Vllasi: Synimi i Vuçiqit është shtyrja e dialogut, Kosova të insistojë në një afat që të njihet nga Serbia
Juristi Azem Vllasi, ka thënë se synimi kryesor i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shtyrja e dialogut.
Kjo sepse sipas Vllasit, e njëjta i konvenon vetëm Serbisë.
Ai në një linjë direkte në RTV Dukagjini ka theksuar se Kosova duhet të insistojë te ndërkombëtarët që të dijë një afat të caktuar për Serbinë, kur kjo e fundit duhet ta njohë Kosovën.
“Synimi kryesor i Vuçiqit është që të shtyhet dialogu sepse nuk i konvenon që dialogu të përfundojë me një marrëveshje finale sepse e njëjta nënkupton njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Pala kosovare duhet ta shtrojë një kusht i cili është që Serbisë t’i jepet një afat që ta njohë Kosovën dhe ta largojë atë nga Kushtetuta e Serbisë”
“Mënyra e futjes dhe ekzistimit të Kosovës brenda Kushtetutës së Serbisë është mënyrë e dhunshme, jo legjitime. Kosova duhet të insistojë që ta dijë afatin se kur është ai afat që Serbia do ta njohë Kosovën”, u shpreh ai.
Megjithatë, Vllasi beson se pas sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator ku humbi jetën rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ka ndryshuar gjithçka.
“Nuk është asgjë çfarë ishte më parë, ka ndryshuar situata në favor të Kosovës sepse synimi kryesor ishte që pjesën veriore të Kosovës ta ndajë nga çfarëdo ndikimi apo prezence të pushtetit të Kosovës atje. Prej një pozite që ishte të pafavorshme në dialog me Serbinë, Kosova e ka një pozitë më të mirë në dialog dhe kjo duhet të shfrytëzohet sepse të gjithë ndërkombëtarët u bindën se në këtë akt terrorist ishte Serbia dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhte assesi pa mbështetjen e Serbisë”.
Ai thekson se ndërmjetësuesve të dialogut “nuk iu ngutet”.
“Ndërmjetësuesit në dialog iu ngutet sepse është një synim që të kryhet dialogu dhe marrëveshja për çështje esenciale në mes të dy vendeve para zgjedhjeve në Serbi por kjo nuk është reale por pala e Kosovës duhet t’i marrë këto seriozisht dy çështje që i kanë shtruar ndërmjetësuesit si urgjente, zgjedhja e kryetarëve në katër komunat në veri, çështja e dytë ka të bëjë me Asociacionin”.