Eko Higjiena

Vokrri tërhiqet nga kritikat ndaj UEFA-s

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, është tërhequr nga kritikat që i ka bërë UEFA-s, për injorimin e shtetit të tij në njërën anë dhe duke i mundësuar Gjibraltarit të jetë anëtar i përkohshëm i këtij institucioni, në anën tjetër.

Në fillim të kësaj jave presidenti i FFK-së, Vokrri lëshoi një vërejtje të fortë ndaj UEFA-s, duke e gjykuar atë për “standarde të dyfishta” të treguar ndaj Kosovës në krahasim me situatën e Gjibraltarit.

Vokrri gjithashtu nuk la pa e kritikuar edhe FIFA-n, e cila edhe njëherë e shtyu vendimin për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës. Kësaj here, FIFA bëri të ditur se për këtë çështje do të diskutohet në muajin dhjetor, shkruan koha.

Komentet e Vokrrit erdhën pasi UEFA e pranoi Gjibraltarin si anëtar të përkohshëm, falë vendimit të Gjykatës për Arbitrim Sportiv (CAS). Mirëpo, duket se UEFA dhe FIFA, institucione këto që e kanë në konsideratë çështjen e Kosovës për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, janë irrituar në masë të madhe nga deklaratat e Vokrrit. Vokrri edhe pse nuk kërkoi falje nga FIFA, u mundua ta mbajë një balancim me drejtuesit e UEFA-s, të cilët janë të shqetësuar për komentet e tij.

UBT

“Dua ta sqaroj një gjë. UEFA nuk i ka thyer statutet e veta për ta bërë Gjibraltarin anëtar të përkohshëm. Kur Gjibraltari ka aplikuar për t’iu bashkuar UEFA-s, statuti ka qenë tjetër”, ka deklaruar Vokrri. “Rregullat që të mos pranohen shtetet që nuk janë anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk kanë qenë të vlefshme në atë kohë”.

Vokrri insiston se nuk ka protestuar për vendimin e UEFA-s, që e pranoi përkohësisht Gjibraltarin. Ai bëri të ditur se këto protestime, i ka bërë në drejtim të FIFA-s që shtyu vendimin për modalitetet për miqësore.

“Unë kam protestuar për vendimin e FIFA-s, për shtyrjen e modaliteteve për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të Kosovës. Dhe jo për të drejtën e Gjibraltarit që t’i bashkohet UEFA-s”, është shprehur Vokrri. “Shpresoj që Kosova më në fund, do të mund të luajë ndeshje miqësore pas mbledhjes së FIFA-s në muajin dhjetor”, ka thënë Vokrri.