Mobi Casa

Vonesa akademike e Valentinës: Përhajrimet në Spitalin e Gjilanit

/ 10 minuta lexim
FITORJA

Gjilan – Duke kërkuar falje për vonesën akademike, kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka sqaruar se ishte dashur të bënin një vizitë zyrtare në Spitalin Regjional, që nuk ka qenë e planifikuar më herët. Ajo ka thënë se opozita nuk ka pasur kurajë të dëgjojë fjalën e kryetarit, për rezultatet e kësaj qeverisje dhe as nuk ka qenë e gatshme të përballet me raportin e auditorit të përgjithshëm, ku konstatohen gabimet e qeverisjes së kaluar.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur të hënën seancën e radhës, ku fillimisht ka votuar për shtyrjen e ndryshimeve të statutit të Komunës për një seancë të veçantë. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se është e nevojshme të bëhen edhe disa harmonizime në variantin final.

Sipas opozitës (PDK), e cila paraprakisht ka kundërshtuar shuarjen e dy drejtorive, siç është propozuar nga komisioni statutar, shtyrja u bë për shkak se pozita nuk i kishte të sigurt votat e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet në statut.

KK miratoi edhe buxhetin për vitin 2015 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2016-2017, rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2015, ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Komunës, planin komunal për efiçiencë të energjisë, vendimin për qasje në revidimin e planit rregullues “Qendra 4”, lejimin e këmbimit të një prone komunale me një pronë private në lagjen “Zabeli” për nevoja të rrugës publike si dhe është njoftuar me Raportin e Auditimit për vitin e kaluar.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se Komuna e Gjilanit, po mundohet ta bëjë punën e saj në përputhje me ligjin. “Unë jam i interesuar që Kuvendi Komunal të jetë organi më i lartë vendimmarrës e jo Zyra e Kryetarit”, ka thënë Haziri. Sa i përket mos pjesëmarrjes së tij në takimet e komiteteve, Haziri ka thënë se ai nuk është i interesuar që të ndikojë në asnjë mënyrë në vendimmarrje, prandaj i kanë lënë trupat komunale që të punojnë në mënyrë të pavarur.

Kuvendi ka miratuar edhe rregulloren për tatimin në pronë, të cilin e ka arsyetuar Ilmi Limoni, drejtor financiar. Ai ka thënë se për vitin 2015 është paraparë një zbritje e bazës tatimore, meqë norma tatimore nuk mund të ndryshohet sepse është e përcaktuar nga niveli qendror.

Vlerësimet ndërmjet pozitës dhe opozitës për uljen e bazës tatimore kanë qenë të ndryshme. Zijadin Maliqi (LDK), i cili e ka përkrah rregulloren, ka thënë se beson që një vlerësim më real të pronës do të ketë më vonë në nivel të Kosovës, i cili do të bëhet shtëpi për shtëpi.

Sipas Riad Rashitit (PDK), ulja e bërë në bazën tatimore, është simbolike në shumën e përgjithshme të tatimit, ndërkaq ai tha se grupimi politik i PDK-së ka vërejtje edhe te ndarja sipas zonave. Selami Xhemajli (AAK) konsideron se dhe kjo ulje prej 10 për qind në bazën tatimore, është një lehtësim për qytetarët.

Nevzd Isufi (VV) ka kërkuar që familjet e dëshmorëve dhe kategoritë tjera të dala nga lufta, të lirohen nga tatimi në pronë. Ai ka kërkuar që të ketë favore për ata që kryejnë obligimin para kohës, meqenëse parashihen kamata ndëshkuese për ata që nuk respektojnë afatin.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se janë marrë parasysh si interesat e Komunës, ashtu edhe të qytetarëve, për ta bërë atë sa më të përballueshme, duke rikujtuar se deri tani borxhet kanë arritur në 9 milionë euro. “Ne nuk e kemi ndërmend të marrin asnjë masë ndaj këtyre qytetarëve, por i lusim ata që t`i paguajnë obligimet e veta”, ka thënë Haziri.

Propozim-buxhetin 2015 e ka arsyetuar Ilmi Limoni, drejtor financiar, i cili ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2015, është 21.839.768 euro. Kjo shumë sigurohet nga granti qeveritar – 17.979.815 euro dhe të hyrat vetanake – 3.859.953 euro. Ky buxhet do të shpenzohet për paga – 14.150.000 euro, për mallra dhe shërbime – 2.857.491, për shpenzime komunale – 562.200 euro, për subvencione – 674.000 dhe për investime kapitale – 3.596.077 euro.

Limoni tha se problem i veçantë për komunën e Gjilanit është granti për arsim, që nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij, ngritja e pagave në arsim është bërë pa mbulesë. Edhe Zijadin Maliqi (LDK) tha se 2015-ta do të jetë në vit i vështirë financiar. Tek të gjitha kategoritë buxhetore, me përjashtim të subvencioneve, ka ulje.

Nevzad Isufi (VV) tha se zvogëlimi i buxhetit në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik është i papranueshëm. Mevlide Zejnullahu (AAK) ka thënë se rritja e buxhetit për tri vitet e ardhshme, është minimale. Kurse Riad Rashiti (PDK), tha se buxheti është degradues dhe nuk siguron zhvillim. Edhe Sahit Abazi (PDK) tha se ky buxhet nuk garanton zgjidhje të problemeve të qytetarëve.

I pa mjaftueshëm u cilësua buxheti edhe nga Arben Maliqi (LDK), i cili fajësoi nivelin qendror për caktimin e kufijve buxhetor, por edhe deputetët e Gjilanit, të cilët nuk po angazhohen se duhet për të përmirësuar grantet qeveritare për komunën e tyre.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se ky nuk është buxhet i Komunës së Gjilanit, sepse kufijtë buxhetor i ka caktuar MEF-i dhe i ka ftuar këshilltarët komunalë që të punojnë bashkë për të ndryshuar gjendjen me rishikim të buxhetit, më 15 tetor. Ai ka thënë se ndarja e granteve për komuna është e pa drejtë, sepse një komune i jepen 17 milionë euro për një rrugë, ndërsa Gjilanit i ndahen gjithsej 4 milionë euro.

“Ky buxhet është zero, në krahasim me kërkesat e komunës së Gjilanit”, ka thënë Haziri, duke shtuar se ne nuk po kërkojmë benificione, por po kërkojmë barazi në ndarjen e buxhetit.

Uji Dea

Opozita (PDK e VV) nuk kanë marrë pjesë në vazhdim të seancës, duke u larguar nga salla e Kuvendit, në kohën e pauzës, me arsyetim se vazhdimi i saj u vonua. Duke kërkuar falje për vonesën akademike, kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka sqaruar se ishte dashur të bënin një vizitë zyrtare në Spitalin Regjional, që nuk ka qenë e planifikuar më herët.

Ajo ka thënë se opozita nuk ka pasur kurajë të dëgjojë fjalën e kryetarit, për rezultatet e kësaj qeverisje dhe as nuk ka qenë e gatshme të përballet me raportin e auditorit të përgjithshëm, ku konstatohen gabimet e qeverisjes së kaluar.

Kuvendi ka miratuar Planin komunal për efiçeincë të energjisë. Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike, ka thënë se përmes kësaj strategjie, që është obligim ligjor, synohet reduktimi i konsumit të energjisë elektrike, përkatësisht shfrytëzimi sa më racional i resurseve ekzistuese.

Anëtarët e Kuvendit Komunal janë njoftuar edhe me Raportin e auditorit të përgjithshëm për pasqyrat financiare për vitin 2013. Zijadin Maliqi (LDK), tha se në raport nënvizohen vërejtje të shumta, duke nënvizuar se vërejtjet më të mëdha janë dhënë në Zyrën e Prokurimit dhe te obligimet e krijuara nga Komuna, pa zotim të mjeteve.

Edhe Avdyl Aliu ka vënë në dukje disa nga të metat e konstatuara në raport. Kurse Isa Agushi ka thënë se dikush është dashur të përgjigjet penalisht nëse kanë ndodhur gjithë këto shkelje që i konstaton raporti.

Meqë opozita nuk ishte e pranishme në këtë pjesë të seancës ku u diskutua raporti, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se ky raport do të jetë në rend ditë edhe në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal.

Kuvendi Komunal miratoi edhe vendimin për qasje në planin e hollësishëm rregullues “Qendra 4” që e paraqiti drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu, duke thënë se bëhet fjalë për një hapësirë prej 28 hektarësh si dhe vendimin për këmbimin e një prone komunale me një pronë private në lagjen “Zabeli…”, për nevoja të hapjes së nj rruge për shkollë, të cilin e arsyetoi Nevzad Rushiti, kryetar i Komitetit të Pronës.

Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, tha se kërkesa nuk është e kompletuar, prandaj kërkoi të mos procedohet më tutje, derisa të kompletohet lënda. Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, tha se dokumentacioni është i kompletuar dhe kërkoi që vendimi të votohej. Miratimi i këtij vendimi u bë me kushtin që dokumentacioni të kompletohet, nëse ka ndonjë mangësi.

Kuvend Komunal ka autorizuar Komitetin e Arsimit, që në bashkëpunim me drejtorin e Arsimit, të hartojnë kriteret për regjistrim të nxënësve në klasën e parë dhe pastaj ato t`i sjellin për miratim në asamble.

Kuvendi përkrahu edhe kërkesën e qytetares Florije Mehmetit, për t`i ofruar një ndihmë financiare në operimin e syve jashtë vendit. Në emër të Komitetit të Shëndetësisë, kërkesën e paraqiti Imet Rrahmani, i cili tha se bëhet fjalë për një paciente, e cila ka nevojë të trajtohet jashtë vendit.

Përndryshe, Krenare Latifi-Kqiku (VV) e ka dhënë betimin dhe është anëtare e re e Kuvendit Komunal, duk e zëvendësuar kështu Besa Baftiun, e cila është zgjedhur deputete e Parlamentit të Kosovës.

Nën pikën të ndryshme, anëtari i Kuvendit, Jonuz Hasani (PR) mohoi t`i jetë bashkuar ndonjë grupimi politik në Kuvend, siç kanë njoftuar disa portale, duke thënë se këtë nuk e ka bërë dhe as që e ka ndërmend ta bëjë.

Ndërkaq, Muharrrem Bajrami, në cilësinë e qytetarit, ka prezantuar para Kuvendit Komunal problemet mes dy shoqatave të pensionistëve rreth një hapësire të punës, duke kërkuar një zgjidhje, meqë shoqata e tyre është përjashtuar nga kjo e drejtë. Njëherësh, ai ka mohuar që të ketë dhënë deklarata në portale, ku thuhet se atij nuk i ishte dhënë fjala në Kuvend Komunal për të paraqitur këtë shqetësim të pensionistëve.

Duke e sqaruar këtë çështjen sa i përket kërkesës së Muharrem Bajramit për të marrë fjalën në Kuvend, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi ka sqaruar se nuk qëndrojnë ato që janë thënë në disa portale, duke nënvizuar se Bajramit nuk i është mohuar e drejta e fjalës, por i është kërkuar që këtë ta bëjë në pikën në të ndryshme.

Kurse sa i përket problemit që prezantoi ai, Bunjaku-Rexhepi tha se do t`i propozojë kryetarit të Komunës që të formojë një komision për t`u marrë me rastin e pensionistëve si dhe për të dhënë një propozim për zgjidhje të këtij problemi./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.