Mobi Casa

Vjedhjet dhe të shtënat me armë shpeshtohen në Malësinë e Kamenicës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Vjedhjet janë shpeshtuar në fshatrat malore të Kamenicës. Policia e Kamenicës është njoftuar për raste të tilla të vjedhjeve, por edhe për të shtëna armësh, sidomos gjatë ditëve të uikendit.

Disa banorë janë ankuar se prej muajsh janë në hall nga të shtënat me armë, sidomos nga gjuetarët, të cilët sikur bëjnë gara se kush po tregohet më “trim” se tjetri në shkrepjen e pushkëve të gjuetisë, nga pistoletat por edhe “kallashët”.

Njëri nga banorët tha se kishim frikë të dilnin jashtë shtëpisë. “Gruaja u kthye nga oborri dhe tha se po shtinin me armë, dhe kishte frikë të dilte jashtë për punët e shtëpisë”. Sipas një banori tjetër, të shtënat nuk prajnë gjatë ditëve të uikendit në lagjen “Pireva”, në Sfircë, në luginën e këtij fshati dhe në gjithë zonën, ku po thuaj nuk ka mbetur shtazë e egër.

Ai ka treguar se është shkatërruar plotësisht fauna e kësaj zone nga bjerrakohës dhe gjuetarë të pandërgjegjshëm që vijnë nga Prishtina, por edhe nga Kamenica e Gjilani.
Edhe vjedhjet dhe dëmtimet e pronës dhe pyjeve janë shtuar, ndërsa nuk ka shtëpi të pabanuar që nuk është demoluar apo plaçkitur.

RCCOLA

Së fundi është regjistruar vjedhja në pronën e Mehmet Osmanit, banues në Tygjec, nga oborri i të cilit gjatë iukendit që lamë pas i është grabitur një koshere bletësh, ndërsa në kodrinën bri shtëpisë së banimit të tij ishte marr një sasi rëre e lënë më herët aty nga një kompani ndërtimi të antenës në Kullë të Tygjecit, e cila pastaj u zhvendos në Gmicë.

Mehmet Osmani, banor në fshatin Tygjec, tha se të premten, me 10 maj 2013 ka shkuar në Hajvali dhe në oborrin e tij ka lënë 10 koshere bletë, ndërsa kur është kthyer të hënën mbrëma, me 13 maj 2013, kishte vërejtur mungesën e një koshereje me bletë dhe një sasi rëre ishte marrë nga kodrina jo larg shtëpisë ku ai banon.

Për këtë Mehmeti tha se ka lajmëruar Policinë e Kamenicës, e cila ka dalë në vendngjarje të martën pasdite, me 14.05.2013 dhe ka marrë shënimet e duhura.

Banorët e zonës malore të Tygjecit dhe fshatrave përreth kërkojnë nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i që të bëjnë më shumë patrullime në zonë, dhe të ndalojnë të shtënat me armë, të cilat po frikësojnë banorët dhe sidomos fëmijët, si dhe të zbulojnë keqbërësit e t’i vënë para drejtësisë./rajonipress/