Vjeshtë e rëndë për pushtetin

Viti në të cilin posa kemi hyrë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, është vit i rregullt zgjedhor për zgjedhjet e nivelit lokal, të cilat duhet të mbahen diku të vjeshtën e hershme apo në mes të vjeshtës.
Zgjedhjet lokale, mundësi për ndëshkimin e qeveritarëve të dështuar.
Analistët mendojnë se votimet e rregullta për qeveritë lokale do të jenë një test interesant, sidomos për të mundësuar debaklin e atyre që mashtruan qytetarin e që pritet të ndëshkohen me votë,raporton Gazeta Kosova Sot
Viti në të cilin posa kemi hyrë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, është vit i rregullt zgjedhor për zgjedhjet e nivelit lokal, të cilat duhet të mbahen diku të vjeshtën e hershme apo në mes të vjeshtës. Sipas njohësve të realitetit politik dhe qeverisës në vend, këto zgjedhje do të duhej të ishin një rast i mirë i rirreshtimit të skenës politike dhe duhet të jenë një moment kyç për ndëshkimin e gjithë kësaj skene politike, në të dyja nivelet, si në Komuna ashtu edhe në pushtetin qendror, për qeverisjen e dobët dhe jo zhvillimore të vendit. Pothuajse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, po dalin të jenë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, ndërsa kjo klasë politike po e çon vendin drejt shkatërrimit. Sidoqoftë, optimizmi për vetëdijesimin e qytetarëve që ta ndëshkojnë këtë klasë politike, për t’i dhënë shansin një identiteti të ri politik e programor, nga njerëz të profesionit e të pasprovuar në afera korruptive, mbetet akoma vetëm një pritje ideore, por shumë pak shpresëdhënëse.
Analisti politik, njohës i shumë proceseve të kaluara zgjedhore, Blerim Burjani, thotë se është e pritshme që të jenë mjaft sfiduese zgjedhjet lokale të këtij viti, për këtë skenë politike.”Tani askush tek qytetarët nuk ka mendim pozitiv për këtë klasë politike, e cila ka degraduar plotësisht. Prandaj, edhe zgjedhjet lokale edhe ato eventuale qendrore do të jenë një storje interesante dhe të befasishme për këto parti, të cilat e kanë vendosur sundimin e anarkisë para demokracisë”, është shprehur Burjani.
Hapësirë e vogël për subjekt të ri Analisti Fadil Lepaja thotë se është e vështirë të pritet dhe të besohet që me këtë strukturë sociale dhe ekonomike të bëhet një ndryshim thelbësor nga subjektet që nuk kanë rrënjë në jetën reale të qytetarëve. Sipas tij, aktualisht as faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar për të sjellë një frymë të re politike në vend dhe për ta mbështetur atë në proces elektoral për të marrë përgjegjësi në qeverisjen e vendit.”Nuk shoh aktualisht hapësirë për ndonjë subjekt të ri politik. Arsyet janë të thjeshta, nuk ka ndonjë grup interesi, as ndonjë fuqi të jashtme për ndryshime serioze. Në planin global dhe regjional janë duke ndodhur rirreshtime dhe lojtarët lokalë ende po i kryejnë detyrat për çka përkrahen, ose janë formuar. Nuk ka ndonjë ide të re, apo projekt të ri, në të cilin do të kërkohej edhe një forcë e re politike. Partitë ekzistuese kanë pësuar ndryshime të caktuara, por jo esenciale. Pra, fuqitë reale nuk e ndiejnë nevojën e një subjekti të tillë”, theksoi ai. “Qytetarët janë të rreshtuar në plan afatgjatë, pasi që me partitë i lidh edhe interesi ekonomik. Tani numri më i madh i profesionistëve, por edhe qytetarëve, është mbledhur në disa parti, të cilat dallojnë vetëm në nuanca nga njëratjetra dhe për bindjen time mund të reformohen brenda një procesi të dekriminalizimit”, potencoi më tutje ai. “Një projekt “revolucionar” vështirë se mund të kalojë, qoftë te qytetarët, qoftë te bashkësia ndërkombëtare, e cila po e mbikëqyr dhe po e drejton procesin rajonal të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si një projekt”, ka pohuar analisti Fadil Lepaja për “Kosova Sot”.