Fundamenti

​Von der Leyen në samitin BE-Ballkani Perëndimor: Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet

/ 2 minuta lexim

Në përfundim të Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e përkushtimit të Kosovës dhe Serbisë për të përmbushur obligimet e tyre brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Ajo bëri thirrje për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe u shpreh optimiste për uljen e tensioneve në rajon.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, von der Leyen u ndal në diskutimet e samitit që pasqyruan të dhënat e fundit të Raportit të KE-së për Zgjerimin dhe shtoi se qëllimi i BE-së mbetet afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me bllokun evropian.

Ajo përmendi progresin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe perspektivën e Bosnje dhe Hercegovinës për të nisur këto bisedime pas përshtatjeve të nevojshme.

Uji Dea

“Së pari, le të theksoj qëllimin tonë të qartë për të nxitur fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, shprehim gatishmërinë për të hapur këto negociata me Bosnjen dhe Hercegovinën, kur ata të jenë të gatshëm. Gjithashtu, shohim një mundësi të re me qeverinë e re në Mal të Zi për të vazhduar me procesin e integrimit,” shpjegoi von der Leyen.

Ajo vuri në dukje progresin e bërë nga Kosova dhe Serbia në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shprehu pritshmërinë e BE-së për implementim të mëtejshëm, me një vëmendje të veçantë tek zbutja e tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

“Prandaj, për Kosovën dhe Serbinë, rruga përpara mbetet e qartë: ata duhet të vazhdojnë me angazhimet e tyre siç janë përcaktuar nga dialogu i BE-së. Ne jemi të kënaqur me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe tani presim të shohim një zbatim të vendosur të saj. Për më tepër, është inkurajuese të dëgjosh për përpjekjet e reduktimit të tensioneve në veri të Kosovës, duke u fokusuar tek çështjet siç janë targat e automjeteve, energjia dhe organizimi i zgjedhjeve të hershme komunale,” përfundoi von der Leyen./Telegrafi/