ARKATANA

Vizitojnë vendet e rëndësishme shqiptare arkeologjike në Medvegjë

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Një grup pensionistësh dhe invalidësh të punës të organizatës komunale të Fushë Kosovës e bënë një ekskursion njëditor në rajonin e Anamedvegjës dhe të Pustarekës, me ç’rast vizituan disa vende kulturo – historike dhe turistike të këtij rajoni, si qytetin e Justinianit në Gegël, qendrën komunale në Medvegjë dhe Banjën e Siarinës me begatitë natyrore termominerare dhe turistike.

Një numër i vizitorëve ishin ish banorë të Anamedvegjës, kurse pjesa më e madhe e tyre stërnipa të Muhaxhirëve që në vitet 1877/78 ishin përndjekur me dhunë nga ushtria e principatës së atëhershme serbe nga vendbanimet stërgjyshore të Pustarekës dhe Jabllanicës së Epërme.

Me këtë rast vizituan rrënojat e qytetit të shekullit VI të erës së re dhe për së afërmi mësuan për perandorin romak Justinian, që sundoi gjatë viteve 525-565, i cili kishte qenë me origjinë nga popullata e këtushme ilire, fshati Taurisi.

Gjatë sundimit të tij, falë aftësive të tija dhe dashurisë ndaj vendlindjes, ky qytet ishte bërë qendër administrativo – ushtarake, shpirtërore, kishtare dhe kulturore. Vizitorët patën rastin që për herë të parë të mësojnë për ndërtimin e qytetit me nam për tërë Ilirikun, për tempujt, galeritë, sheshet publike, banjat, pallatet e dyqanet, për ujësjellësin e kanalizimet, për vasharet, për ndërtimet e rindërtimet e qindra objekteve urbane e fortifikatave mbrojtëse, që përveç funksionit ekonomik e shpirtëror, kanë shërbyer edhe si objekte mbrojtëse nga depërtimet e fiseve barbare sllave nga veriu, si ato në Petrovë afër Derës së Gjakes, Lec, Rukoc, Medvegjë, Maqedonc, Mërkojë, Dukat, Tupallë Siarinë, Sfircë, Llapashticë e vende tjera në mbarë Ilirikun, të ngritura nga perandorët romakë me origjinë nga kjo treve Dardane, si Anastasi, Justini I, Justiniani dhe Justini II.

Ja se çka thuhej në burimet e shkruara të kohës për qytetin Justiniana Prima:

“Diku në afërsi të Dardanëve evropian, që jetojnë prapa kufirit të Daçanëve, në afërsi të kastellës së quajtur Bederiana, ndodhej fshati Taurisium.

Uji Dea

Aty ka lindur mbreti Justinian, themelues i perandorisë botërore.

Duke e rrethuar në shpejtësi këtë fshat me murin në formë të katrorit dhe duke ndërtuar në secilin kënd nga një kullë, e ndërtoi kastellën me katër kulla … Në afërsi ngriti qytetin e bukur dhe e quajti Ivstiniana Prima… që në latinisht do të thotë – e para – duke ia kushtuar nënës së vet…

Ishte ky një qytet i madh dhe me shumë njerëz, në çdo pikëpamje modern dhe metropol i tërë rajonit… Përpos kësaj, është zgjedhur edhe seli arkipeshkopiker e Ilirikut… Në këtë mënyrë, edhe mbretit ia ka rikthyer namin…”

Gjatë kësaj vizite ishte i përmallshëm dhe impresionues kalimi i vizitorëve nëpër fshatrat e dikurshme të stërgjyshërve të tyre, si Gegël, Krivaçë, Rukoc, Negosalë, Radinoc, Buçumet, Lalinoc, Shillovë, Tullar etj, që ringjallnin mallin dhe vajin e paraardhësve të tyre.

Pasditën, pensionistë nga Fushë Kosova, e kaluan në Bajë të Siarinës, soditën begatitë e shumta natyrore dhe burimet minerare e shëruese dhe patën rastin të shijojnë kënaqësinë e larjes në Gejzerin dhe në pusat me ujë burimor e termik të kësaj qendre klimatike – turistike. Ishte kjo një nga ekskursionet e shumta që kjo organizatë komunale e pensionistëve në vazhdimësi po organizon për anëtarët e vet./Ismail Muharremi-medvegja.net/