Von Cramon shpreson t’i shohë në marrëveshje nënshkrimet e Kurtit e Vuçiqit javën e ardhshme në Ohër
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se shpreson që në takimin e ardhshëm në Ohër, Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen për Planin Evropian.
Eurodeputetja gjermane ka theksuar në Twitter se ky do të jetë një hap i madh drejt BE-së për të dy shtetet.
…
Ajo ka komentuar deklaratën e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos e humbin rastin në Ohër, duke thënë se marrëveshja do të përshpejtojë integrimin euroatlantik dhe do të ofrojë një mundësi historike në rrugën e plotë drejt normalizimit dhe njohjes reciproke, duke thënë se pajtohet me këtë vlerësim.
“Shpresoj shumë që do të shohim të dyja nënshkrimet nën marrëveshje në fund të javës së ardhshme në Ohër. Do të jetë një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Von Cramon.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde i ka ofruar mbështetje të plotë emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi. Ai shkroi në Twitter se “një marrëveshje është e arritshme” dhe se “Kosova do të fitojë shumë”. Ai tha se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin “tani”, raporton Gazeta Express.
“Një marrëveshje është e arritshme. Kosova do të fitojë shumë. Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj të kahershëm dhe ta sjellë Asociacionin tani”, shkroi Rohde.
Ambasadori gjerman dërgoi mesazhin e tij për Kosovën dhe Serbinë para takimit të rëndësishëm në Ohër.
“Apeli im për Kosovën (dhe Serbinë) për bisedimet e ardhshme në Ohër: ‘Mos e humbni autobusin’”, shkroi Rohde.
“Një marrëveshje do ta përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës dhe është një shans historik në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke”, theksoi ambasadori i Gjermanisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër, pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel ku u dakorduan për Planin Evropian, por nuk e nënshkruan atë.