Vllasi: Protestat nuk janë zgjidhja, çelësi për Karaqevën është në NATO

Gjilan – Azem Vllasi ish politikan dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike edhe në raport me Serbinë thotë për rajonipress se protestat për çështjen e Karaqevës nuk janë mjet që e zgjidhë apo definon vijën kufitare. Çelësi për ta sqaruar vijën kufitare ndodhet në NATO sepse ajo është kompetente thotë Vllasi.
Azem Vllasi njohës i mirë i raporteve politike me Serbinë në një prononcim për rajonipress duke komentuar kontestin kufitar në Karaqevë thotë se tash e tutje protestat nuk kanë efekt dhe nuk janë mjet për zgjidhjen e problemit. “Çelësi që definon vijën kufitare të Karaqevës ndodhet në NATO. Ajo është kompetente sepse shumëçka është shkruar dhe definuar në Kumanovë kur është nënshkruar marrëveshja mes NATO-së dhe Serbisë dhe ne ende nuk e dimë se çfarë është nënshkruar në atë dokument” tha Vllasi, raporton rajonipress.
Vllasi tha se NATO ka obligim ndaj palës kosovare e në veçanti ndaj 4000 banorëve të Karaqevës që ta sqarojë këtë kontest kufitar i cili ka vite që po u shkakton telashe banorëve të brezit kufitar. “Unë edhe vet isha pjesëmarrës i protestës së fundit dhe realisht ajo bëri efektin e vet, por përgjigja dhe çelësi sërish ndodhet në NATO. Tani ne duhet ta presim përgjigjen e zyrtarëve të NATO-së pasiqë Samuel Zhbogar ka e dërguar interesimin e banorëve të Karaqevës në selinë e NATO-së” thotë Vllasi.
Vllasi tha se ishte pikërisht Samuel Zhbogar që tregoj qartë se kush është përgjegjës për vijën kufitare dhe ai ka kërkuar ndihmë nga NATO.
Vllasi mendon se problemi i Karaqevës nuk guxon të stërgjatët sepse mund të krijojë probleme të paparashikueshme. “Banorët atje janë lodhur e irrituar nga provokimet e vazhdueshme të xhandarmërisë serbe dhe provokimet e tyre nuk kanë të ndalur. As tokat banorët e brezit kufitar nuk janë të lirë t`i punojnë siç duhet dhe kjo shkakton reaksione” tha Vllasi.
Vllasi tha se institucionet e Kosovës duke filluar nga Kuvendi e Qeveria kanë autoritetin e plotë për të kërkuar sqarime zyrtare nga NATO rreth Karaqevës./rajonipress/