Vizitë e suksesshme e Sinanit në Zvicër

Kamenicë – Kryetari i Kamenicës është kthyer nga vizita dy ditore në Kantonin Jura të Zvicrës ku pati takime të shumta me autoritetet e atjeshme si dhe mori pjesë në festën për gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kryetari Sinani para qindra bashkëkombësve ka folur për rëndësinë e madhe që ka luajtur diaspora jonë për pavarësinë e vendit si dhe i ka falënderuar qytetarët shqiptarë të Kantonit Jura për punën e mirë që po bëjnë në afrimin e autoriteteve kosovare dhe atyre zvicerane.
Kryetari Sinani ka nderuar me mirënjohje Bashkësinë Shqiptare të Kantonit Jura me motivacionin për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Kantonin Jura dhe për thellimin e marrëdhënieve në mes të qytetit të Delemontit dhe Kamenicës.
Kryetari i Bashkësisë Shqiptare Xhevxhedin Ahmeti e ka falënderuar shumë Kryetarin Sinani për mirënjohjen dhe është zotuar se së bashku me kryesinë e shoqatës do të vazhdojnë edhe më tutje të kontribuojnë për shqiptarët si në Jura ashtu edhe në Kosovë.
Kryetari Sinani ka zhvilluar gjatë dy ditëve takime të shumta me autoritetet kantonale të Jura-s përfshirë kryetarin e Qeverisë së këtij kantoni Micheal Probst, deputet kantonal si dhe takim te veçantë ka zhvilluar edhe me kryetarin e Delemontit Pierre Kohler.
Në këto takime, kryetari Sinani ka kërkuar intensifikim dhe thellim të marrëdhënieve mes komunës së Kamenicës dhe Kantonit Jura. Kryetari Sinani e ka ftuar kryetarin e Qeverise se Kantonit Jura për vizitë në Kamenicë ndërsa ai u shpreh i gatshëm të vizitojë Kamenicën dhe të thelloj bashkëpunimin me komunën tonë. Po ashtu, gjatë takimit me kryetarin Pierre Kohler, kryetari Sinani ka folur për një projekt me interes vital për qytetarët e Kamenicës siç është trajtimi i ujerave te zeza. Qyeteti i Delemontit e ka nje lumë në gjatësi të njejtë me atë të Kamenicës, ndërsa përreth tij shtrihet projekti i ujerave te zeza te cilat përfundojnë në impiant modern.
Kryetari Sinani ka marr premtime se shumë shpejt një ekip ekspertesh nga Delemonti do t`ia sjellin Kamenicës si donacion projektin e detajuar për trajtimin e ujerave të zeza.
Kryetari Sinani gjatë qëndrimit në Delemont ka takuar edhe biznesmen të dalluar shqiptarë të cilët i ka ftuar qe të vizitojnë Kamenicën dhe të shohin mundësitë që i ofron kjo komunë për investime në projekte të ndryshme me interes të zhvillimit ekonomik./rajonipress/