Vokshi: Në vëmendjen e AAK-së është rinia
Gjilan – Arlind Vokshi thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është një parti që ka treguar se gjithnjë ka qenë në mbështetje të qytetarëve të Kosovës dhe se objektivi i saj madhor është integrimi i Kosovës në familjen e madhe Evropiane.
Vitet e fundit AAK, po investon gjithnjë e më shumë te një forcë që shumë pak është përfshirë në ndryshimet e vendit, por që është e ardhmja e Kosovës. Në vëmendjen e AAK-së është rinia, si pjesa më vitale e shoqërisë. Ajo është forca që gjeneron shumë energji, një forcë me një mentalitet pozitiv dhe që nuk duhet të lihet mbas dore vlerëson Vokshi kryetar i të rinjve të AAK-së në Gjilan.
Sipas tij Qeveria po tregon se nuk ka asnjë vizion të qartë për rininë dhe se premtimet e sotme të qeverisë mbesin të tilla, një mashtrim, pasi rinia nuk gjen hapësirën e duhur për tu integruar në shoqëri. AAK kërkon të jetë një promovuese e vlerave të rinisë shqiptare, e forcës së saj, por edhe e zhvillimeve që vendi ynë do të ketë në të ardhmen. Jemi të hapur për bashkëpunim, e ku çdo i ri mund të gjej veten, e ardhmja e Kosovës i përket kësaj rinie, dhe ajo nuk duhet të ndihet e mënjanuar, përkundrazi të jetë ballë e ndryshimeve historike të vendit.
AAK ka një program të sajin, shumë të rëndësishëm dhe që ka për qëllim ndërtimin e një jete sa më të mirë për të rinjtë, dhe për këtë AAK ka vendosur të jetë ballë e këtij ndryshimi, duke ofruar të gjithë bashkëmoshatarët e saj drejtë këtij ndryshimi, e po për këtë arsye e shohim si shumë të rëndësishme rolin e rinisë shqiptare në zhvillimin e vendit, si një mbështetje e pazëvendësueshme, pasi ata do të jenë e ardhmja e kombit, kontribuues dhe përfitues të integrimit të Kosovës në strukturat e BE-së.
Rinia me këtë dashuri dhe vizion, e së bashku me mbështetjen tonë, mund ta sigurojmë të ardhmen e shëndoshë dhe mirëqenien e siguruar, të mos lejojmë të jemi të shtypurit e së tashmes, por të jemi shpresa e merituar e së ardhmes ka thënë Vokshi./rajonipress/


