizon bartësin e listës zgjedhore përderisa neni 45.1 u njeh të drejtën për tu zgjedhur të gjithëve që mbushin moshën 18 vjeçare, me përjashtim të atyre qe këtë të drejtë e kanë të kufizuar me vendim gjyqësor.

Mendoj, se sistemi aktual zgjedhor në Zgjedhjet lokale për Kuvendet Komunale në Republikën e Kosovës është sistem i padrejtë dhe jodemokratik sepse mundëson me shumë emërimin e kandidateve se sa zgjedhjen e tyre ne proces zgjedhor të te ashtuquajtur demokratik. Mjafton të analizohet rasti i Kuvendit Komunal të Gjilanit në zgjedhjet lokale ku del se nga 35 vendet e Kuvendit Komunal 21 vende i kanë fituar dhe në fakt i kanë ‘’nxënë’’ të ‘’favorizuarit’’ që u ka mundësuar sistemi aktual zgjedhor sepse 11 janë si pasojë e të qenurit bartës të listës zgjedhore dhe 10 janë si pasojë e favorizimit të 30% të kuotës së gjinisë femërore, ku ka të tilla që edhe më shumë pak vota janë në Kuvend Komunal sot, ndërsa unë me 302 vota më së shumti në subjektin tim politik nuk ka mund të zgjidhem që dmth vullneti i 302 votuesve mbetet pa përfaqësim krejt kjo si pasojë e favoreve që mundëson sistemi zgjedhor aktual.

Cilat janë ato favore, të cilat i mundëson sistemi aktual zgjedhor në praktikë po e paraqes me gjerësisht rastin e zgjedhjes së këshilltarëve për Kuvendin Komunal të Gjilanit. Në Kuvendin Komunal të Gjilanit ne zgjedhjet e 3 Nëntorit 2013, sikur thash edhe më parë janë zgjedh 35 këshilltarë. Prej tyre:
11 këshilltarë janë të parët në listën e kandidatëve siç i emërton Ligji për zgjedhjet lokale ose bartësit e listës në gjuhën popullore.

Këta janë zgjedhë me votat e të gjithë kandidatëve të subjektit politik që i takojnë. A nuk është kjo absurd i llojit të vet. Më thuani: Ku ka diçka të tillë në Evropë? Ju lutem cila është logjika e kësaj mënyre për të qenë i zgjedhur? Çfarë përgjegjësie, çfarë peshe të rëndë bartë, bartësi i listës në zgjedhje për t’u zgjedhur në këtë mënyrë pa bere fare garë për vota.

Votat e 3 Nëntorit 2013, u ruajtën me vëzhgues vendor e ndërkombëtarë, me komisioner, me police, me prokurorë dhe me gjykatës. Po tani na del Ligji për zgjedhjet lokale dhe KQZ-ja e cila zbaton këtë ligj qe manipulojnë, diskriminojnë dhe keqpërdorin votën e shenjtë të qytetarit. Atëherë shtrohet pyetja: ku qëndron rëndësia e votës dhe pse atëherë fare të votohet?

Hidromorava

Ata, të cilët me 3 Nëntor u zunë duke vjedhur, duke blerë dhe duke shitur vota u burgosën dhe u dënuan. Po në rastin tim kur mua mu ‘’vodhën’’ 302 vota si dhe u ‘’vodhën’’ votat e të gjithëve kandidatëve të subjektit tim politik AKR dhe iu dhuruan bartësit të listës,kështu ka ndodhë edhe në subjektet tjera politike. Atëherë në këtë rast kush duhet të burgoset: Hartuesit e Ligjit për zgjedhjet lokale që mendojë se varianti i parë i tij nuk është shkruar në gjuhën shqipe thjesht është kopjuar, apo duhet të burgosen ata që nxorën këtë Ligj favorizues dhe diskriminues, apo ata që në zgjedhjet e vitit 2009 KQZ-ja e ka ditur që ky Ligj është favorizues dhe diskriminues dhe nuk kanë kërkuar që i njëjtit të ndryshohet dhe të njëjtin e zbatojnë edhe në vitin 2013. E kuptoj se nga këta askush nuk do të burgoset, sepse edhe nuk kanë ditur më shumë.

10 Këshilltare të gjinisë femërore janë zgjedhë në bazë te kuotës gjinore 30% duke pas numër më të vogël të votave karshi kandidatëve të gjinisë mashkullore në subjektin politik. Dhe kështu KQZ-ja duke zbatuar një nen paradoksal të Ligjit për zgjedhjet lokale bënë diskriminim ndaj kandidatëve të gjinisë mashkullore që kanë dukshëm më shumë vota se sa kandidatet e gjinisë femërore.

Vetëm 14 Këshilltar prej tyre 2 femra, janë zgjedhur në proces të rregullt sepse kanë më së shumti vota karshi kandidatëve tjerë.

Pra për 21 këshilltarë të Kuvendit Komunal të Gjilanit: 11 bartës të listave dhe 10 femra të zgjedhura në bazë të kuotës gjinore 30% unë konsideroj se sikur këta i kanë pasë vendet e rezervuara ose për mua këta individë rezulton se më shumë janë emëruar se sa janë zgjedhur.

Pyes, a ka pas pra logjikë që mbi 650 kandidatë të të gjitha subjekteve që kanë marrë pjesë në zgjedhje në Gjilan të garojnë për vetëm 14 ulëse kur dihet se 21 kandidatë janë favorizuar paraprakisht!

Dhe krejt në fund nëse ligjdhënësi ka pas për qëllim që femrat të përfaqësohen me 30% në Kuvendin Komunal, pse atëherë këtë çështje nuk e ka rregulluar me Ligj që 30% të subjekteve politike të cilat marrin pjesë në zgjedhjet komunale, për bartëse të listave t`i kenë femra edhe pse edhe në ketë mënyrë prapë femrat do të ishin të favorizuara, por kështu më pak kandidat të gjinisë mashkullore do të diskriminoheshin.

Në Gjilan prej 20 subjekteve politike në zgjedhjet e 2013 vetëm një femër ka qenë bartëse e listës.

E gjithë kjo që e paraqita këtu para jush të nderuar të pranishëm mundet me u përmbledhë me një fjali: ‘’Vota në Republikën e Kosovës është në sfidë’’.

Reforma zgjedhore duhet te ndodhe sa me pare por, jo ajo te behet nga politikanet por nga ekspertet dhe njerëzit e shkencës dhe të dijes.

Tefik Ibrahimi – Nënkryetar i AKR Dega në Gjilan

Kjo paraqitje është bërë në Konferencën e organizuar nga Instituti Demokraci për zhvillim në tryezën “Reforma dhe drejtësia zgjedhore në vitin 2014”.