Vllasi: Dorëheqja e Pecit tregon joseriozitet të institucioneve

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Njohësi i zhvillimeve politike në Serbi, Azem Vllasi, ka vlerësuar për Telegrafin se dorëheqja e Lulzim Pecit demonstron një mungesë totale të seriozitetit përbrenda strukturës shtetërore të Kosovës. Sipas tij, kjo i jep imazh të keq institucioneve të vendit përballë atyre të Serbisë dhe në opinionin ndërkombëtar.

“Me shku njeriu në Beograd, i deleguar prej shtetit të Kosovës, me kompetenca të qarta, pasi bëhet temë e ditës në media, e prej atje me komuniku që po jep dorëheqje, kjo është joserioze. Ai edhe më parë i ka pasur të qarta arsyet për të cilat thotë se tërhiqet nga posti”, ka thënë Vllasi për Telegrafin.

Sipas tij, kjo është dëshmi e dështimit të pushtetit të Kosovës, e jo personalisht e Lulzim Pecit.

Vllasi ka deklaruar se emërimi i dy zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd, deri tash nuk ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës, nga Serbia.

RCCOLA

Sipas tij, nga ana e Kosovës është shumë e logjikshme që të insistohet që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet, ndërsa nuk është çështja më e rëndësishme në cilën kohë do të ndodhë kjo.

“Por, të pretendojmë që t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë në çfarëdo forme, pra edhe duke i shkëmbyer këta oficerë ndërlidhës, por nëse nuk shtrohet çështja e pranimit, kjo është demonstron një papjekuri politike dhe joseriozitet të shtetit tonë”, ka thënë Vllasi.

Ndërkohë, zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili sipas Pecit, e ka telefonuar pas një deklarate të dhënë për mediat në Beograd se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore. /Telegrafi/