Fundamenti

Vjehrra: Nusja me rrahu me çekiç për një krehër, më mbroni

/ 4 minuta lexim

Durrës – Nuk gjente krehrin dhe pasi ka pyetur të bijat, ka shkuar ia ka kërkuar vjehrrës. As ajo nuk ka ditur t’i tregonte se ku e kishte lënë dhe kaq ka mjaftuar që nusja t’i jepte “dajak” e për t’i vënë vulën ta qëllonte disa herë me çekiç, derisa kunata tjetër ia ka hequr nga dora. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Tanuzi, në prani të dy vajzave të familjes, 8 dhe 9 vjeçe, mëngjesin e së dielës, në fshatin Shetë të Komunës Ishëm.

56-vjeçarja është shoqëruar menjëherë në Urgjencën e Durrësit ku i është nënshtruar mjekimit në kokë, ndërsa mjekët thanë se fatmirësisht Fatime Tanuzi ka shpëtuar vetëm me dy të çara në kokë, pa iu dëmtuar truri. Ndërkaq policia ka marrë denoncimin e së dëmtuarës dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gruaja e dëmtuar e familjes Tanuzi i bën apel policisë për marrjen e masave që mund të frenojnë dhunën në familjen e tyre. Pranë saj gjenden djali i vogël Edmondi, nusja e tij Alkeda me një fëmijë disa muajsh në krah, vajza Majlina Koci me bashkëshortin e saj e me dy djemtë. Të gjithë janë të terrorizuar nga ngjarja, ku nusja e familjes ka tentuar të vrasë nënën e tyre.

Viktima e dhunës në familje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon momentet e dhunës nga nusja e djalit të saj.

Zonja Fatime, a mund të na tregoni pse jeni në këtë gjendje? Çfarë ju ka ndodhur?

Nusja desh më vrau fare, mirë që shpëtova. Mori çekiçin dhe më godiste me sa fuqi që kishte në kokë. Kërkonte një krehër nëpër shtëpi dhe nuk e gjente. Jua kërkoi vajzave të saj, as ato nuk e gjenin. Erdhi në dhomën ku isha unë e më kërkonte krehrin. Unë s’e kisha parë t’ia jepja. U xhindos fare.

Eco Higjiena

Vajzat qanin, se i qëllonte me shuplaka. Doli në oborr, mori një çekiç dhe erdhi e m’u kthye mua, më qëllonte. Vajzat e vogla i thonin, mos, mos se e vrave nënën. Mos, se e vdiqe nënën. Ajo më rrahu mirë e mirë, e pastaj më qëlloi me çekiç. Unë nuk kisha fuqi ta nxirrja jashtë nga dera e dhomës sime. Erdhi nusja e vogël dhe e nxori jashtë, kyçi derën nga brenda deri sa erdhën djemtë, se mua ajo do më kishte vrarë fare.

Po pastaj kush ju solli në spital?

Erdhi djali i vogël, Edmondi dhe Alketa, nusja e tij. Ata më sollën, por unë nuk e mbaj mend mirë kur erdha. Më kishte mbuluar gjaku dhe më dhimbte koka. Shikoni si më ka bërë. Më çau kokën. Ajo e ka vendosur që do më vrasë mua, s’ka tjetër.

Ju jetoni të gjithë në të njëjtën shtëpi. A ka ushtruar dhunë herë tjetër, apo kjo ishte hera e parë?

Më ka rrahur gjithmonë. Po nuk e kisha menduar që do shkonte deri në këtë pikë. Unë nuk kam çfarë t’i bëj, sepse unë jam plakë, ajo është e re, dy metra e gjatë dhe e shëndoshë, më vë poshtë këmbëve dhe më rreh. Nuk ka çfarë t’i bëjë as burri i saj, që është djali im. Ajo ka dhjetë vjet që ka hyrë në derën tonë, dhe tani është me tre fëmijë; veç vajzave që i ka në klasë të tretë e të katërt ka edhe një djalë një vjeç. Unë ia mbaj të tre fëmijët, ia ushqej e gatuaj për të gjithë, ajo shkon në punë me burrin e saj.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)