Hidromorava

Vota ndëshkuese, mësim për politikën e inkriminuar

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Duke vazhduar analizën e rezultatit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, analistët politikë vazhdojnë të konstatojnë se edhe këto zgjedhje treguan se qytetarët janë tërësisht të pakënaqur me këtë klasë aktuale politike, kryesisht të inkriminuar, prandaj edhe në rrafshin e votës nacionale u ndërrua harta politike pas këtyre zgjedhjeve komunale.

VETËDIJESIMI I ELEKTORATIT KOSOVAR

Sovrani nuk lejon më që partitë të tallen

“Qytetarët, me votën e tyre të lirë, i ndëshkuan partitë e dështuara dhe kandidatët e implikuar në afera korruptive dhe kriminale”, potencoi analisti Florim Zeqa

Duke vazhduar analizën e rezultatit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, analistët politikë vazhdojnë të konstatojnë se edhe këto zgjedhje treguan se qytetarët janë tërësisht të pakënaqur me këtë klasë aktuale politike, kryesisht të inkriminuar, prandaj edhe në rrafshin e votës nacionale u ndërrua harta politike pas këtyre zgjedhjeve komunale.

Sipas rezultateve preliminare, 19 komuna, përfshirë gati krejt komunat më të mëdha, do të shkojnë në balotazh për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, kurse nga 19 komunat e tjera, ku fituesit kanë dalë pa balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, kurse në 12 të tjera ka mbetur në balotazh. Në vitin 2013, LDK-ja në rundin e pare kishte fituar vetëm tri komuna. Partia Demokratike e Kosovës pa balotazh ka fituar vetëm një komunë, duke humbur edhe disa komuna që njiheshin si bastione të saj. Ndërkaq në balotazh është në 9 komuna. Në zgjedhjet e kaluara lokale, PDK-ja kishte fituar në rrethin e parë në katër komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna, kurse në 5 shkon në balotazh. Në vitin 2013 i kishte 3 komuna nën udhëheqje. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ deri më tani nuk ka arritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, por në balotazh është në 6 komuna. Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa janë në balotazh në nga një komunë.

Sipas analistëve politikë, ky rirreshtim i rezultatit tani po tregon se po vetëdijesohen më në fund gradualisht qytetarët e këtij vendi, të cilët më nuk po votojnë blanko dhe në mirëbesim, ndërsa mosdalja e qytetarëve në zgjedhje është bojkotim i kësaj klase politike të inkriminuar.

Fituesit u bënë humbës

Analisti Florim Zeqa vlerëson se bazuar në rezultatet preliminare të rundit të parë të zgjedhjeve lokale vërehet një ndryshim substancial i hartës politike në vend, hartë e cila pritet të pësojë ndryshime akoma më të mëdha pas balotazhit në 19 komunat e Kosovës. “Vërehet një vetëdijesim gradual i qytetarëve të këtij vendi, të cilët më nuk do të votojnë blanko dhe në mirëbesim sikurse në të kaluarën. Për dallim nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, zgjedhjet lokale të 22 tetorit prodhuan një rezultat krejt tjetër, në formë dhe përmbajtje. Fituesit e zgjedhjeve lokale u shndërruan në humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet lokale dhe anasjelltas humbësit shënuan kthesë pozitive dhe janë në trend të mirë të përmirësimit të imazhit të tyre politik”, u shpreh ai. “Nëse i krahasojmë rezultatet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit me zgjedhjet lokale të katër viteve më parë, kemi një ndëshkim të partive politike nga elektorati, në veçanti të partive të inkriminuara. Qytetarët me votën e tyre të lirë i ndëshkuan partitë e dështuara dhe kandidatët e implikuar në afera korruptive dhe kriminale, me votimin e kandidatëve të pastër, me mosdalje në zgjedhje dhe me ‘prishjen’ e fletëvotimeve, duke ua dhënë shuplakën e dytë partive të inkriminuara”, potencoi Zeqa. “Rezultatet preliminare të zgjedhjeve tregojnë qartë se të gjitha partitë kanë pësuar humbje nga zgjedhjet e para 4 viteve dhe se nuk e meritojnë të qeverisin vendin tutje këto parti të dështuara”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Hidromorava

Perëndoi koha e bastioneve

Analisti Hidajet Ahmeti po ashtu vlerëson se ka një rritje të nivelit kritik të gjykimit të votuesve në këto zgjedhje të fundit. “Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit treguan për rritjen e nivelit të vetëdijes qytetare. Partitë politike, të cilat abuzuan buxhetin e komunave, vepruan dhe punuan me arrogancën e vullnetit qytetar, votuesi ua tregoi vendin. Zgjedhjet lokale janë një barometër matës për ndryshime të hartave për partitë politike, të cilat rezultate do të përkthehen drejtpërdrejt në vetëdijesimin dhe disiplinimin e partive politike”, tha Ahmeti.

Gjykim të ngjashëm ka edhe analisti Jeton Kelmendi. “Mendoj se qytetarët e Kosovës kanë filluar të mendojnë në mënyrë racionale, madje edhe kanë nisur ta edukojnë kastën politike, duke u dhënë dënimin atyre që nuk punuan mirë, ndërsa duke i shpërblyer ata që punuan. Realisht shihet një trend i vetëdijesimit qytetar, sepse nuk po funksionojnë më populizmat dhe manipulimet me çështje të mëdha”, u shpreh ai.”Një gjë tjetër shumë pozitive është thyerja e bastioneve dhe nuk është më i sigurt në fitore askush nëse nuk punon me përkushtim për interesin jetik të qytetarit”, tha Kelmendi.

Nevojiten alternativa të reja

Edhe nga këndvështrimi i analistit politik Arsim Haziri pothuajse të gjitha partitë politike në këtë rreth zgjedhor janë deklasuar. Sipas tij, nevojitet dalja e një garniture të re politike, e cila nuk do të ishte e infektuar nga dy subjektet, PDK dhe LDK. “Mosprezenca e 60 për qind të qytetarëve në zgjedhje dëshmon për një mosbesim në skenën politike, mosbesim në politikat e tyre, të cilat politika gjithnjë e më shumë janë zhvilluar në funksion të së mirës individuale dhe pikërisht për këto atribute negative edhe dalja e votuesve ishte e ulët”, tha Haziri për “Kosova Sot”. Edhe sipas analistit politik Blerim Burjani, pozitivja e këtyre zgjedhjeve është ndryshimi i hartës politike në vend, si rezultat i gjykimit dhe vlerësimit më të drejtë nga votuesit, sado që dalja nuk ka qenë e kënaqshme dhe më masive. “Harta politike ka ndryshuar, pasi kjo hartë politike e përbërë që 17 vjet nga partitë e njëjta duket dhe flet se këto parti politike janë pa perspektivë. Me këtë klasë politike elektorati po vjen vetëm duke humbur, por jo edhe duke u ngritur”, tha Burjani.

Mirëpo, sipas tij, tani me rëndësi është që vota po ndëshkon. “Ka ndryshime të theksuara në vetëdijen qytetare, por duhet të bëhen akoma zhvillime të reja dhe të dalin edhe parti të reja, të formohen iniciativa krejtësisht të reja qytetare dhe të hiqet kjo klasë politike e deritashme e degraduar”, potencoi Burjani për “Kosova Sot”. Mt: Kandidatët e rinj u sfiduan Sipas analistit Ali Hertica, ndonëse partitë politike, shumica prej tyre, janë përpjekur të gjejnë kandidatë të cilët do të tërheqin votuesit që të marrin vota nga elektorati, nuk kanë arritur ta bëjnë këtë te shumica e rasteve. “Aty ku subjektet janë përpjekur të ofrojnë kandidatë sa më të shkolluar dhe të përgatitur dhe kjo vlen për t’u vlerësuar, ngase kjo e pasuron garën më mirë, e në disa raste ka dhënë edhe efekte pozitive, por megjithatë nuk mund të vlerësohet krejtësisht pozitive dhe nuk kishte sukses te të gjitha partitë politike”, u shpreh ai. “Qytetarët nuk ishin të familjarizuar me kohë me kandidatët anonimë dhe nuk kanë mundur në asnjë mënyrë që ta njohin shpejt dhe ta mbështesin me votë atë “ardhacakun”, por janë përcaktuar kryesisht për vendasin sado i papërgatitur që ka mundur të jetë ai. Kjo nuk ka kontribuar shëndetshëm as për partinë politike, por as për votuesin”, tha Hertica.

Ndërsa analisti Skënder Mulliqi pohon se risi është se për kryetar të komunave patëm disa njerëz të rinj, por të papërvojë në qeverisjen lokale, megjithatë partitë politike tradicionale kanë filluar t’i kthejnë bastionet e tyre.”Edhe kësaj radhe nuk patëm dalje masovike në zgjedhje, që ato të jenë legjitime në kuptimin e plotë të fjalës. Qytetarët tashmë janë ngopur nga retorikat bajate, janë lodhur nga premtimet boshe dhe janë lodhur me këto zgjedhje të stërzgjatura në kohë, e që duhet rregulluar me ligj që ato të shkurtohen në 15 ditë”, tha ai. “Për qytetarët tanë nuk janë shumë të rëndësishme statistikat së kush do të dalë fitues nga 19 komunat sa janë në balotazh, por më rëndësi është që gjendja ekonomike dhe politike të ndryshohet për të mirë”, theksoi Mulliqi.

(Kosova Sot)