RCCOLA

Vllasi: Me kriminelë, nuk kryejnë punë fjalët

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Analisti politik, Azem Vllasi në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se vrasja e pjesëtarit të EULEX-it në pikën doganore në Jarinje duhet të jetë mësim për ndërkombëtarët se problemet me strukturat kriminale nuk zgjidhen vetëm me gjuhën e politikës.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht EULEX-i janë duke u ballafaquar me pasojat e asaj që nuk e kanë bërë punën e tyre si duhet, në mënyrë që të sundoj ligji dhe rendi në veri.

“Kjo ngjarje është ngjarje shumë e keqe dhe e dhimbshme, dhe pa asnjë dyshim këtë e kanë bërë qarqet ekstremiste dhe kriminale serbe të cilat tashmë i ka kapur paniku se shumë shpejt do të mbyllet hapësira e tyre”, tha ai për Telegrafin.

Eco Higjiena

Vllasi shprehet se vrasja e pjesëtarit të EULEX-it e ka për qëllim frikësimin e serbëve që të mos dalin në zgjedhje, duke shtuar se qëllimi kryesor ka qenë që gjendja e deritanishme të zgjasë edhe më tepër.

“Ndërkombëtarët janë bindur se tolerimi deri në këtë kohë i këtyre strukturave kriminale, ka qenë gabim i cili tash po reflekton me pasoja. Besoj se ndërkombëtaret do t’i angazhojnë të gjitha forcat në ndriçimin dhe zbulimin e fajtorëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë”, ka theksuar ai.

Vllasi ka shtuar se politika në Beograd lajmin e vrasjes së policit të EULEX-it e ka pranuar me shqetësim, sepse kjo ngjarje në një farë formë ka pasur për qëllim që t’i minoj të gjitha përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve në mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve./Telegrafi/